Detaje nga operacioni për riatdhesimin e pesë shqiptarëve nga kampi famëkeq në Siri, si do të riintegrohen

Oct 28, 2020 | 21:05
SHPËRNDAJE

Shtatë vite pas largimit, dje u riatdhesuan në Shqipëri personat e parë nga zona e konfliktit në Siri. Forcat e Antiterrorit shoqëruan Flioresha Rashën me tre fëmijët e saj të mitur dhe 12-vjeçarin Endri Dumani nga momenti i tërheqjes në kamp deri në Aeroportin e Rinasit, ku u pritën nga miq e familjarë të tyre.

al-hol

Përpara se të shkojnë në familjet respektive, pesë personat që i shpëtuan ferrit në kapin famëkeq Al Haël janë dërguar te shtëpia e pushimit në Durrës, ku do t’u nënshtrohen disa programeve rehabilituese me qëllim integrimin e tyre në shoqëri.

Ky aksion është vetëm pjesa e parë e epopesë së gjatë të kthimit të shqiptarëve nga kampi famëkeq, që do të pasojë një të dytë për rikthimin e të tjerëve.

OPERACIONI PËR KTHIMIN

Trupat e Antiterrorit shfrytëzuan orën e ndërrimit të turneve të forcave kurde për të depërtuar në kamp. Në një video të bërë publike shihen personat e armatosur, duke kërkuar në çdo çadër shqiptare. Mes duartrokitjeve, kreu i Antiterrorit, Gledis Nano, foli për operacionin e shpëtimit të pesë shqiptarëve dhe lajmëroi misionin e radhës.

“Do rikthehem në AlHol. Nuk është justifikim që të çlodhemi, por vetëm për kryerjen e procedurave, për të rinisur operacionin. Me ministrin Lleshaj shkuam në Liban për këtë operacion, shkuam për 4 ditë dhe ndenjëm 5 javë. Dhe në Liban situata nuk është e lehtë, ka mbi 1500 raste me COVID, e cila është një problematikë më shumë”.

Një operacion të ngatërruar, por të suksesshëm, e ka konsideruar Kryeministri Edi Rama shpëtimin e katër fëmijëve dhe gruas në karrige me rrota nga kampi sirian. Ajo çka dihet me siguri deri tani është identifikimi i të gjithë shqiptarëve që janë në kamp.

Kjo, për kreun e shtetit, është baza për fazën e dytë të riatdhesimit të shqiptarëve të tjerë. Premtimi vjen pas takimit që pati me gjeneralin Abbas në Bejrut, ku mori zotimin sy më sy për vijimin e operacionit.

“Mbyllëm fazën e parë të një operacioni të ngatërruar, por sidoqoftë të suksesshëm. Tanimë kemi bazën për të vijuar fazën e dytë. Janë identifikuar fëmijët e tjerë. Më herët se vonë do t’i kthejmë në Shqipërinë”, deklaroi Kryeministri në konferencën për median, duke kursyer detajet në lidhje me emrat dhe datën e nisjes së fazës së dytë të operacionit, për shkak të ndikimit negativ që mund të ketë në aksion.

Një tjetër arsye që vështirëson kthimin e pjesës së mbetur janë prindërit e radikalizuar, që refuzojnë të kthehen në Shqipëri. Për ata që kanë bërë krime, kreu i qeverisë e bëri të qartë se do të ketë ndëshkim nga organet kompetente.

“Nuk diskutohet që kush ka bërë krime, do t’i nënshtrohet drejtësisë, por këto nuk janë çështje të miat. Rastet janë individuale dhe e kanë organet e tjera në dorë që të japin opinionin e tyre dhe vendimet ligjore”.

RIINTEGRIMI

Të sapoatdhesuarit, sipas Kryeministrit, do t’i nënshtrohen kujdesit të veçantë, së paku për një periudhë tremujore me qëllim që të jenë gati për t’iu rikthyer jetës normale.

“Kemi përgatitur strukturën e posaçme se vendimi për të hyrë në territor është marrë në momentin e duhur, por ne duhet të ishim gati, struktura është gati me kujdesin e nevojshëm me psikologë, mësues e mjekë dhe do të bashkëpunohet dhe me të afërmit për të shkuar në strukturat sociale sipas gjykimit që do japin mjekët dhe psikologët”.

REAGIMI

Pas lajmit të lirimit të pesë personave nga zona e luftës në Siri ka reaguar Presidenca, duke kërkuar kthimin e të gjitha grave dhe fëmijëve që ndodhen në kamp.

“Falenderojmë Gjysmëhënën e Kuqe Siriane për lirimin e disa fëmijëve shqiptarë të kampit Al Haël, të cilët shumë shpejt do të kthehen në Shqipëri. Tani punë për të kthyer të gjitha gratë dhe fëmijët që ndodhen në këtë kamp”, shkruan zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi, duke kursyer fjalët e mira për forcat e antiterrorist që depërtuan në kamp.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura