Dëshmia/ “Feçor Shehu na turpëroi, përdhunoi vajzën e mikut që i shkuam mysafirë”

Apr 29, 2016 | 18:11
SHPËRNDAJE

Në morinë e dëshmive që denoncojnë Feçor Shehun, ishkreun e Sigurimit të regjimit komunist, për sjelljet perverse me femrat, ajo e Ismail Pepës, ish-punonjës i Degës së Brendshme të Shkodrës, është sa tronditëse, aq dhe çnjerëzore.

Fecor Shehu ne gjyq
Fecor Shehu ne gjyq

“Kemi qenë një natë mysafirë në Velipojë, te një miku i Feçorit, pohon ish-operativi. Pasi hëngrëm darkë, ai u mbyll fshehtas në njërën nga dhomat e kullës dhe përdhunoi vajzën e shtëpisë”.

I tmerruar nga pamjet që ka parë nga afër, Ismail Pepa shton se aty për aty nuk u ka besuar syve dhe ka menduar për një veprim të turpshëm nën efektin e alkoolit, por kur ka parë vizitat e shpeshta të ministrit në shtëpinë e mikut në Velipojë dhe ndërhyrjen e tij për ta martuar vajzën e përdhunuar me një zyrtar në Lezhë, është bindur për vesin e eprorit të lartë dhe ka vendosur ta denoncojë te Partia. Po çfarë thotë tjetër në dëshminë e tij ishzyrtari i Sigurimit dhe si është pritur denoncimi në adresë të Feçor Shehut…

DËSHMIA

Qysh nga janari i vitit 1949 kam filluar punë në Degën e Punëve të Brendshme Shkodër. Për një kohë të gjatë prej 18 vite kam punuar në zonën e Velipojës, duke përfshirë dhe Bregun e Bunës. Në këtë zonë kam qenë punëtor operativ.

faksi2Feçor Shehun e kam njohur kur ky ka ardhur kryetar i Degës së Brendshme në Shkodër. Ka qenë njeri prepotent, arrogant dhe imoral. Me të kam bërë edhe jetën e partisë, por dua të them se ai nuk e përfillte partinë, organizatën bazë dhe asnjeri tjetër. Në një rast kemi shkuar për darkë në Velipojë te Luigj P.

Pasi hëngrëm darkë, Feçori ngrihet, gjoja për të shkuar në banjë, por meqenëse po vonohej shumë, unë dola dhe pyeta gruan e Luigjit, të quajturën M., se ku është Feçori. Ajo më tha se është në dhomën e fjetjes.

Unë hapa derën dhe pashë se Feçori ishte shtrirë në krevat dhe aty po rrinte vajza e M., e cila ishte arsimtare në atë kohë në Velipojë, sot e martuar në ishull të Lezhës. Unë menjëherë u thashë më falni dhe dola nga dhoma, por me vetvete dyshova për imoralitetet, sepse pashë që ajo vajza ishte bërë flakë e kuqe nga fytyra.

Dua të shpjegoj se M. ka qenë e martuar më parë me djalin e K., i pushkatuar si agjent i UDB-së. Pasi është martuar me Luigjin, ka marrë me vete edhe këtë vajzë me burrin e parë.

Dua të shtoj se kur është martuar kjo vajzë, ka ardhur nga Tirana edhe Feçor Shehu. Pasi më takoi mua, më tha se dua të shkojmë në dasmë te Luigji, se i kishte dhënë fjalën që kur të martonte vajzën, do t’i shkonte në dasmë.

Unë, duke ditur rrethin e tij, i them se nuk bën të shkojmë sepse atje mund të kenë ardhur edhe njerëz me përbërje jo të mirë, sepse Luigji ka një rreth të gjerë.

Atëherë kam shkuar unë për të verifikuar se kush ishte në shtëpi dhe pasi pyeta Luigjin nëse kishte njerëz në shtëpi, ai më thotë se sot nuk kam, po nesër kam njoftuar. I them se do të vijë Feçori, po bëhu gati. Kemi shkuar, kam dhënë peshqeshin për vajzën dhe pasi hëngrëm edhe drekë, kemi ik.

AFRIM IMAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura