Dëshmia e 24-vjeçares: Shkova me të dashurin në Greqi, më shfrytëzuan prostitutë. Denoncova sapo shpëtova nga vetëhelmimi

Aug 2, 2015 | 12:25
SHPËRNDAJE

Dëshmia e një vajze të re të shfrytëzuar si prostitutë për dy muaj në Greqi la në burg dje katër të akuzuarit si tutorë e shfrytëzues të saj.

Te arrestuarit e operacionit 'Diva'
Te arrestuarit e operacionit ‘Diva’
Gjykata e Krimeve të Rënda la në burg pa afat katër personat e arrestuar pak ditë më parë me akuzën e trafikimit e shfrytëzimit për prostitucion në Greqi të një 24-vjeçareje nga Patosi. Në ora 11:00 e ditës së djeshme, të dyshuarit Anduel Kodra 22 vjeç, Amaris Kodra 22 vjeç, Rrahman Sufa 20 vjeç dhe Endri Rustemi 45 vjeç, dolën para Gjykatës së Krimeve të Rënda për caktimin e masës së sigurisë.

Prokurorja e çështjes kërkoi për katër të akuzuarit caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për veprën penale “trafikimi i personave të rritur”.

Në seancën e djeshme mësohet se të arrestuarit kanë mbajtur qëndrim mohues në lidhje me akuzën, duke kërkuar përmes avokatëve masa më të lehta sigurie ndaj tyre. Gjykata, megjithatë pranoi kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për t’i mbajtur në burg katër të akuzuarit që kanë trafikuar e shfrytëzuar në Greqi 24-vjeçaren nga Patosi.

Sipas të dhënave që Prokuroria paraqiti në Gjykatë, 24-vjeçarja e dëmtuar ka pasur një lidhje intime me njërin nga të arrestuarit, Rrahman Sufa. Organi i akuzës tha se përmes këtij personi, grupi kriminal i akuzuar për ngjarjen ka arritur ta mashtrojë vajzën 24-vjeçare dhe ta bëjë që të shkonte në Greqi me dëshirën e saj, pasi mendonte se do të punësohej e të jetonte me partnerin e saj. E nxitur nga gjendja jo e mirë ekonomike, për vendimin e saj ajo kishte njoftuar edhe prindërit.

Prova kryesore që Prokuroria paraqiti në seancën e djeshme ishte dëshmia e vajzës nga Patosi dhe thëniet e prindërve të saj. Vajza ishte shprehur në hetimet paraprake se ka mbërritur në Greqi më 24 maj dhe bashkë me të dashurin është vendosur në ishullin Kos.

Natën e parë vajza ka thënë se punoi kameriere në një lokal, por pas mesnatës, filloi shfrytëzimi i saj si prostitutë pasi iu kërkua të shkonte me klientë të cilët ia siguronin shtetasit Amaris Kodra dhe personat me iniciale E. F. e B. D. I dashuri i saj ndërkohë ishte larguar që të nesërmen në drejtim të Athinës.

Vajza ka pohuar se është mbajtur për rreth dy muaj në ishullin Kos, duke u shfrytëzuar si prostitutë, ndërsa ka arritur të shpëtojë vetëm pasi piu lëndë helmuese dhe përfundoi në spital.

Pasi ka marrë mjekim, ajo përmes telefonit njoftoi prindërit e saj në Shqipëri, të cilëve u kërkoi të bënin denoncim në Polici në lidhje me ngjarjen. Vajza ka thënë se merrte rreth 100 euro për çdo klient, ndërsa paratë ia merrnin shokët e të dashurit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura