Dëshmia e plotë e Ardjan Çapjas në gjykatë: Zbardhni vrasjen e avokat Gurrës, në përgjime kishte politikanë

Nov 22, 2022 | 10:38
SHPËRNDAJE

NIKOLETA KOVAÇI/ Një politikan pa mbiemër dhe një prokuror me emër e mbiemër kanë qenë dy personat që ka akuzuar nga kafazi i hekurt i Gjykatës, Ardjan Çapja, i vënë nën akuzën e vrasjes së dyfishtë në kuadër të grupit kriminal.

ardjan capja

Politikani quhet Taulant, ndërsa prokurori Ritvan Sukaj. Politikani i lartë, sipas Çapjas, ka dalë në përgjime, por ato janë fshirë, ndërsa prokurori ka vijuar të sulmojë familjen Çapja.

Ai ka rrëfyer gjatë ditën e djeshme, duke iu bërë me dije gjyqtarëve dhe duke iu kërkuar prokurorëve të SPAK-ut ta hetojnë vrasjen e avokatit të tij, të ndjerit Ravik Gurraj, nga e cila do të zbulohej edhe atentati i pamëshirshëm ndaj burrave të familjes së tij. Po ndërsa ka tentuar të orientojë drejt një ngjarjeje të harruar, prokurorët, si ajo e atentatit ndaj avokatit të tij, ai nuk ka ngurruar të shënjestrojë jo vetëm një prokuror të Elbasanit po madje edhe prokurorin që gjendej në sallën e gjyqit, Behar Dibrën: “Qesh, ti qesh, por kur erdha të denoncoja prokurorin Ritvan Sukaj, ti ike me vrap”

Ardjan Çapja është prej kohësh në pranga, ndërkohë që kundër pozitës së tij mohuese, Prokuroria pretendon që ka një dëshmitar, i cili thuhet se është edhe shkaku i prangosjes dhe vënies nën akuzë të xhaxha e nip, ky i fundit ka mundur ta mund drejtësinë tonë duke qëndruar në Dubai, vend i cili e sheh të mundur që Florenc Çapja të qëndrojë i lirë përkundër një procesi që po zhvillohet ndaj tij në Tiranë. Xhaxha e nip asnjëherë nuk e kanë pranuar përfshirjen në masakrën e gushtit të 10 viteve më parë, ku në pabesi vriten në shtëpinë e tyre babë e bir, ndërkohë që vite më pas Prokuroria e Elbasanit tha se ka gjetur dëshmitar dhe se ai ka rrëfyer bashkëpunimin me djemtë e familjes Çapja për vrasjen e dyfishtë në familjen Beqiri.

TAULANTI, POLITIKAN DHE PROKUROR

Ardian Çapja ka hedhur akuza të forta ndaj prokurorit të çështjes së tyre që lidhet pikërisht me akuzat që e kanë prangosur. Ai akuzoi nga salla e gjyqit prokurorin Ritvan Sukaj për manipulimin e hetimit të ngjarjeve dhe lidhje me krimin. Po ashtu, ai u ndal edhe te një politikan me emrin Taulanti, i cili sipas tij, ka dalë në përgjime, por bisedat e përgjimeve janë asgjësuar.

Çapja pretendoi se ka pasur edhe një telefonatë me këtë Taulantin, i cili i ka ofruar ndihmë por ai nuk ka pranuar. Duke qëndruar në pozita mohuese për të gjitha akuzat që janë lëshuar mbi të dhe familjen e tij, i pandehuri u ndal te prishja e imazhit, por edhe te manipulimi i provave, ndërkohë që ai gjatë bisedave me të ndjerin, avokatin e tij, ka mësuar se për masakrën e shkurtit të 2016, ku u qëllua në lokalin në pronësi të familjes së tij dhe u vranë tre persona e u plagosën 8 të tjerë, Çapja i ka thënë trupës gjyqësore:

“Me avokatin e ndjerë, Ravik Gurraj, kemi marrë dosjen e ngjarjes së vitit 2016 dhe aty ka qenë në përgjim edhe një zyrtar i lartë me emrin Taulant. Më pas, kemi mësuar se me vendim të Gjykatës së Elbasanit përgjimet e politikanit janë asgjësuar. Politikani me emrin Taulant më ka marrë në telefon dhe më ka ofruar ndihmë, por unë nuk i kam kërkuar asgjë. Emrin e tij të plotë nuk e përmend, sepse më rrezikohet familja. Vrasja e avokatit Ravik Gurra lidhet me masakrën e 3 shkurtit. Prokurori Ridvan Sukaj nuk na ka marrë dëshmi për ngjarjen e 2016-s dhe kjo është hakmarrje e Sukajt ndaj nesh. Hetimet vazhduan për 2 vite dhe nuk arritën të zbulojnë asgjë. Këtu ka filluar manipulimi dhe orientimi i hetimeve. Kam dëgjuar në media që keni nën hetim vrasjen e avokatit tim, Ravik Gurra, ke tre telefona, ke dosjen time, gjej kush ka vrarë avokatin, bëj drejtësi. Nëse zbardh vrasjen e avokatit Gurra do zbulosh thesare. Politika në Elbasan është e lidhur me krimin. Nisni hetimet që aty. Hap hetimin e Ravikut, aty ke gjithë të vërtetën”.

DËSHMIA E ÇAPJAS PËR VRASJEN E BABË E BIR

“Unë deklarohem i pafajshëm për të gjitha akuzat që më ka ngritur Prokuroria, çdo gjë është bërë për të dëmtuar imazhin tim. Në 2005-n më është vrarë vëllai dhe ne si familje ja kemi lënë në dorë drejtësisë. Jam shoqëruar në polici për vrasjen e 15 gushtit 2012, ndërkohë që unë po vija nga Maqedonia. Deri në datën 13 gusht të atij viti kam qenë me pushime në Greqi. Më pas, kam vendos me ik në Maqedoni të blej kaldaja. Ishim 4 veta, mes tyre edhe nipi, Florenc Çapja. Pa hyrë në Elbasan na ka ndaluar Policia dhe na kanë marrë në pyetje. Aty kam marrë vesh që kush ishte vrarë. Nuk njoh asnjë nga të dyshuarit e tjerë, nuk kam asnjë lidhje me ta. Prokuroria na bllokoi pasaportat dhe ndaluan nipin tim Florencin. Prokurori Ridvan Sukaj është i lidhur me krimin, i kam kërkuar që të zbardhen ngjarjet e mia që më janë bërë 3 atentate, 2 në 2017 dhe një në 2020-ën me snajper. Pas masakrës së 3 shkurtit 2016, unë nuk kam dal më nga shtëpia.

…Prokurori Ridvan Sukaj nuk na ka marrë dëshmi për ngjarjen e 2016-s dhe kjo është hakmarrje e Sukajt ndaj nesh. Hetimet vazhduan për 2 vite dhe nuk arritën të zbulojnë asgjë. Këtu ka filluar manipulimi dhe orientimi i hetimeve. Unë s’kam lidhje me vrasjen e 2012-s sepse kjo vërtetohet nga qelizat telefonike që kam qenë jashtë vendit. Këtë manipulim e ka bërë prokurori Ridvan Sukaj.

…Politika në Elbasan është e lidhur me krimin. Nisini hetimet që aty. Hap hetimin e Ravikut aty ke gjithë të vërtetën. Mos qesh ti prokuror se kur doja të bëja kallëzim për prokurorin Ritvan Sukaj je larguar nga zyra me vrap. Unë jam më i drejtë se vet drejtësia. Ridvan Sukës i kam bërë kallëzim për mos hetimin e ngjarjeve. Unë i kam vajtur në zyrë dhe i kam kërkuar që të zbardh ngjarjen e 2016, por ai ka heshtur dhe shkak ka qenë përgjimi i politikanit Taulant.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura