Dëshmitë e rralla: “Në qelitë e Burrelit u njoha me Dom Ndocin, vëllanë e ‘Heroit të popullit’, nëna e të cilit dilte në tribuna me Enver Hoxhën dhe…”/ Kujtimet e intelektualit që vuajti 21 vite burg

Oct 15, 2021 | 7:38
SHPËRNDAJE

Dashnor Kaloçi

Pjesa e dytë

dPublikohen kujtimet e panjohura të intelektualit Uran Kalakulla, ish-i burgosur politik, i cili vuajti për më shumë se 21 vite në kampet e burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, pasi në vitin 1961, ai ishte arrestuar, duke u akuzuar se së bashku me një grup, ku bënin pjesë edhe Pjetër Arbnori e Tanush Kaso, kishin dashur të formonin një grupim me prirje social-demokrate europiane, ku si rezultat ,ai u dënua me 22 vjet heqje lirie, të cilat i vuajti kryesisht në burgun e Burrelit, nga ku u lirua në 1992-in dhe u internua në fshatin Kryevidh të Kavajës, deri në vitin 1988. Kujtimet e panjohura të z. Kalakulla, autor i disa librave si “Vargje në Pranga”, eseja politike “Shqiptarizmi dhe prirja e tij europeiste”, monografia “Arshi Pipa, njeriu, jeta” dhe vepra, si dhe libri autobiografik “Njëzet e një vjet burg komunist”, të shkruara pas viteve ’90-të, ku ai përshkruan me detaje dhe hollësira, disa nga klerikët katolikë, mysliman dhe ortodoksë, që ai kishte pasur si bashkëvuajtës gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit në kampet e burgjet e regjimit komunist, si: At Konrad Gjolajn, Dom Nikollë Mazrekun, At Gegë Lumën, Dom Ndoc Nikajn, Dom Simon Jubanin, etj.

Intelektuali i njohur Uran Kalakula i cili vuajti për më shumë se 21 vite në burgjet e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, në kujtimet e tij të shkruara si gjatë kohës së vuajtjes së dënimit, ashtu dhe pas daljes nga burgu, një vend të veçantë ia kushtoi klerikëve katolikë, ortodoksë e myslimanë, të cilët gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist, u masakruan në mënyrën më barbare nga regjimi në fuqi. Lidhur me qëndrimin stoik të këtyre klerikëve në burgjet komuniste, bënë fjalë edhe ky shkrim të cilin ne e kemi shkëputur nga kujtimet e zotit Kalakula, të publikuara në librin e tij “Njëzet e një vjet burg komunist”, i cili doli nga shtypi në vitin 2001, pak kohë pasi ai kishte ndërruar jetë.

-Kujtimet e ish-të burgosurit politik, Uran Kalakulla-

“Mes tyre për të ndarë fajtorin nga i pafajshmi; tamam siç hynin dikur në malet tona pleqtë e kryepleqtë e një fshati për të vënë paqen mes njerëzve, për të dhënë drejtësi mes tyre. Dhe, në këtë rast, at Gega ishte përfaqësuesi i vërtetë dhe i saktë i Kanunit të Lekë Dukagjinit. Megjithëse ishte i varfër, se rrallë herë i dërgonin ndonjë lek apo i vinte kush te dera e burgut, ai ishte shumë dorëdhënës dhe e bënte të mirën pa u marrë vesh, siç i takon një fisniku të vërtetë të shpirtit. At Gegë Luma ishte edhe një patriot i madh. Dhe, kur kalonim së bashku si në një paradë paudhësitë që na kishte bërë Evropa, kjo “kurvë e motit” e Fishtës, apo fqinjët grabitqarë, fytyra e priftit plak përskuqej nga urrejtja ndaj këtyre të paudhëve, vegla qorre të së keqes e shejtanit dhe indinjata e tij shpërthente hovshëm, duke harruar në ato çaste se ishte prift dhe shërbëtor i fjalës së Zotit. Atëhere unë kuptova mirëfilli se At Gegë Luma, para së gjithash, ishte e do të vdiste një shqiptar i vërtetë. Ai u lirua para meje. Kur u ndamë, ndjeva një boshllëk të madh në shpirt. Dhe nuk u pamë më kurrë. Por, në themel të zemrës, e ruaj ende të gjallë imazhin e atij plaku të mirë, që kishte dy vlera shumë të mëdha në qenien e vet, të cilat kam dëshirë t’i theksoj edhe një herë: njeri i Zotit dhe bir i denjë i kombit tonë të shumëvuajtur.

Me Dom Ndoc Nojën

Nja dy a tre vjet para se të më vinte edhe mua lirimi, ndjenja në një dhomë edhe me një klerik tjetër katolik, po nga Shkodra: me plakun e mirë, gati engjëllor, Dom Ndoc Ndojën. Dom Ndoci kishte studiuar për Teologji në Gjenovë të Italisë e, si At Gegë Luma, kishte bërë edhe ai dy fakultete. Veç teologjisë, kishte studiuar edhe për gjeografi. Por, qyqari, kishte harruar plotësisht nga kjo disiplinë, sepse gjithë jetën kishte qenë meshtar në fshatin Bilaj të Fushë-Krujës. Ç’është e vërteta, në universitet kishte dalë shkëlqyeshëm. Ndaj, nja dy prelatë katolikë amerikanë, i ishin qepur me këmbëngulje që t’ia mbushnin mendjen ta merrnin me vetë në vendin e tyre si meshtar. Por, Dom Ndoci nuk kishte pranuar në asnjë mënyrë. Duke përbuzur rehatllëkun e pasurinë e jetës në Amerikë, u kishte thënë amerikanëve se ai e kishte ndarë mendjen: “kishte lindur në Shqipëri e donte të vdiste në Shqipëri, duke i ndihmuar që të ecnin në rrugën e Zotit vetëm bashkëkombësit e vet”!, që nga Gjenova e Bilaj dhe në çdo fshat të vogël e të varfër të vendit të vet. Prifti shqiptar ishte vëllai i një prej pesë heronjve të Vigut, Ndoc Mazit. E kishte vëlla nga nëna, por me babë tjetër. Kështu, dy vëllezër në dy rrugë krejt të ndryshme nga njëra-tjetra: Ndoc Mazi me komunizmin, Ndoc Ndoja me krishtërimin! E, ndërsa Dom Ndoci jetonte në thjeshtësinë dhe varfërinë e një fshati si Bilaj, e ëma në Shkodër, jetonte në shtëpinë e vet, me një pension të mirë që qeveria komuniste e Hoxhës, i’a kishte dhënë si nëna e “Heroit të Popullit”. Kështu, kur u ndalua feja dhe u prishën kishat e xhamitë, prifti i shkretë, tashmë pa asnjë burim jete, kishte marrë me vete librat e shenjtë, makinën që bënte ostjet, kryqin e praruar të kishës, kelshenjtën me temjanin në të dhe ishte strehuar tek e ëma, që ta ndanin bukën bashkë.

Arrestimi i Dom Ndocit

Por, a rrinte Dom Ndoci pa ndjekur shartet e fesë? Në asnjë mënyrë! Kështu, fshehurazi, në një dhomë të shtëpisë së të ëmës, sigurisht, me pëlqimin e plotë të saj, prifti plak tashmë vazhdonte me “çue meshë”, me shoqet besnike të nënës së tij. Por, natyrisht, edhe kjo punë e fshehtë ra në vesh të pushtetit, por Dom Ndocin e kursyen sa kohë që kishte të ëmën gjallë, sepse atë e kishte nxjerrë në tribunë me raste festash vetë diktatori. Pra, sejmenëve të tij shkodranë, s’ua kishte mbajtur gjer atëhere t’ia preknin të birin. Si vdiq e ëma, prifti plak mbeti keq. E, ndërkaq, dikush fshehtas i çonte diçka për të ngrënë. Ndonjë plakë guxonte të shkonte të rrëfehej për mëkatet e saj dhe i çonte diçka në bohçen e saj të fshehur nën xhaketë. Kështu vijonte të rronte edhe prifti “sekret”. Dhe, kur shkonte te varri i së ëmës, sajonte diçka si kryq dhe i’a vinte në krye të varrit. Aktivistët e Frontit, që nuk linin as të vdekurit rehat, i’a zhduknin kryqin. Atëhere Dom Ndoci, ia bënte kryqin nënës mbi varr me guralecë të bardhë, mbledhur në zallin e lumit Kir. Frontistët e prishnin edhe këtë lloj mozaiku, Dom Ndoci e ndreqte përsëri, duke mos reshtur në të njëjtën kohë të çonte meshë e të shpërndante oste. Por, më në fund “zullumi” e mundi dhe Sigurimi i vuri prangat.

Me Dom Ndocin, në burgun e Burrelit

E dënuan me burg dhe, në një ditë të ftohtë dimri, e prunë në burgun e Burrelit, drejt e në dhomën ku ndodhesha unë. Dom Ndoci ishte një burrë i shkurtër, fytyrërrumbullakët, flokëbardhë, me dy sy të ëmbël, ku dilte bukur në shesh mirësia e tij engjëllore. Në asnjë rast nuk e pashë të zemërohej apo të shfaqte shenjën më të vogël të nervozizmit. Përkundrazi, ishte gjithmonë i butë, buzagaz dhe, kur fliste, nuk e ngrinte kurrë zërin. Atij i pëlqente edhe shakaja dhe, kur fliste, nuk e ngrinte kurrë zërin. Atij i pëlqente edhe shakaja dhe, kur ishte rasti për humor, ai qeshte me gjithë shpirt. Me sa duket, ai sikur ishte lindur enkas për t’u bërë njeri i Zotit; i urtë, i bindur, fjalëpake, zë pak, i thjeshtë në çdo gjë, shumë i sjellshëm, mëshirëmadh, i gatshëm në çdo rast të të ndihmonte e të shqetësohej për hallet e tjetrit. Kam njohur nëpër burgje e kamp-burgje shumë lloje njerëzish, por një si ai nuk e kam ndeshur kurrë. Edhe ndër klerikë. Siç kam thënë më parë, At Konradi ishte serioz dhe i ngrysur, gati si dhe Dom Nikolla e At Gegë Luma, me një trup si Dom Ndoci; por ndërsa ai e bënte ferk hijen e malësorit kokoroç, Dom Ndoci ishte, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, tamam “dele e Perëndisë”. Jeta, pa ushtrimin e fesë, për të nuk kishte fare kuptim. Ai vuante në shpirt që nuk e linin ta kryente këtë, sepse e quante detyrën e tij të parë në jetë. Ai jetonte, sikundër më rrëfehej, vetëm për t’i shërbyer kishës, që njerëzit të afroheshin sa më shumë me Zotin. Për të, asgjë tjetër nuk kishte as kuptim dhe as vlera. Dhe jetonte gjithnjë me shpresën se do të vinte prapë një ditë, me gjalljen e tij, kur feja e Krishti do të dilnin përsëri në shesh, të lirë nga çdo pengesë, nga çdo përndjekje. “Derisa feja e Zotit Krisht, qysh në fillimet e saj, fitoi në Romën imperiale, që ishte në kohën e vet një superfuqi, si po thonë sot, nuk ka fije dyshimi se ajo prapë ka me fitue edhe mbi mbrapshtinë e sotme që, si eklipsi i Diellit e ka errësue jetën tonë. Eklipset vijnë e shkojnë, por kisha e Zotit mbetet e ka me mbetë deri sa t’jetë jeta e njerëzimi në planetin tonë”. Por edhe Dom Ndoci, me gjithë shenjtërinë e vet, domosdo, i kishte edhe ca dobësi njerëzore, që për çdo qenie me mendje e shpirt janë të kuptueshme. Kështu atij i pëlqenin gjellët e mira, ndonjë qofte zgare, ndonjë copë proshutë ose ndonjë ëmbëlsirë. Dhe kur unë e ngacmoja në këtë drejtim, ai përcillte pështymën, mblidhte supet e buzëqeshte. S’kishte faj, i shkreti plak. Me atë lëtyrën e burgut, kujt nuk i shkonte mendja te ndonjë kafshatë për të qenë? Por posaçërisht ai vdiste për kafe. Dhe kur qëllonte që unë kisha,- o ma kishin sjellë shtëpia, o ma kishte huajtur ndonjë shok që kishte bërë takim me familjen,- i’a bëja me sy Dom Ndocit, nxirrja filxhanët e xhezven, bëja një flakë me gazetën “Zëri i Popullit”, duke e kthyer këtë në një si tub a pishtar të ndezur dhe e zienim atë çikë kafe, për të cilën na kishte marrë malli fort të dyve: ai si qefli i madh i saj, por edhe unë, për më tepër si duhanxhi i madh. Se, a nuk thotë turku: “Kafja pa duhan, si turku pa imam”?

Çfarë më thoshte Dom Ndoci?

E ngacmoja nga pak Dom Ndocin për punë teologjike, sidomos për trininë e shenjtë. Apo për filozofinë e teoricienëve të mëdhenj të filozofisë kristiane, si kam theksuar më lart, shën Agostinin dhe shën Tomën. Por plaku i shenjtë kishte harruar shumë. Dhe duke më dëgjuar për këtë punë, ai çuditej se si ishte e mundur që i dija punëra të tilla dhe kisha mbetur ende pa u bërë i krishterë. Ishte qartë se ai e perceptonte botën vetëm me një ngjyrë, vetëm nën një flamur, atë të kristianizmit. U ndamë me Dom Ndocin kur unë u lirova dhe e lashë atë në burg. Por ndryshe nga shumë pleq të tjerë, me të cilën nuk pata fatin të takohesha përsëri, tashmë jashtë burgut, pa shiko…! Me Dom Ndocin u takuam prapë, në cep të një lulishteje të Shkodrës, fare rastësisht. U përqafuam me mall e dashuri dhe ai më porositi që të kem kujdes se “komunistat janë shumë të poshtër, ata të fusin prapë në burg, pa bë asnjë faj”! Dhe vërtetë, mua më internuan pas pak, me gjithë familje, për pesë vjet, dhe nuk e pashë më atë plak të mirë”. /Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura