Dëshmia e plotë mes lotësh/ “Pa Tashën time s’e dua më jetën. Dua të vras veten”

Aug 22, 2017 | 13:12
SHPËRNDAJE

Tajar Kazanxhi, 70- vjeçari nga Plugu i Lushnjës, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes, nuk mundi t’i mbante lotët dje në Gjykatën për Krimet e Rënda.

Ai u paraqit para gjykatës në seancën e caktimit të masës së sigurisë në një gjendje të rënduar mendore, i penduar thellë për krimin e kryer pak ditë më parë pranë banesës së tij në fshatin Plug.

Tajar-Kazanxhi-ne-gjyq

I moshuari nuk diti të shpjegojë momentin e krimit, duke thënë se s’e kuptonte as vetë se si i ishte errësuar arsyeja. Ai tha se e donte bashkëshorten, së cilës i referohej si “Tasha ime” dhe se tani që e vrau atë, nuk donte të jetonte më. Për gjykatën mjaftuan shpjegimet e dhëna prej tij dhe leximi i aktakuzës nga ana e prokurorit Ened Nakuci për të vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” për të.

Ai do të qëndrojë i izoluar në paraburgim gjatë kohës që do të hetohet për akuzën e “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare” në dëm të bashkëshortes së tij, Natasha Kazanxhi. Nëse deklarohet fajtor nga gjykata, i moshuari rrezikon deri në burgim të përjetshëm.

DESHMIA NE GJYQ

Të arrestuarit Tajar Kazanxhi iu njomën sytë në momentin kur gjyqtarja e gatshme, Irena Gjoka, po e pyeste për gjeneralitetet.

“Jam një fatkeq. Gjithë jetën kam punuar dhe nuk kam pirë as duhan e as alkool. Pa Tashën time nuk e dua më jetën. Dua të vras veten”, tha ai. Teksa jepte shpjegime, herë pas here gjyqtarja i kërkoi të qetësohet. Më tej i moshuari shpjegoi se Natasha ishte bashkëshortja e tij e dytë. Në martesën e parë ai nuk kishte pasur fëmijë.

“Një vit kisha i martuar me Natashën. Gjithë jeta ime ishte ndërtimi i një shtëpie, por shkatërrova gjithçka në një moment. Unë e doja Natashën dhe shkonim mirë. I vetmi debat me të ishte kur ajo më thoshte që shtëpinë t’ia lija djalit të saj”, tha Kazanxhi mes lotësh.

Ai shtoi se ditën e ngjarjes, ishte po ky debat që kishte përfunduar me krimin brenda familjes. Ai tha se ishte duke pastruar shtëpinë e vajzës së Natashës, që jetonte në Greqi, kur bashkëshortja i kishte këmbëngulur që ai t’ia kalonte shtëpinë të birit të saj.

“Më tha që do më nxirrte nga shtëpia nëse s’firmosja letrat. Unë nuk e di si m’u errën sytë në atë moment, se si më kërceu gjaku dhe i lëshova sqeparin me të cilin po pastroja”, rrëfeu ai.

DESHIRA E FUNDIT

I penduar për krimin, i dyshuari Kazanxhi tha dje se do t’ia plotësonte dëshirën Natashës. “Dua t’ia fal shtëpinë time djalit të Tashës. Dua që t’ia plotësoj dëshirën asaj”, tha ai.

Gjatë seancës, përfaqësuesi i prokurorisë i tha trupit gjykues që pas ngjarjes kriminale 70-vjeçari e kishte lajmëruar vetë policinë për atë që kishte ndodhur.

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura