Dëshmitë e panjohura: “Lena Nika dhe Prenushja, dy gratë e gjora të sëmura psikike, të cilat Sigurimit të Shtetit…”/ Rrëfimet e ruses Taisa Batkina Pisha, për bashkëvuajtëset e saj shqiptare

Oct 12, 2021 | 7:39
SHPËRNDAJE

Taisa Batkina Pisha

Pjesa e njëzet e tre

rudPublikohet historia e panjohur të ruses Taisa Batkina (Pisha), me origjinë nga Tula e Rusisë, fëmija e tretë e një familje shumë të varfër fshatare, e cila mbeti jetim që në moshë fare të vogël, pasi i ati humbi jetën gjatë punës në një nga galeritë e qymyrgurit që ndodheshin në rrethinat e Tula-s, ku ai punonte si minator, (pak kohë pasi i kishte shpëtuar arrestimit, i akuzuar për “mbështetje të armiqve të popullit”) dhe ajo u rrit me vështirësi të mëdha ekonomike, pasi qyteti i tyre vazhdonte të ishte nën bombardimin e forcave gjermane, që kishin arritur deri në afërsi të Kurskut. Diplomimi i Taisës në fakultetin e Kimisë, pranë Universitetit ‘Lomonosov’ të Moskës, ku ajo u njoh dhe u martua me studentin shqiptar, Gaqo Pisha, me origjinë nga qyteti i Korçës, i cili asokohe studionte në fakultetin e Filozofisë së Moskës dhe të dy së bashku në vitin 1957, u kthyen në Shqipëri, bashkë me djalin e vogël të porsalindur, Sasha dhe filluan jetën në qytetin e Tiranës, ku Taisa u emërua si pedagoge e Kimisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, ndërsa Gaqo, në katedrën e marksizëm-leninizmit, ku ata punuan deri në vitin 1976, kur Sigurimi i Shtetit me akuza të montuara, e arrestoi Taisa Batkina, duke e akuzuar si “agjente të KGB-së sovjetike” dhe e dënoi me 16 vite burg politik, të cilat ajo i vuajti në “Burgun e grave” në Qytetin “Stalin”, nga ku u lirua në vitin 1986, ndërkohë që bashkëshorti, Gaqo Pisha, kishte ndërruar jetë në vitin 1983, nga një sëmundje e rëndë. Historia tragjike e Taisa Batkina (Pisha), nëpër kampet dhe burgjet çnjerëzore të regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku ajo kaloi një dekadë të jetës së saj, së bashku me shumë bashkatdhetarë nga ish-Bashkimi Sovjetik, apo vende të tjera të Evropës Lindore, vjen nëpërmjet kujtimeve të saja, të botuara në një libër me titull “Shpresuam dhe mbijetuam”, kujtime të cilat, i biri i saj, Aleksandër Pisha, ia ka ofruar me dashamirësi për botim, në Memorie.al.

I’a kushtoj kujtimit të ndritshëm të bashkëshortit tim, GAQO PISHA

Ky është libër kujtimesh. Në të dua të rrëfej për jetën time dhe të shoqeve të mia, grave sovjetike, që provuan burgun për disa vite vetëm sepse morën guximin dhe u martuan e lidhën fatin e tyre me atë te studentëve shqiptarë. Burgu ishte pjesë e GULAG-ut të madh në vendin e vogël ballkanik, Shqipëri, ku për shumë vite sundoi regjimi gjakësor komunist i Enver Hoxhësqë ishte nxënës besnik i Stalinit dhe vazhdues i kauzës së tij.

Nëpërmjet këtij libri do të doja që çdokush të mësonte për provat çnjerëzore që përjetuam ne dhe për vitet e tmerrshme qe kaluam në burgjet shqiptare, vetëm sepse… dashuruam! Dhe që askush dhe kurrë të mos harrojë, ç’është totalitarizmi, despotizmi dhe ç’pasoja sjell me vete ky sistem.

Azize Ferhati

Kur na sollën në kamp, Azizja i kishte bërë 8 vjet nga dënimi i saj, ishte bërë “veterane”. Ajo binte shumë në sy për bukurinë fisnike, me flokë të thinjur, me onde, të qethur me kujdes, tipare të rregullta të fytyrës. Ishte 55 vjeç. Azizja me të gjithë sillej njëlloj, gjithmonë e qetë, me buzë në gaz dhe me ndjenjë të theksuar humori. Gjithmonë e zënë me punë. Ne u miqësuam me të. Nuk i vinte njeri për ta takuar. Gjatë gjithë viteve të burgut, nuk mori një letër, një ndihmë sado të vogël nga jashtë, po e mbajti veten në mënyrë të tillë, sa të gjitha e nderonin dhe e donin, dhe gjithmonë e ndihmonin. Por edhe ajo nuk u mbetej borxh të tjerave, ngrohte ujë për gratë që punonin, gatuante, qepte. Kishte shumë miq. Ishte shpirti i shoqërisë. Edhe me vajzat e reja shoqërohej, ato e quanin me përkëdhelje dhe humor “gjysh”. Dhe vërtet, flokët e shkurtër, të thinjur, hapi i sigurt dhe mirëdashja e përhershme e bënin të ngjante me gjysh të vërtetë. Azizja dinte t’i psikologjiste njerëzit. Që me shikim të parë u bënte karakteristikën grave të ardhura rishtas dhe asnjëherë nuk gabonte. Ndër zbavitjet tona më të zakonshme ishte falli me letra me llumin e kafes. Asnjeri nuk dinte të hidhte fall, por çdo filxhan kafeje kthehej përmbys, pastaj, me filxhan në duar, ne bridhnim dhe luteshim të na e “këndonte” dikush. Ishin disa nga gratë, të cilave u pëlqente të hidhnin fall; ato merrnin filxhanin në duar, bënin sikur mendoheshin dhe na thoshin të njëjtat fjalë: “Do të të vijnë në takim, në shtëpi i ke mirë të gjithë, së shpejti do të lirohesh” etj. Dhe, megjithëse të gjithë e dinin, që ishin fjalë boshe, në shpirt sikur ndiheshim më mirë.

Edhe Azizja “hidhte fall”. Një ditë i vajti Age Paja dhe i zgjati filxhanin: “Më hidh fall”. Azizja hoqi syzet, vështroi me vëmendje brenda në filxhan dhe i tha: “Në prill do të lirohesh, Age, ja ku e ke dokumentin e lirimit të firmosur”. Agia, që i kishte bërë 20 vjet, u largua e kënaqur. Unë u habita dhe i’u ktheva Azizes: “Pse i the se do të lirohej, prilli ja, erdhi”! “S’ka gjë, – m’u përgjigj Azizja, – në mos këtë prill, në tjetrin do të lirohet. Nuk e pe si u lehtësua”? Kur i lutesha unë të ma “këndonte” filxhanin, ajo qeshte dhe më pyeste: “Kërkon të të gënjej? Po mirë! Si të të gënjej? Me syze, apo pa size”? Pranë saj ishte më e lehtë t’i duroje tmerret e burgut. Azizja kurrë nuk e ulte veten para të tjerëve, nuk i lëpihej kujt, nuk trembej nga njeri. Kur mësova historinë e saj, e kuptova se ajo gjithmonë kishte qenë grua trime. Babai i saj, jetim, kishte ikur që i vogël me ca të afërm në Egjipt (në Misir). Atje punoi dhe mësoi. Nusen e kërkoi në Shqipëri, në Gjirokastër. dhe u martua me një vajzë të re shqiptare, të cilën e mori me vete në Egjipt, ku jetuan shumë vite. Në fund të vitit 1938, e gjithë familja, prindërit dhe tre fëmijë, erdhën në Shqipëri për të parë të afërmit e mamasë, ku papritur u sëmur rëndë dhe vdiq babai i saj. Për shkak të luftës, që nisi më 1939-ën, ata nuk ikën dot në Egjipt dhe mbetën në Shqipëri. Atë kohë Azizja ishte 17-18 vjeç dhe shumë shpejt u martua. I shoqi u emërua prefekt i qytetit të Gjirokastrës.

Në vitin 1944, lufta mbaroi në territorin e Shqipërisë. Në pushtet erdhën komunistët. E para gjë që bëri pushteti i ri, ishte pushkatimi pa hetim dhe pa gjyq i të gjithë atyre që kishin qenë kundërshtarë të tij gjatë luftës dhe i atyre, që i konsideruan kundërshtarë të fuqishëm. Në të dalë të qytetit, midis shumë të tjerëve, intelektualë, klerikë, tregtarë, nëpunës etj., u pushkatua edhe burri i Azizes. Autoritetet nuk i lejonin të afërmit t’i varrosnin të vrarët. Bashkë me kunatën, motrën e burrit, natën, Azizja u vodh deri te vendi i pushkatimit, e morën të vrarin dhe e varrosën. Për këtë dhe si bashkëshorte e ish-prefektit, Azizen e çuan në kampin për “armiqtë e popullit”. Armiq shpalleshin thuajse të gjithë ata, që nuk e kishin përkrahur lëvizjen prokomuniste partizane, njerëzit e kamur, si dhe ata që kishin studiuar jashtë shtetit. Midis të internuarve dhe të arrestuarve, kishte edhe patriotë shqiptarë, që kishin luftuar dikur për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, për formimin e shtetit shqiptar. Ata kishin bashkëpunuar me Fan Nolin, patriotin shqiptar, i cili më 1924-ën formoi qeverinë demokratike dhe e shpalli Shqipërinë Republikë Demokratike. Kjo qeveri u rrëzua në fund të vitit 1924 nga Ahmet Zogu, i cili më vonë u vetë shpall Mbret i Shqiptarëve. Pasuesit e Nolit u përndoqën nga Mbreti Zog, u fshehën, ikën jashtë vendit. Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia më 1939-ën dhe dëbimin e Zogut, u krijuan kushte për krijimin e Shqipërisë së madhe, ku përfshiheshin të gjitha tokat e banuara nga shqiptarë.

Në këto kushte, shumë patriotë dhe kundërshtarë të regjimit të Zogut, kthehen në Shqipëri. Kuptohet, ata ishin kundër qeverisë komuniste, e cila hoqi dorë nga ideja e Shqipërisë së Madhe dhe i’u bind kërkesave për t’i kthyer Jugosllavisë tokat e banuara nga shqiptarë. Ndër këta patriotë, ishte edhe i shoqi i Azizes. Azizja kaloi shumë vite në burg. Kur e liruan më në fund, ajo jetoi me të ëmën në Elbasan, ku dhe punonte. Në Shqipëri organet e Sigurimit kurrë nuk falnin apo harronin gjë. Ata nuk i’a falën Azizes, e cila, me shumë guxim, kishte rrëmbyer dhe varrosur burrin e saj të pushkatuar. Në vitin 1969, e arrestuan bashkë me një mik të familjes. Akuza: orvatje për t’u arratisur në Egjipt. Padia ishte qesharake. Si mund të arratiseshin ata në Egjipt, teksa banonin në qendër të Shqipërisë, në Elbasan, në një vend, ku të gjithë gjurmoheshin, ku arratisja ishte thuajse e pamundur?! Mirëpo puna qe kurdisur: “Arratisje në grup”…! Azizen e dënuan me 16 vjet burg. E liruan me amnistinë e vitit 1982. Në burg ndenji 13 vjet…! Ajo doli pa pará, pa të afërm, pa shtëpi. Njerëzit e afërm i detyruan ta mohonin Azizen, nëna plakë, e cila e priti gjithë këto vite, vdiq një vit para se ajo të lirohej, shtëpinë e kishin zënë…! Azizja vazhdimisht më thoshte: “Vetëm falë trukeve të mia (truket ishin optimizmi, energjia, vullneti, ndjenja e humorit), arrita të mbijetoj në burg, pa asnjë qindarkë ndihmë nga jashtë, pa asnjë letër apo kartolinë, duke provuar urinë… pa gjithçka, që ka nevojë njeriu. Veçse Zoti nuk më harroi, gjithmonë më ka ndihmuar”.

Unë e përcolla, kur doli nga burgu. Ndaluam pranë portës; Azizja priste radhën për të dalë. Papritur e thirrën te gardhi i telave me gjemba. Një e njohur e familjes së saj, e liruar tashmë, i zgjati një kartëmonedhë 500-lekëshe: “Merre, ma kthen më vonë”! “Ja, e pe? A nuk të thashë që Zoti nuk më harron?” – më buzëqeshi Azizja. Asaj i dhanë një dhomë konvikti dhe një pension të vogël. Dalëngadalë, sidomos pas vdekjes së Enver Hoxhës, kur në vend u vërejtën disa ndryshime, të afërmit e Azizes filluan ta ndihmonin nga pak, duke u përpjekur ta mbanin të fshehtë, që ajo kishte qenë në burg dhe që ata nuk komunikonin me të. Pas rënies së regjimit komunist, Azizja, si shumë ish-të burgosur politikë, përfitoi kompensim për vitet e burgut, i dhanë apartament. Jeton vetëm. Por ka shumë miq dhe të afërm, të cilët e duan dhe e përkrahin. Dua të them dy fjalë edhe për një dukuri tjetër, më saktë, për metodat e punës të organeve të Sigurimit. Për t’i dhënë më shumë rëndësi punës së vet, për të treguar që armiq ka kudo dhe organet e lavdishme të Sigurimit luftojnë, i kapin armiqtë, përhapeshin fjalë për krime, që nuk ishin kryer ndonjëherë. Këto krime ua ngarkonin njerëzve të pafajshëm. Organet kishin revistën e tyre “Në shërbim të popullit”, ku përshkruheshin krimet e tmerrshme, që kryenin armiqtë e pabesë. Në këto shkrime, fakt ishte vetëm arrestimi, të gjitha të tjerat… trillime, por lexuesit besonin, kërkonin midis të arrestuarve njerëzit më të përshtatshëm dhe i ngarkonin atyre krimet e sajuara nga organet e Sigurimit. Kështu ndodhi edhe në rastin e Azizes. Pas arrestimit të saj, në qytetin ku të gjithë e njihnin dhe e respektonin dhe nuk i besonin fjalët për arratisje, nxorën fjalë sikur ajo bënte pjesë në grupin që deshi të helmonte ujin e qytetit, se gjoja kishin hedhur helm në puse dhe rezervuare. Shpesh ndodhte që vajzat e dënuara ordinere, që vinin nga qyteti i Elbasanit, e pyetnin Azizen: “Ti je ajo, që deshi të helmonte ujin në qytet?” Azizja qeshte dhe ua kthente: “Sigurisht, e kush tjetër?” Kur një ditë unë u revoltova dhe e pyeta: përse nuk i kundërshton, ajo m’u përgjigj me buzën në gaz: “Ç’mund t’u them budallenjve, që ua kanë bërë mendjen çorap”?!

Lena Nikaj, “gjyshja me barrë”

Ja dhe një histori tjetër. Në revistën “Në shërbim të popullit”, u botua një tregim për spiunen dinake dhe të pabesë, të dërguar në Shqipëri nga italianët. Një ditë këtë spiunen italiane, na e sollën në kamp (datën nuk e mbaj mend, duhet të ketë qenë aty nga viti 1979). Ishte një grua e moshuar, shumë e shëndoshë, e shkurtër dhe e veshur mirë. E quanin Lena Nikaj. Më vonë ne nisëm ta quanim në mes nesh “gjyshja me barrë”. Gjatë pushtimit italian të Shqipërisë, Lena, katolike nga veriu i Shqipërisë, u martua me një italian dhe iku në Itali. Por jeta nuk i shkoi mbarë, burri e la dhe ajo shumë vite jetoi vetëm, pa familje, sepse fëmijë nuk patën. Me sa duket, vetmia, dëshira e madhe për të pasur një fëmijë, u bënë shkak të sëmundjes së saj psikike “barrë imagjinare”. I dukej sikur ishte shtatzënë, që do të kishte një fëmijë. Kur i kaloi të pesëdhjetat, krijoi familje me një burrë të moshuar, që kishte nevojë për përkujdesje. Por ajo mendonte vetëm për fëmijën e saj imagjinar. Në mendjen e saj të sëmurë, lindi ideja, se në atdheun e saj, në Shqipëri, me siguri do të bëhej me fëmijë. Në Shqipëri, në qytetin e Lushnjës, jetonte vëllai i saj. Lena u kthye dhe vajti tek ai. Brodhi nëpër mjekë, u lutej ta ndihmonin të lindtë, mësoi ku ndodheshin vendet e shenjta, vajti atje, u lut. Për organet shqiptare të Sigurimit, Lena ishte “thelë e majme”. Ishte tamam koha e përndjekjeve të mëdha, mesi i viteve ’70-të. Duke arrestuar Lenën, rrethi i Lushnjes realizonte planin e zbulimit të armiqve të popullit. I dërgojnë një djalë, i cili me shumë mirësjellje e shoqëroi nëpër vendet e shenjta, manastiret e dikurshme. Një ditë të bukur Lenën e arrestuan. Akuza fillestare… propagandë fetare. Gjatë hetimit, atë u përpoqën t’a bënin ‘spiune italiane’, por Lena vetëm qante, nuk kuptonte se ç’bëhej, kërkonte t’i sillnin një mami, që ta ndihmonte për të lindur. Pasi nuk arritën gjë, Lenën e gjykuan, duke e paditur për agjitacion e propagandë dhe i dhanë 10 vjet burgim.

Ajo ishte vërtet e sëmurë, jonormale nga ana mendore. Në tërësi sillej e qetë, gjatë gjithë ditë ziente diçka, hante. Rrallëherë tregohej agresive, u sulej të rejave, i kapte për fyti dhe u thoshte: “Ti ma more burrin, por unë nuk ta lë! Unë do të bëhem me djalë”! Të tjerët ndërhynin, e tërhiqnin, e qetësonin. Ajo u fliste të gjithëve për fëmijën e saj, u tregonte pelenat e palosura me kujdes në valixhe, ankohej për mjekët, që nuk donin ta ndihmonin të lindte prej kaq vitesh. Çdo mbrëmje, ndalur në cep të tualetit, sikur i tregonte të shoqit në italisht, çfarë i jepnin për të ngrënë në burg dhe si silleshin me të. Silleshin keq, e vinin në lojë, e përqeshnin, e vidhnin. Ajo nuk deshi të shoqërohej më me gratë dhe shpesh vinte qahej te ne. Lena merrte rregullisht pension nga Italia, madje edhe kur ishte në burg. Nuk e di vlerën e këtij pensioni në Itali, por në Shqipëri quheshin pará e madhe. Lena ishte njeri shpirtmirë dhe i ndihmonte më të varfrit. Kishte shtetësi italiane dhe, si e huaj, merrte ushqim të veçantë. Në llogarinë e saj, qe mbledhur një shumë e mirë të hollash. Kur Lenën e liruan me amnistinë e vitit 1982, drejtoria e burgut, kishte frikë ta lëshonte me një shumë të madhe me vete. Me amnistinë liroheshin edhe shumë ordinere, të gjitha e dinin se Lena kishte pará me vete dhe mund ta grabitnin rrugës. U vendos ta nisnin të nesërmen me makinën që shkonte në Lushnjë. Lirimi i të falurve përfundoi, të gjitha gratë u larguan, mbeti vetëm Lena. I thanë se do të dilte nesër. Ajo nuk i besoi, zuri të qajë, nuk largohej nga telat, nga porta.

Ne përpiqeshim t’i mbushnim mendjen të vinte në dhomë, por ajo qante dhe përmes lotëve, tregonte: “Ata nuk do të më lëshojnë, ata gjithmonë gënjejnë, gjithmonë. Ja, kështu, me gënjeshtra më arrestuan. Unë desha të ikja në Itali, e kuptova që edhe mjekët shqiptarë nuk më ndihmojnë dot të lind një fëmijë, kërkova të më lejonin të kthehesha, por nuk ma dhanë lejen. Një ditë erdhën, më thanë të mbledh të gjitha plaçkat e mia, se do më çonin në aeroport, por në vend të aeroportit më futën në burg. Edhe tani nuk do të më lëshojnë”! Lena gjithë natës nuk mbylli sy, qante, nuk besonte që do ta lironin. Në mëngjes e liruan dhe e çuan tek i vëllai. Ajo vazhdoi edhe për shumë kohë përpjekjet për t’u kthyer në Itali, por më duket, se mundi të ikte vetëm disa vite më vonë. Tek e kundroja Lenën, mendoja sa çnjerëzor duhet të jesh, që të fusësh në burg një njeri të tillë të sëmurë. Ajo duhej kuruar, e kishte vendin në spital jo në burg. Në kamp kishte jo pak thjesht të çmendura, që duheshin shtruar në Spitalin Psikiatrik, jo të mbaheshin në burg. Por drejtësia shqiptare, as donte të dinte për shëndetin e të dënuarve. Gjykoheshin edhe të çmendurit, gratë shtatzëna dhe të sëmurët. Mbaj mend një grua, që bridhte vazhdimisht me një sënduk në shpinë dhe diçka këlthiste. Më thanë se nuk ishte hera e parë që futej në burg. Ishte jo normale nga mendja, prandaj ia kishin hequr të drejtën e amësisë. Ajo kërkonte t’i kthenin fëmijët, kanosej. Prandaj e futnin në burg. Sa herë dilte jashtë, i shkonte kryetarit të këshillit të fshatit, e kërcënonte dhe i kërkonte t’i kthenin fëmijët. Prandaj sërish e arrestonin dhe e sillnin në kamp. Jo në spital, jo për ta kuruar, por në burg! E lironin dhe gjithçka përsëritej nga e para!

Prenushia

Në korpusin tonë të “politikëve” kishim edhe një person interesant, Prenushe e quanin, shkurt Nushi. Grua fatkeqe, e varfër, e çmendur. Kishte pasur jetë shumë të rëndë. Vitet e fundit kishte jetuar në Tiranë me të dy fëmijët. Punonte pastruese rrugësh. Një natë i kaloi pranë me shpejtësi të madhe dhe për pak e preku, një veturë me targa diplomatike. Në mendjen e sëmurë të Nushit, lindi ideja dhe plani i hakmarrjes. Diku, jo fort larg vendit të saj të punës, ishte një shtëpi, ku banonin punonjës të ambasadave dhe para shtëpisë kishte vendqëndrim të makinave. Nushi i mori borxh gjitones një thikë të mprehtë dhe natën u vodh pranë makinave dhe çau gomat e disa prej tyre. Natën tjetër bëri të njëjtën gjë. Nushi ishte grua e dobët, e imët, e shkathët dhe sillej rrotull makinave pa rënë në sy. U bë skandal i zhurmshëm diplomatik. Natën e tretë, Nushin e kapën. Kur e pyeta Nushin në kamp, pasi kishim bërë disa vite burg bashkë, përse e bëri këtë, ajo u përgjigj: “Ata deshën të më shtypnin, janë të gjithë të huaj, armiq…! Bukur ua mora hakun, ëëë…?! Si çaheshin gomat… fap, fap, fap! Bukur, ëëë”? E gjitha ko ishte thjesht tekë rrugaçërie e një gruaje të çmendur, mirëpo çështjes i dhanë ngjyra politike. Kur e merrnin në pyetje, Nushit i kërkonin të tregonte bashkëpunëtorët, nxitësit. Ajo përmendi të gjithë njerëzit e saj të afërt, fqinjët, të njohurit. Të gjithë u arrestuan, u morën në pyetje. Shumicën i liruan menjëherë. Vajza, fqinja, ku Nushi kishte marrë thikën, u arrestua dhe bëri disa muaj burg. E, meqë thika qe bërë me dorë, në burg futën edhe të njohurin e saj që e kishte punuar. Ai ndenji brenda më shumë se një vit. Deshën të formonin një grup terrorist! (Në këtë temë në Shqipëri është botuar një roman “Thikat”).

Nuk e di përse, ndoshta ngaqë e çmendura Nushi nuk ishte e përshtatshme për këtë rol, grupin terrorist nuk e formuan. Por kjo nuk i pengoi ta dënonin Nushin me… 14 vjet burg, duke i veshur disa nene politike. Kësisoj, gruaja e gjorë, në vend të Spitalit Psikiatrik, e pa veten me ne, në burg! Nuk jam mjeke, por të gjithave na dukej se ajo shfaqte shenja të histerisë dhe skizofrenisë. Shpesh bëhej agresive, rrëmbente ndonjë hu, vraponte nëpër kamp dhe shkatërronte ç’t’i dilte përpara. I pëlqente të thyente dhe të prishte, muret e sapo lyera me gëlqere i bënte gjithë njolla, në kanalet e shkarkimit të ujërave, hidhte shishe, lecka, shkelte me këmbë të gjitha lulet tona, pastaj shtrihej në shtrat dhe nuk e ngrinte kokën. Në atë kohë drejtori ynë i mirë doli në pension dhe në vend të tij erdhi një zullap, që na e bëri jetën edhe më të padurueshme. Ai nuk donte të dinte për lulet, prehja jonë e vetme, apo për mirëmbajtjen e kampit. Edhe ai, edhe disa nga ekipi i tij, e kishin bërë zakon ta thërrisnin Nushin tek telat dhe të talleshin me të. Të gjitha grave u vinte keq për Nushin, përpiqeshin ta ndihmonin, i jepnin ndonjë rrobë, pak ushqim, cigare. Të gjitha rrobat ajo i shqyente, pastaj sajonte ca biçim kostumesh të çuditshme, duke u shndërruar herë në indiane, herë në kineze, herë në zezake. Dukej qartë se Nushi ishte e sëmurë rëndë. Por askush nuk e çante kokën për ta kuruar, boll që s’ishte në rrezik vdekjeje, ndërsa, po t’i kalonte kufijtë e lejuar, sipas tyre, e fusnin në birucë! Kurse ajo kishte nevojë për t’u kuruar në spital. Ja, kështu i trajtonin njerëzit në Shqipëri. Nganjëherë Nushit i vinin në takim fëmijët, i biri shërbente në ushtri. Në fillim, kur e arrestuan nënën, ata i internuan, u morën shtëpinë, por më pas i mëshiruan dhe i kthyen në shtëpi. Nushi u lirua me amnistinë e vitit 1986. U kthye në shtëpi. Pas njëfarë kohe e zuri sërish kriza, ajo theu dhe grisi gjithçka në shtëpi. Dhe sërish nuk e kuruan, nuk e izoluan në spital. E kujt i duhej Nushi? Ajo u desh dikur vetëm për të sajuar çështjen, pastaj nuk i ra ndërmend njeriu për të. /Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura