Dëshmia e pronarit të 4 farmacive fantazmë: Paratë i harxhova në bixhoz

Aug 4, 2015 | 12:24
SHPËRNDAJE

Një pjesë e konsiderueshme e parave të vjedhura nga skema e rimbursimit të ilaçeve pretendohet se janë shpenzuar nga përfituesi në lojëra fati.

Një nga personat kryesorë të arrestuar më 5 qershor 2015 për skandalin e rimbursimit të ilaçeve, Hysni Roçi, administrator i katër farmacive fantazmë që kanë tërhequr paratë nga buxheti i shtetit, thotë se paratë e fituara i ka shpenzuar në lojëra fati.

I arrestuari për skandalin e rimbursimit të ilaçeve ka dëshmuar për Prokurorinë se të gjitha shumat financiare të përfituara i ka shpenzuar në loto dhe në kazino në zonën e Lezhës e të Laçit. 

Foto ilustruese
Foto ilustruese
I pyetur në cilësinë e të pandehurit për falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe mashtrim, Roçi ka thënë se në disa raste u kishte mbetur borxh pronarëve të kazinove në Lezhë e në Laç dhe është kërcënuar prej tyre për të dorëzuar paratë, pasi kishte humbur në lojë shuma të mëdha.

Pas deklarimit të dhënë nga Hysni Roçi, i cili ka pranuar akuzën dhe ka dhënë shpjegime për abuzimin me faturat fiktive, Prokuroria ka thënë se do të verifikojë vërtetësinë e këtyre deklarimeve në kazinotë dhe në lotot që Roçi pretendon se ka frekuentuar.

“Paratë që kam fituar i kam shpenzuar duke luajtur”, mësohet të ketë thënë Hysni Roçi. Ai u ka sqaruar hetuesve se ka pasur detyrime të mëdha financiare në lojërat e fatit dhe se vitin e fundit ka pasur edhe një incident me pronarët e tyre. I akuzuari ka shpjeguar se kishte luajtur dhe kishte humbur shuma të mëdha, të cilat ishte detyruar t’i paguante më vonë, pasi ishte mbajtur peng nga pronarët e lojërave të fatit.

“FARMACIA PENG”
Hysni Roçi ka në pronësi të tij një farmaci në Tiranë, pranë Spitalit të Fëmijëve. Pasi kishte luajtur bixhoz dhe kishte humbur paratë, ai ishte mbajtur peng nga pronarët e kazinove në Laç. Gjatë dëshmisë së tij i arrestuari ka thënë se ishte detyruar të linte peng farmacinë pranë Spitalit të Fëmijëve në Tiranë, derisa ka arritur të shlyente borxhet.

I akuzuari për mashtrim e falsifikim dokumentesh ka treguar se në momentin kur Drejtoria e Fondit të Rimbursimit të Tiranës ka kaluar në llogaritë e tij bankare paratë e ilaçeve, ai i ka tërhequr ato dhe i ka dorëzuar te pronarët e kazinove në Laç. Vetëm pas këtij momenti, i arrestuari ka pretenduar se ka marrë mbrapsht farmacinë e lënë peng nga borxhet e krijuara si pasojë e lojës në bixhoz.

SKANDALI I ILAÇEVE
Hysni Roçi kishte në pronësi një farmaci pranë Spitalit të Fëmijëve, ndërsa fiktivisht kishte krijuar edhe katër subjekte të tjera farmaceutike që nuk kanë qarkulluar asnjë medikament, megjithëse kanë lëshuar fatura me vlerë rimbursimi 55.941.901 lekë. Ky procedim është regjistruar mbi bazën e kallëzimit të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Objekti i kallëzimit ka të bëjë me rimbursimin e çmimeve të medikamenteve mjekësore, për sa u përket recetave të ekzekutuara pranë katër subjekteve farmaceutike, të cilat janë: Farmacia “Lundër”, “Nutrimed 2012”, “Berzhitë” dhe “Adelina”. Referuar materialit kallëzues, rezulton se gjatë periudhës shtator 2014– mars 2015 është konstatuar se këto katër subjekte farmaceutike kishin luhatje të mëdha në vlerat e rimbursimit nga njëri muaj në tjetrin.

Shuma totale për këto katër subjekte është në vlerën 55.941.901 lekë. Prokuroria e ka shtrirë hetimin në Elbasan, Durrës, Fier dhe në Vlorë, pas të dhënave se skema e vendosur në zbatim në mënyrë abuzive në Tiranë ka funksionuar prej kohësh edhe në këto qytete.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura