“Dessins en liberté”, ekspozitë-homazh lirisë së shtypit

Mar 16, 2016 | 13:06
SHPËRNDAJE

“Dessins en liberté”- ”Vizatim i lirë”, kështu titullohet ekspozita që do të hapë edicionin e radhës së Pranverës Frankofone.

Një homazh për shtypin dhe fjalën e lirë, pas goditjes që ai pësoi një vit më parë në Paris. Pas sulmeve terroriste kundër gazetës satirike “Charlie Hebdo”, kjo ekspozitë u ideua nga Instituti Francez në bashkëpunim me gazetën javore “Courrier International”.

Shkrimtari Eric-Emmanuel Schmitt
Shkrimtari Eric-Emmanuel Schmitt

Përmes shumë vizatimeve të botuara në faqet e gazetave dhe revistave, ilustrohet si ushtrohet liria në median e shkruar. Domethënës është vendi ku do të hapet kjo ekspozitë, pikërisht në Qendrën COD, pranë Kryeministrisë.

AKTIVITETET

Ashtu si për vite me radhë, Pranvera e Frankofonisë mbërriti sërish në Shqipëri. Nga data 17 deri në 24 mars do të zhvillohen një sërë aktivitetesh të organizuara nga Ambasada Franceze dhe përfaqësitë diplomatike të vendeve të tjera frankofone në Shqipëri.

Koncerte, konkurse këngësh franceze, ekspozita, shfaqje teatri të luajtura nga profesionistë apo nxënës shkollash, projeksion videosh, shfaqje filmash, mbrëmje poetike, degustim gatimesh, por edhe shumë aktivitete të tjera, do të vijnë përgjatë 7 ditëve.

Një ndër aktivitetet është konferencadebat “Vlerat e frankofonisë”: Si të mbajmë gjallë frymën e iluministëve sot në Europë dhe në Shqipëri? Shkencëtarë dhe intelektualë të ndryshëm frankofonë do të mblidhen në Universitetin e Tiranës për të diskutuar mbi vlerat që ne ndajmë dhe për të analizuar nëse shpirti i iluminizmit është akoma i gjallë në Europë dhe në Shqipëri.

Interesant paraqitet konkursi i këngës franceze, nata finale e të cilit do të zhvillohet në Universitetin e Arteve të Tiranës. Kandidatët janë përzgjedhur nga Aleancat Franceze të Elbasanit, Durrësit, Korçës, Shkodrës dhe Tiranës.

Fituesi do të shijojë një fundjavë Parisin. Pranvera e këtij viti fton të bëhen pjesë e saj fëmijë e të rritur. Pranvera e Frankofonisë organizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Teatrin Kombëtar për Fëmijë, Universitetin e Arteve, Akademinë “Marubi”, disa galeri private si “Zeta” e “Tulla” etj.

ERIC-EMMANUEL SCHMITT SJELL ULIKSIN NË TIRANË

Një ndër ngjarjet që do të shënojë këtë javë është takimi me shkrimtarin dhe dramaturgun franko-belg, EricEmmanuel Schmitt, me rastin e botimit në shqip të librit “Ulysse from Baghdad”. Ambasada e Francës dhe Botimet “Toena” bëhen bashkë në organizimin e një takimi ndërmjet Eric-Emmanuel Schmitt dhe publikut të tij shqiptar.

Me rastin e kësaj vizite do të rikthehet për publikun shqiptar monodrama e interpretuar nga aktori Mirush Kabashi, “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit”, një përshtatje e romanit të Eric-Emmanuel Schmitt. “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit” është autobiografia e trilluar e jetës së një të riu nga Parisi, prindërit e të cilit u ndanë dhe ai jeton tek i ati.

Momo, 11 vjeç, mbyllet në vetvete. Ka vetëm një shok, z.Ibrahim, shitësin turk të ushqimores dhe filozof të rrugës “Blu”. Ky roman është pjesë e një trilogjie të autorit, që ka për subjekt religjionin.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura