Dështojnë sërish bisedimet për koalicionin e ri, flet presidenti Steinmeier: Ja kërkesa ime

Nov 20, 2017 | 17:56
SHPËRNDAJE

Përpjekjet për krijimin e qeverisë në Gjermani kanë dështuar. Koalicioni i ri mes partisë së Angela Merkelit CDU me Partinë e të Gjelbërve dhe me partinë probiznesore, Demokratët e Lirë (FDP) nuk ka arritur të krijohet. Kjo ka çuar në mundësinë e shpalljes së zgjedhjeve të reja parlamentare në Gjermani.

41454586_303

Presidenti Frank-Walter Steinmeier tha se Gjermania po përballet me një situatë të pashembullt dhe se do të mbajë bisedime me të gjitha partitë.

Po ashtu ai deklaroi se do të përfshinte partitë që nuk ishin përfshirë në bisedimet deri tani dhe u bëri thirrje politikanëve të punojnë së bashku dhe të bëjnë kompromise për “mirëqenien” e vendit.

“Ndërtimi i një qeverie ka qenë gjithmonë një proces i vështirë kompromisesh, por mandati për të formuar një qeveri është ndoshta mandati më i lartë që votuesit i japin një partie në një demokraci dhe ky mandat mbetet”, tha zoti Steinmeier.

Nga ana tjetër, presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, ka deklaruar se tani për tani nuk është i gatshëm të shpall zgjedhje të parakohshme.

Presidenti gjerman Frank-Ëalter Steinmeier nuk njoftoi ndonjë hap konkret në një deklaratë të shkurtër të bërë të hënën në Berlin, pasi u takua me kancelaren gjermane Angela Merkel. Përkundrazi, ai i inkurajoi partitë politike të Gjermanisë të rishqyrtojnë nëse ata nuk do të mund të krijojnë një shumicë.

 

Ai tha se “Ky është momenti kur të gjithë pjesëmarrësit duhet të rishikojnë qëndrimin e tyre.”

Presidenti i Gjermanisë ka të drejtën për të thirrur zgjedhje të parakohshme, por zoti Steinmeier e bëri të qartë se kjo nuk ishte alternativa e tij e preferuar.

“Unë pres që të gjitha palët të jenë në dispozicion për bisedime për të ndërtuar një qeveri në të ardhmen e parashikueshme”, tha ai.

Kjo ishte një referencë për zgjedhjet e reja. Nëse nuk del ndonjë koalicion i shumicës, Steinmeier është i detyruar nga kushtetuta gjermane që të emërojë një kancelar për miratim nga parlamenti i Bundestagut gjerman. Nëse asnjë qeveri e qëndrueshme nuk mund të formohet pas tre raundeve të votimit, presidenti duhet t’i kërkojë gjermanëve të shkojnë në zgjedhje të reja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura