Dëshmia, fjalët e ish të dashurit të gruas që i vodhi burrit 10 milion lekë

Sep 3, 2015 | 22:35
SHPËRNDAJE

Gjykata e Sarandës la në burg dje çiftin e ish-të dashurve, të cilët akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur 10 milionë lekë të vjetër në banesën e bashkëshortit të 24-vjeçares, Lorena Arapi. 

Lorena Arapi, dje në sallën e gjyqit
Lorena Arapi,
dje në sallën e gjyqit
Por bërja “rrush e kumbulla” e kësaj shume është konsideruar si absurde që të quhet vepër penale nga ana e 28- vjeçarit beratas, Adiol Çifliku. Në emër të tij ka folur avokati mbrojtës, i cili ka kërkuar lirimin e klientit, duke argumentuar se nëse ai ka pranuar paratë e të dashurës së tij, Lorena Arapi, kjo nuk do të thotë se ai i ka vjedhur ato.

Në orën 10:00 të ditës së djeshme është paraqitur në gjykatë fillimisht Adiol Çifliku. I riu me profesion jurist, nga Lapardhaja e Beratit, nuk ka pranuar të flasë, por ka kërkuar mbrojtje nga avokati Kiço Milo.

Mbrojtja ka kërkuar cilësimin të paligjshëm të ndalimit të klientit të tij, ndalim, sipas tij, i kryer për një ngjarje të tre viteve më parë dhe jo me urdhër të prokurorit. Avokati Milo e ka quajtur të pafajshëm klientin e tij, pasi ai nuk ka hyrë në banesën e familjes Arapi kurrsesi.

“Nëse klienti im ka pranuar që ka marrë lekë nga Lorena dhe i ka harxhuar në kazino apo ku di unë se ku, kjo nuk do të thotë që ka vjedhur”, u shpreh mbrojtja. Ndërkohë, prokurori Ilir Hoxha është shprehur se më 9 nëntor 2012 është vjedhur banesa e shtetasit Skënder Arapi, ku është konstatuar mungesa e një shume prej 1 milion lekësh të reja, shumë të cilën familjarët e kishin vendosur në një çantë dhe të sistemuar poshtë një divani.

Në datën 29 gusht 2015, pasi janë rifilluar hetimet, janë marrë deklarimet nga shtetasja Lorena Arapi, e cila ka pranuar autorësinë. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe një ditë më pas në prani të mbrojtësit të saj, ku është pyetur me cilësinë e shtetases ndaj së cilës zhvillohen hetimet.

Për këto fakte ka dhënë shpjegime edhe i ndaluari Adiol Çifliku, i cili po në datën 30 gusht 2015, në prani të mbrojtësit të zgjedhur prej tij, është pyetur me cilësinë e shtetasit ndaj të cilit zhvillohen hetimet, duke konfirmuar ngjarjen.

Për këtë prokurori Hoxha ka kërkuar vleftësimin të ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” deri në përfundim të hetimeve. Në fund të seancës, gjyqtarja Ketra Bajrami ka pranuar kërkesat e prokurorit, duke lënë në burg të dyshuarin Çifliku.

Në orën 11:00 është paraqitur në gjykatë e dyshuara Lorena Arapi. 24-vjeçarja nuk ka pranuar të flasë, por ka kërkuar mbrojtje nga gjykata, e cila ka caktuar Merdan Norën si avokat kryesisht.

Avokati Nora ka kërkuar një masë të butë sigurie për klienten e tij, pasi ajo është nënë e dy fëmijëve, më i vogli prej të cilëve dy vjeç, të cilin ajo e ushqen me gji. Sipas avokatit, Lorena ka pranuar vjedhjen, por jo 10 milionë, një shumë më të vogël.

Kjo është kundërshtuar nga prokurori, sipas të cilit 24-vjeçarja nga Berati, jo vetëm që ka pranuar vjedhjen e 10 milionë lekëve, por është shprehur se ka marrë disa herë edhe shuma të tjera.

Prokurori ka kërkuar vlerësimin të ligjshëm të ndalimit të Lorena Arapit dhe caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”. Në përfundim të seancës, gjyqtarja Ketra Bajrami ka pranuar kërkesën e akuzës, duke lënë në burg 24- vjeçaren, deri në përfundim të hetimeve.

SHPRESA DINE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura