Dëshmitarët okularë, akuza Policisë për presion dhe manipulim të dëshmive. Nisin verifikimet për pronat e Arjan Tases, dyshime që skafi përdorej për trafik droge

Aug 5, 2022 | 11:54
SHPËRNDAJE

NIKOLETA KOVAÇI/ Kur kanë kaluar më shumë se 48 orë nga ngjarja që shokoi opinionin publik, e vetmja e dhënë zyrtare që ka dalë nga hetimet e ngjarjes është një tentativë e Prokurorisë së Vlorës për të ndryshuar akuzën që ka ngritur Policia për kolegun e vet.

Edhe pse deri në momentin që do të dalë në Gjykatë, Arjan Tase, 38-vjeçari që drejtonte sektorin e Policimit në Komunitet në Drejtorinë e Policisë Elbasan, ende nuk dihet se cila do të jetë akuza konkrete që do t‘i faturohet aktit të tmerrshëm që i mori jetën Jonadës, 7 vjeçe.

Sipas të dhënave, bëhet me dije se prokurorja e çështjes ka referuar në Gjykatë aktet për “Vrasje me dashje” për Arjan Tasen, ndonëse ende nuk dihet nëse do të jetë ajo akuza përfundimtare.

Po ndërkohë që Prokuroria po punon për të saktësuar veprën penale që mund t‘i referohet ngjarjes së 2 gushtit në Potam të Himarës, detaje të tjera kanë dalë në dritë në lidhje me dyshimet mbi aktivitetet e të riut që ka drejtuar komisariate dhe sektorë të rëndësishëm në Policinë e Shtetit.

Janë të dhëna të shumta që vijnë në lidhje me pronësinë dhe bashkëpronësinë e skafit, mjetit që i mori jetën vogëlushes në bregun e detit, ndërkohë që ditën e djeshme informacione të ndryshme ka treguar se komisari i policisë që u arrestua nën akuzën e vrasjes nga pakujdesia, formuluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore zotëron edhe një pronë në Himarë në një vlerë marramendëse.

Po ashtu, bëhet me dije se skafi që ishte në emrin e Adhurim Kushit nga Elbasani, një personi me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e grabitjeve të automjeteve, të jetë i Tases dhe jo i Kushit. Ky i fundit dyshohet që e përdori Kushin si mburojë për pronësinë e mjetit të fuqishëm ujor.

HETIMET QË NUK DIHET NËSE JANË KRYER

Prokuroria e Vlorës pretendon se ka mundur të mbledh prova dhe dëshmi që faktojnë vrasjen me dashje të kryer nga ana e komisarit të Policisë që pas arrestimit është edhe shkarkuar me urdhër të Gledis Nanos, kreut të Policisë së Shtetit.

Sipas të dhënave, prokuroria ka mundur të dokumentojë dëshmi të dëshmitarëve okularë, të cilët hedhin poshtë të gjithë mekanizmin e sjellë në dosje nga Policia, e cila iu ka referuar dëshmisë së dhënë nga shkaktari i tragjedisë.

Ata kanë treguar detaje rrëqethëse të momentit të manovrës dhe të reagimit të vetë komisarit kur është lajmëruar se ka vrarë një njeri. Por referuar burimeve konfidenciale, janë të shumtë dëshmitarët që i kanë thënë prokurorisë së kanë dëshmuar nën presionin e Policisë dhe se kjo e fundit nuk ka mbajtur në procesverbal rrëfimet e tyre.

Kështu, dëshmitarët i kanë treguar prokurorisë fakte të manipulimit të dëshmisë së tyre, por prokuroria ende nuk ka hetuar për këtë pjesë.

Madje bëhet me dije se Prokuroria e Vlorës ende nuk ka hapur pamjet e ndërtesës që gjendet në afërsi të vendit të ngjarjes për të zbardhur gjithë të vërtetën e atij momenti final, e për pasojë, ende nuk dihet se kush ishin personat që Tase mori në breg dhe tentoi të largohej me atë veprim vrasës.

Prokuroria mësohet se e ka kundërshtuar versionin e Tases se mjeti ka pësuar defekt, ndonëse ende nuk dihet nëse ai mjet është marrë dhe sekuestruar nga  Prokuroria apo qëndron në duart e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, të cilët kryen veprimet e para në vendin e ngjarjes.

“Autori ishte gjakftohtë edhe kur pa që kishte vrarë një njeri”

Policia ka marrë mbi 20 dëshmi që lidhen me momentin fatal të vrasjes së vogëlushes Jonada Avdia.

Ndonëse dëshmitarët kanë akuzuar Policinë për manipulim dëshmish, kanë qenë persona që nuk kanë dëshmuar për Policinë, por kanë pranuar ta rrëfejnë ngjarjen ashtu siç e kanë parë.

Një prej pushuesve, i cili ka qenë i ulur në kafenenë e hotelit që shpresohet të ketë filmuar edhe aktin e rëndë, ka hedhur poshtë faktin që mjeti ka pësuar defekt. Ai pretendon dhe madje është i gatshëm të dëshmojë edhe në prokurori se personi që drejtonte mjetin, ishte jo vetëm arrogant, por madje ka tentuar të largohet me gjakftohtësi edhe pse ka parë që deti ishte bërë i kuq.

Ndonëse këtë fakt e ka mohuar vetë shefi i Policisë, i cili ka thënë se ka qenë i tronditur dhe ka dashur të mbrohet, por jo që ka ikur dhe as që ka pasur ndërmend të ikte.

Por dëshmitari këmbëngul publikisht se ai jo vetëm që nuk zbriti në tokë t’u jepte ndihmë familjarëve dhe njerëzve të shumtë që u afruan aty, por deshi të rinisej, ndonëse pushuesit ia kapën mjetin dhe ia ndaluan aty.

Sipas të dhënave dhe në mbështetje të dëshmisë së këtij të riu, që e ka parë ngjarjen nga fillimi e deri në fund, janë edhe dëshmi të tjera që tregojnë se qytetarët e Himarës kanë këmbëngulur fort që vendi i ngjarjes të mbetej i prekur deri në ardhjen e Policisë dhe të Prokurorisë.

Ata pretendojnë se kanë ende prova dhe fakte të padorëzuara nga vendi i ngjarjes, pasi e kanë gjithçka të filmuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura