Dështon skema e rimbursimit të barnave anti-koronavirus, ndahet vetëm 2.3 % e fondit! Zbardhet raporti i Ministrisë së Shëndetësisë për 2021

Apr 26, 2022 | 14:35
SHPËRNDAJE

ADA HAZIZOLLI/ Nga paketa e rimbursimit të barnave anti-Covid përgjatë vitit që shkoi, kanë përfituar vetëm 6534 persona. Qeveria nuk ia doli të zbusë, së paku, koston e lartë financiare që solli pandemia për shumicën dërrmuese të familjeve, duke vulosur kështu edhe dështimin e skemës.

barna

Në raportin e monitorimit për Ministrinë e Shëndetësisë për vitin 2021 vihet në dukje se nga fondi 1.2 miliardë lekë, ose rreth 12 milionë dollarë, janë ndarë vetëm 28 milionë lekë, ose rreth 280 mijë dollarë, pra vetëm 2.3 për qind e fondit vjetor dhe kanë përfituar më pak se 7 mijë familje. Një shifër kjo e papërfillshme në raport me nevojat reale të pacientëve, të cilëve iu desh të përballen me shpenzime hera-herës edhe përtej mundësive për trajtimin e sëmundjes.

RAPORTI

Skema e mbështetjes financiare nisi të aplikohet prej fundnëntorit të 2020-s. E gjendur nën presion të shtuar, qeveria vendosi që të rimbursojë paketën e barnave që përdoreshin për trajtimin e pacientëve të infektuar, të cilët ndiqeshin në kushte shtëpie. Përmes një deklarate për mediat, duke i paraprirë vendimit, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha asokohe se qeveria kishte planifikuar 1.2 miliardë lekë, ose rreth 12 milionë dollarë, për rimbursimin e ilaçeve. “Qeveria shqiptare ka marrë vendimin për të rimbursuar të gjithë pacientët me Covid19 që trajtohen në mënyrë ambulatore në shtëpi. Do të përfitojnë të gjithë qytetarët qoftë nëse janë të siguruar, qoftë nëse nuk janë të siguruar.

Nga sot ka filluar të funksionojë si skemë mjekimi në të gjitha strukturat tona të kujdesit parësor. Vlera e rimbursimit e paketës së barnave për të dyja skemat e mjekimit është 125 dollarë. Qeveria ka financuar 1.2 miliardë lekë për rimbursimin e trajtimit ambulator”, tha ministrja. Por nga raporti rezulton se vetëm 2.3 për qind e këtij fondi është përdorur. “Për vitin 2021, sipas analizës statistikore të vlerave të pranuara të rimbursimit të barnave, janë pranuar listë-tregues në vlerën 11.049.282 mijë lekë, nga të cilat 28.122 mijë lekë i përkasin vlerës së pranuar të listëtreguesve të paketës antiCovid. Nga lista e barnave të rimbursueshme kanë përfituar 409.773 persona, ndërkohë për paketën anti-Covid 6.534 persona”, thuhet në raport. Ndërkohë, nga nëntori i 2020-s deri në dhjetor të 2021-shit kanë përfituar nga skema e mbështetjes vetëm 8242 persona.

PROBLEMATIKAT

Financimi në masën 100 për qind i recetave anti-Covid, siç edhe ishte edhe zotimi i qeverisë, rezultoi të ishte problematik që në nisje. Nxjerrja me vonesë e udhëzimit i vuri mjekët dhe farmacistët jo pak në vështirësi. Për shumë javë me radhë, ata ishin të paqartë mbi mënyrën se si do të operonin me recetat. Veç kësaj u vendosën edhe kufizime, çka e bëri edhe më të vështirë punën e tyre. Për të qenë pjesë e skemës, nevojitej përgjigjja pozitive e testit apo tamponit, por pjesa më e madhe e pacientëve paraqitej për vizitë pasi kishin kaluar disa ditë nga shfaqja e simptomave të para. Nga ana tjetër, vendosja në radhë pritje për përgjigjen e testit shkaktonte vonesa të tjera në marrjen e trajtimit. Të gjitha këto pengesa, të qëllimshme apo jo, nuk bënë gjë tjetër veçse sollën braktisjen e skemës.

PAKETAT

Sipas vendimit të qeverisë, vlera e plotë e rimbursimit për format e lehta dhe të mesme të sëmundjes është 12 250 lekë, ose rreth 125 dollarë, nga të cilat 1650 lekë për format e lehta dhe 10 900 për ato të mesme. Kështu, për pacientët me simptoma të lehta, vlera që mbulohet nga buxheti i shtetit është 1650 lekë. Kjo pasi në këto raste, pra kur infeksioni nuk jep komplikacione, por vetëm disa simptoma të lehta, edhe trajtimi është me vitamina, lëngje, shurup për kollën dhe trisol. Pra nëse mjeku përshkruan një recetë me vlerë 2500 lekë, pacienti apo familjari i tij do të paguajë vetëm diferencën, pra 850 lekë, pjesa tjetër mbulohet nga buxheti i shtetit. Ndërsa për pacientët që ndodhen në stadin e dytë të sëmundjes, për të cilët mjekimi është me antibiotikë, vlera e rimbursimit shkon deri në 10 900 lekë.

Konkretisht, nëse vlera e faturës do të jetë 14 000 lekë, qeveria rimburson 10 900 lekë, ndërsa qytetarit i takon të paguajë pjesën e mbetur, pra 3100 lekë. Numri i ulët i ulët i përfituesve nga skema e rimbursimit është një shqetësim i ngritur një vit më parë edhe nga Avokati i Popullit. Në dokumentin me rekomandime drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë, ky institucion ka kërkuar po ashtu marrjen e masave për zgjerimin e paketës së barnave për trajtimin ambulator në banesë të personave të diagnostikuar me COVID-19, duke përfshirë në të analizat laboratorike dhe ekzaminimet imazherike. Përgjatë muajve të parë të vitit 2021, por edhe në vjeshtë, shifrat e infeksionit në vendin tonë u rritën ndjeshëm. Shumë pacientë preferuan të ndiqen në kushte shtëpie, duke u përballur me sëmundjen, në të njëjtën kohë edhe me faturat e kripura për kurimin e saj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura