Dëshmitë e trishta për tragjedinë/ “Skafi ishte me shpejtësi skëterrë, na ndau me vajzën”, “autori donte të ikte, nuk dha asnjë ndihmë edhe pasi i thamë se kishte vrarë një fëmijë”

Aug 6, 2022 | 10:11
SHPËRNDAJE

NIKOLETA KOVAÇI/ Kur kanë kaluar më shumë se tri ditë nga ngjarja e rëndë e Potamit, detaje të reja kanë dalë në skenën e atij krimi horror. Dëshmitë e pakta të nxjerra nga Prokuroria në fazën paraprake të hetimit kanë treguar se bëhet fjalë për një ngjarje në kufijtë e masakrës, duke pasur parasysh manovrën që kreu në det komisari i Policisë me skafin e tij.

Por, ndryshe qëndrimit fillestar të komisarit, me një sjellje gangsteri që i kërcënoi familjarët me armën e shërbimit, dje, para Gjykatës së Vlorës ai ka dërguar ngushëllime për familjen e vajzës, ka kërkuar ndjesë për kolegët e Policisë së Shtetit dhe i ka thënë Gjykatës që nuk kërkon asnjë lloj lehtësimi për akuzën e depozituar nga prokuroja e çështjes. Por, tej gjithë kësaj panorame, ende e pjesshme, dje ka reaguar sërish kryepolici i vendit.

Kësaj radhe ai iu drejtua institucioneve që kanë për detyrë bashkëveprimin e vijës bregdetare, ku sipas tij asnjë lidhje nuk funksionoi ditën e ngjarjes. Vrasja e vajzës 7 vjeçe në bregun e detit ka bërë jehonë edhe në mediat britanike, të cilat me të drejtë e trajtojnë si vrasjen e shtetases së tyre.

Por Arjan Tase është lënë në burg dhe hetimet do të vijojnë për atë që u konsiderua edhe si vrasje shtetërore, ndonëse autori ka theksuar në gjykatë se ishte “fati i tij i keq”! Prokuroria e Vlorës e ka ndryshuar akuzën për autorin.

Në parashtrimin e çështjes në fazën e parë të hetimit, ajo i ka shpjeguar Gjykatës arsyet se përse Tase nuk mund të hetohet për vrasje nga pakujdesia, vepër e referuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore të nesërmen e ngjarjes.

Po ashtu, në materialin hetimor janë përfshirë edhe tri dëshmi, e të atit të vajzës, një kushëriri dhe i një gruaje, burri i së cilës i ka kërkuar të lajmërojë Policinë për motoskafin e rrezikshëm që gjendej në breg. Por nuk ka pritur puna, jo vetëm për të lajmëruar Policinë, por as për të shpëtuar Jonadën e vogël që iu mor jeta në mënyrë mizore nga helikat e motorëve të mjetit të fuqishëm.

Sjellim të plotë materialin hetimor, duke shmangur pjesën e ekspertizës mjeko-ligjore të trupit të vajzës (për shkak të përmbajtjes së rëndë), material i depozituar ditën e djeshme në Gjykatën e Vlorës nga prokurorja e çështjes.

PARASHTRIMI

Në datë 03.08.2020 pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë janë referuar me shkresën Nr. 95 prot. datë 03.08.2022 nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pranë Drejtorisë Rajonale Gjirokastër Vlorë materialet procedurale që referohen arrestimit në flagrancë të shtetasit.

Arian Tase, i biri i Minella dhe Donika, i datëlindjes 10.12.1984, lindur në Përmet, banues në Tiranë, me arsim të lartë, me shtetësi shqiptare, me gjendje gjyqësore të padënuar më parë.

Që dyshohet tashmë për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes, të kryer në formën e dashjes indirekte” të parashikuar nga neni 76 Kodit Penal.

Nga studimi i të dhënave te dokumentuara nga Policia Gjyqësore dhe verifikimet e bëra rezulton se: Në datë 02.08.2022, rreth orës 14:00 minuta, në plazhin Potam-Himarë, i arrestuari Arian Tase, ndërsa drejtonte mjetin lundrues tip gomone, e emërtuar NNA 154 dhe MARGO, pajisur me dy motorë të jashtëm, me kapakë me ngjyrë të bardhë, me shënimet “Racing 300” ka goditur me helikat e motorëve respektivë dhe i ka shkaktuar vdekjen shtetases së mitur që ndodhej në afërsi të bregut të detit duke u larë, Jonada Avdia.

Ngjarja ka ndodhur në një zonë bregdetare që është kategorikisht e ndaluar për lejimin kalimin e mjeteve lundruese. DËSHMITË Nga deklarimet e shtetasit Bledar Avdia (prindi i fëmijës) ka rezultuar se familja Avdia bashkë me të afërm të tyre, një ditë më parë janë akomoduar për pushime verore në një hotel që ndodhet te rrethi i Potamit. Mëngjesin e datës 02.08.2022 ka dalë në plazh së bashku me familjarët e tij.

Rreth orës 14:00 minuta, Bledar Avdia shpjegon se ndërsa ka qenë duke u larë bashkë me vajzën në afërsi të bregut, ka parë një skaf me ngjyrë të bardhë, me dy persona në bord, që ka parkuar në bregun e plazhit te hotel “Tirana” dhe ka parë se nga bordi i mjetit ka zbritur dhe në vijim ka parë dy burra, një grua dhe dy fëmijë që kanë hipur në skaf.

Bledar Avdia shpjegon se shoferi i mjetit lundrues, pasi ka kaluar litarin me piketa, ka shkuar në drejtim të tyre dhe është futur me një shpejtësi skëterre duke përçarë atë dhe vajzën, për ta marrë kthesën, ka goditur me motorët vajzën e tij, duke i shkaktuar prerje në gjithë trupin. Ka bërtitur dhe ka parë që drejtuesi është nisur të largohej, por është kthyer ka ndaluar skafin dhe ka ardhur në breg.

Nga deklarimet e shtetasit Emiliano Zeqirllari në lidhje familjare me viktimën, ka treguar se rreth mesditës, shtetasi Bledar Avdia bashkë me vajzën Jonada po laheshin në breg të detit dhe në një moment, Emiliano ka parë ardhjen e një mjeti lundrues të madh me disa persona në bord.

Në kohën që mjeti lundrues ka marrë njerëz në breg dhe është futur përsëri në det, shtetasi Emiliano shpjegon se mjeti lundrues ka goditur të miturën me helikat e motorëve. Bledari dhe njerëzit që ishin në breg të detit kanë filluar bërtasin “ndalo se e vrave”, mjeti lundrues ka vijuar të ecë pa dhënë asnjë ndihmë.

Në këtë kohë, Emiliano ka hyrë në det dhe e ka nxjerrë të miturën pa shenjë jete. Nga deklarimet e shtetases Silvana Malaj, pushuese, ka rezultuar se rreth orës 14:00, ka qenë në det bashkë me bashkëshortin dhe po dilnin nga uji. Ka parë se pas tyre ndodhej një skaf që po rrotullohej dhe gjendej në afërsi të bregut.

Bashkëshorti i ka kërkuar që lajmëronte Policinë për të larguar skafin dhe ndërkohë që do dilte nga uji, kjo shtetase shpjegon se ka dëgjuar njerëzit që po bërtisnin dhe pasi ka kthyer kokën, ka parë skafin e ngritur në mënyrë vertikale dhe aty tregon se situata ka dalë nga kontrolli. Më pas ka parë goditjen që i ndodhi vajzës së vogël nga skafi dhe babi i vajzës bërtiste që të ndalej.

ARSYETIMI I NDRYSHIMIT TË AKUZËS

Sa më sipër rezulton qartë jo vetëm nga deklarimet e dhëna, por dhe nga të dhënat qoftë të këqyrjes së mjetit lundrues, qoftë të këqyrjes së kufomës, se ka qenë drejtuesi i mjetit lundrues, shtetasi Arian Tase, ai që e ka goditur me mjetin lundrues (helikat e motorëve) dhe ka i shkaktuar vdekjen së miturës Jonada Avdia. Dëmtimet e konstatuara në trupin e viktimës krijojnë dyshimin e arsyeshëm se arrestuari ka qenë duke drejtuar mjetin lundrues me shpejtësi të lartë.

Sa më sipër është proceduar nga Policia Gjyqësore me kryerjen e arrestimit në flagrancë, e dyshuar fillimisht për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal vepra penale e vrasjes nga pakujdesia, është një vepër penale që kryhet me faj, në formën pakujdesisë që shfaqet në formën e vetëbesimit të tepruar ose të neglizhencës.

Personi që kryen veprën penale me pakujdesi kur ai parashikon mundësinë e ardhjes së pasojave, nuk i dëshiron ato dhe me mendjelehtësi shpreson që t’i shmangë pasojat ose kur nuk parashikon pasojat por nisur nga rrethanat duhet dhe kishte mundësi t’i parashikonte.

Në situatën e ndodhur, vdekja e së miturës ka ndodhur në një zonë që është kategorikisht e ndaluar për lejimin e kalimin e mjeteve lundruese dhe Arian Tase, me detyrë punonjës i Policisë së Shtetit, që ka objekt të punës të tij zbatim të ligjit (dhe pse ditën e ngjarjes rezulton të ketë qenë me leje vjetore) ka vepruar në kundërshtim me ligjin.

Ai e ka parashikuar që lundrimi me mjet lundrues pikërisht në një zonë detare të ndaluar për të hyrë, në një zonë ku qartësisht evidentohen fëmijë, të rritur dhe të moshuar, që janë duke pushuar dhe argëtuar, sjell pasojë në jetën dhe shëndetin e tyre, duke qenë në dijeni se në një hark kohor relativisht të shkurtër kanë ndodhur të tilla raste tashmë të njohura dhe mediatikisht, dhe pse nuk e ka dëshiruar ardhjen e pasojës, pra, vdekjen e shtetases së mitur, me veprimet e kryera, ai me vetëdije e ka lejuar ardhjen e pasojës.

Dashje indirekte ose e tërthortë si një nga format e fajësisë nënkupton që personi parashikon që nga veprimi tij mund të vijnë pasoja të kundërligjshme, këto pasoja nuk dëshirohen prej tij, por me vetëdije dhe ndërgjegje lejohet ardhja pasojave. Në këtë kuptim. veprimet e të arrestuarit Arian Tase do të cilësohen sipas nenit 76 të Kodit Penal; vrasje e kryer në formën e dashjes indirekte të tërthortë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura