“Destabilitet politik”- Prezantohet progres-raporti i KE, Kosova ngec në shumë fusha

Oct 19, 2021 | 15:54
SHPËRNDAJE

Progres të kufizuar, apo pa progres në disa fusha, është vlerësimi që Kosovës i ka dhënë Kolegji i Komisionerëve evropianë me raportin e fundit të progresit të miratuar të martën. Raporti u prezantua para deputetëve të Parlamentit Evropian nga Oliver Varhelyi.

kosove qeveria

Mungesa e stabilitetit politik, përplasjet politike që kanë ndikuar në punën e Kuvendit dhe miratimin e ligjeve, por edhe kriza e shkaktuar nga pandemia, përmenden si arsyetime për mungesën e përparimin në shumë fusha.

“Sa i përket kritereve politike, shumica e periudhës që përfshinë raporti, ishte karakterizuar me jostabilitet politik në Kosovë. Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në shkurt të vitit 2021, qeveria e re nisi mandatin me një shumicë të paprecedentë në Kuvend” thuhet në raport.

Në të konstatohet se rrethanat e krijuara nga jostabilitetit politk, aktivitetet e legjislaturës ishin të kufizuara dhe kjo ndikoi edhe në reformat e lidhura me BE-në.

Përshkruhet edhe situata kur u ngritën aktakuzat nga Gjykata speciale dhe u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme.

Sa i përket zgjedhjeve raporti konstaton se ato “në përgjithësi ishin të organizuara mirë, në mënyrë transparente dhe konkurruese, përkundër disa mangësive”; u përsërit ftesa që Kosova të forcohet dhe sidomos të reformohen pjesët që kanë të bëjnë me fushatën zgjedhore dhe financimin e partive politike.

Kësaj radhe në raport nuk përmendet asgjë sa i përket zgjedhjeve në veri. Në raportin e vitit të mëparshëm Komisioni kishte pohuar se në veri ka pasur frikësim dhe kërcënime ndaj kandidatëve që nuk ishin nga Lista Serbe.

“Gjatë pesës së madhe të periudhës që mbulon raporti, atmosfera e polarizuar politike, mungesa e një shumice efektive qeverisëse dhe mungesa e shpeshtë e kuorumit ndikuan në mënyrë të fuqishme në vendim marrjen në Kuvend”, thuhet në raport.

Më shumë progres nga Kosova është kërkuar edhe në reformat e administratës publike ku, përkundër disa përgatitjeve, “nuk është shënuar progres”. Një prej arsyeve për këtë përmendet “ndryshimi i shpeshtë i qeverisë”. Përmendet fakti se në qershor hyri në fuqi ligji i ri për Zyrtarët Publikë, por nuk janë bërë përpjekje domethënëse në implementim, sidomos në procesin e regrutimit. Në disa raste përmendet se është vërejtur ndikim i panevojshëm politik në emërimin apo largimin e zyrtarëve publikë.

Vazhdon të jetë i ngadalshëm edhe gjyqësori në Kosovë. Sipas raportit, gjyqësori vazhdon të jetë joefikas dhe i ndjeshëm ndaj ndërhyrjeve politike. Raporti thotë se në sundimin e ligjit “një lloj procesi është arritur”.

Raporti përmend planet për vetingun e gjykatësve dhe prokurorëve, por tërheq vërejtjen se kjo duhet të bëhet në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare. Komisioni thotë se mundësia që të ketë veting të plotë për secilin gjykatës dhe prokuror (one – off) është çështje e “shqetësimit serioz”. Kjo do të duhej të ishte vetëm mundësia e fundit e jo rregull, sipas Komisionit Evropian.

Në luftë lundër korrupsionit dhe krimit të organizuar Kosova është “në fazën e hershme” dhe ka arritur “progres të kufizuar”. Kërkohen masat për të forcuar Prokurorinë dhe të përdoren më shumë mundësitë për konfiskimin e pasurisë.

Përsëritet thënia që e përcjellë Kosovën tash e sa vite se “korrupsioni vazhdon të jetë i përhapur dhe mbetet çështje për shqetësim serioz”.

Kosova ka shënuar progres, sipas këtij raporti, në luftë kundër terrorizmit, në përputhje me një marrëveshje që ka me Bashkimin Evropian dhe planin e veprimit. Kërkohet që Kosova të jetë më aktive në luftë kundër pastrimit të parave.

Gjendja e mediave dhe lirisë së shprehjes në Kosovë duket të jetë më e kënaqshme sesa në disa vende tjera të rajonit, nëse gjykojmë nga raportet e progresit.

“Sa i përket lirisë së shprehjes, Kosova ka një nivel të përgatitjes dhe përfiton nga një ambient i gjallë dhe pluralist medial. Megjithatë mbetet shqetësim për fushata kërcënuese dhe sulme fizike ndaj gazetarëve”, thuhet rreth lirisë së shprehjes në Kosovë dhe përmendet problemi i mungesës së vetëqëndrueshmërisë financiare të mediave që i bëjnë ato të ndjeshme ndaj ndërhyrjeve politike.

Periudha kohore të cilën e mbulon ky raport progresi përfshin vitin 2020 dhe pjesën e këtij viti deri në verë. Kësaj radhe për të gjitha shtetet raporti flet edhe për përballjen me pandeminë dhe me pasojat ekonomike që i ka shkaktuar ajo. Po ashtu përmend në mënyrë të veçantë për secilin shtete dhe ndihmën që i ka dhënë Bashkimi Evropian në këtë drejtim.

Nga të gjitha shtetet e rajonit Komisioni Evropian do të kërkon që të bëjnë më shumë përpjekje në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në ndërtimin e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, dhe fokus të veçantë në sundimin e ligjit.

Në Raportet e Progresit për Kosovën dhe në atë për Serbinë flitet edhe për dialogun mes këtyre dy vendeve që është duke u zhvilluar me lehtësimin e Bashkimit Evropian. Nënvizohet se janë zhvilluar dy takime të nivelit të lartë, në qershor dhe korrik, si dhe tri takime në nivel të kryenegociatorëve.

Edhe Kosovës edhe Serbisë do t’u bëhet thirrje që të zbatojnë marrëveshjet e arritura në dialog deri me tash dhe të kontribuojnë në arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e raporteve.

“Një marrëveshje e tillë është nevojë urgjente dhe kyçe në mënyrë që Kosova dhe Serbia të avancojnë ne rrugëtimin e tyre përkatës evropiane”, thuhet në tekst.

Po ashtu ritheksoi se qëndron edhe prapa rekomandimit që për Kosovën të liberalizohen vizat, një çështje e cila tash e një kohë të gjatë është në duart e Këshillit të BE-së ku nuk është arritur kompromis mes vendeve anëtare që të merret ky vendim.

Koha.net

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura