Dëshmia e legjendës së mundjes: Në Finlandë, si nënkampion bote, më ofruan një ‘Benz’ që s’e pranova, kurse në Shkodër një libër të Enverit dhe…

Jun 15, 2020 | 17:30
SHPËRNDAJE

pjimageDashnor Kaloçi/ Publikohet historia e panjohur e Eljaz Guri nga Vraka Shkodrës, një nga legjendat e sportit të mundjes në Shqipëri për gati 25 vite me radhë, i cili u pikas nga tranieri i njohur i ekipit “Vllaznia” Njac Lacuku që e aktivizoi atë me ekipin e të rinjëve të atij qyteti.

Në 1962-in Eljazi doli kampion kombëtar, duke mundur sportistë me emër, si Halil Stojkun “Dinamos”-s, etj., dhe një vit më pas ai konkuroi me ekipin e të rriturve të “Vllaznisë”, ku doli në vënd të dytë dhe më pas si kampion kombëtar. Kalimi i Eljazit tek ekipi “Partizani”, pas interesimit të tranierit të famshëm Luigj Deda dhe fitoret e tij ndaj mjeshtrave të mëdhenj të mundjes shqiptare, si: Mirash Vuksanin e “Vllaznisë”, Stefan Gjeneralin, Mark Currin e Piro Kokalarin e  “Partizani”-t, Asim Omurin e Sport-Klub Tiranës, Hasan Porovën e “Dinamo”-s, i njohur me nofkën “Kafsha”, etj. Pjesmarrja e Gurit në aktivitetet ndërkombëtare ku ai mundi kampionët e mëdhenj të Rumanisë, Maneo Dimitru dhe Maneo Bushul, gjatë turneut që zhvilloi ekipi i tyre në Shqipëri në vitin 1970. Pjesmarrja në Kampionatin Europian të Mundjes në Finlandë në ’72-in, ku Eljazit i’u kërkua që t’ja linte ndeshjen mundësit finlandez, pasi fitorja e tij që në fakt ishte fare e lehtë, do e çonte automatikisht në finalen për vëndin e parë dhe të dytë me mundësin rus, me të cilët shqiptarët nuk pranonin të ndesheshin. Incidenti i Gurit në hotel me mundësin rus që s’pranoi t’i jepte dorën, duke i thënë: “Ju keni tradhëtuar marksizëm-leninizmin” dhe mos pranimi i dhuratave nga finlandezët që shkonin keq me rusët. Largimi nga sporti në vitin 1985, ku në ceremoninë e zhvilluar në Stadiumin “Vllaznia”, i dhuruan një libër të Enver Hoxhës dhe në ndërrmarrje, distinktivin “Axhustator i dalluar”, si dhe vazhdimi i atij sporti nga i biri, Elisi, që doli kampion bote me Bullgarinë në vitin 2011.

Shkodra, qyteti me histori të lashtë dhe me tradita, që nga vitet e para të shekullit të kaluar dhe më pas, veç të tjerash, ka nxjerrë edhe me dhjetra e dhjetra sportistë e sportiste të talentuar, të cilët kanë bërë emër të madh duke i dhënë gjallëri këtij qyteti dhe kudo ku ata janë aktivizuar me ekipet e tjera dhe ato kombëtare. Janë të njohur tashmë emrat e sportistëve të famshëm shkodranë, mjeshtra të mëdhenj, si: Loro Boriçi, Pal Mirashi, Kolec Kraja, Mehdi Bushati, Ramazan Rragami, Din Zhega, Sabah Bizi, Astrit Hafizi, Ferit Rragami, Hysen Zmijani, Fatbardh Jera, Arvit Hoxha, Lul Bërshemi etj., në futboll, Petrit Osmani, Rrenato Radoja, Filip Guraziu, Refik Vorfa, Nikolin Pali, Zef Gjoni, Mehdi Bajri (Vishnja), Sokol Kalaj, Marin Shestani, Korab Llazani, Bledar Gjeçaj, Afrim Bilali, etj., në basketboll, Ali Bushati, Gjino Mjeda, Gjon Çoba, etj., në volejboll, ku pjesa më e madhe e tyre përfaqësuan edhe ngjyrat e ekipit kombëtar të Shqipërisë duke konkuruar me sukses në aktivitetet ndërkombëtare. Por krahas këtyre emrave të njohur dhe legjenda të sportit shqiptar, ai qytet ka nxjerrë dhe mjaft emra të njohur në sporte të tjera, si p.sh. në sportet e rënda (boks, mundje dhe ngritje peshash), si: Asim Belinova, Xhovalin Çuni, Faruk Kalleshi, Genc Barkiqi, Esat Ademi, etj., në peshëngritje, Ramiz Halili, Dervish Hebovija, Viktor Martini, Besnik Gjetja, Edmon Hoxha, etj., në boks, Luigj Deda, Mirash Vuksani, Eljaz Guri, Hysen Omi, Paulin Sterkaj, Seit Fishta, Paulin Merlaj, Sandër Leka, etj., në mundje, e shumë e shumë sportistë të tjerë në disiplina të tjera sportive që Shkodra i njeh më mirë, për të cilët do të duheshin faqe të tëra gazetash për të përshkruar sukseset e tyre. Por ndër këtë sportistë të famshëm të Shkodrës, padyshim një vënd të veçantë zë edhe “Mjeshtri i Merituar i Sportit”, Eljaz Guri, i cili për vite të tëra ka dalë kampion kombëtar në sportin e mundjes, duke përfaqësuar edhe ngjyrat kuq e zi të përfaqësueses shqiptarë në mjaft takime ndërkombëtare brenda dhe jashtë vëndit. Po kush është Eljaz Guri, cila është e kaluara e tij dhe si arriti ai që të bëhej një nga sportistët më në zë të sportit të mundjes? Lidhur me këtë dhe plot fakte e ngjarje të tjera të panjohura nga jeta dhe karriera e tij sportive, na njeh vetë Eljazi, në këtë intervistë ekskluzive për Memorie.al.

Zoti Eljaz, fillimisht na thoni diçka për familjen tuaj?

Origjina e hershme e familjes sime është nga trevat shqiptare që sot gjenden në Malin e Zi, por unë kam lindur (në vitin 1945), në fshatin Shtoj i Ri të Shkodrës. Ndërsa prej vitesh familja jonë ka banuar në fshatin Vrakë, ku unë kam kryer dhe mësimet e para të shkollës fillore dhe 7-vjeçare. Ne kemi qenë një familje e madhe (gjashte vëllezër dhe katër motra) dhe babai ynë, Seit Guri, është marrë me peshkim, ndërsa pjestarët e tjerë të familjes, në punë të ndryshme të fermës bujqësore. Edhe pse siç thashë, ne kemi qenë një familje e madhe, në krahasim me të tjerët, kemi qenë në gjendje jo të keqe nga ana ekonomike, duke u konsideruar si një familje e rangut të mesëm, për nga jetesa. Në këtë ambient familjar u rrita dhe unë, deri sa u afrova dhe u aktivizova si sportist në radhët e ekipit “Vllaznia” e Shkodrës në fillimin e viteve ’60-të.

Si i kujtoni fillesat tuaja të para në sportin e mundjes?

Fillimisht unë jam marrë me sportin e atletikës (në dhjetë garësh), që kur isha nxënës në shkollën 7-vjeçare të Vrakës, me trajner, Njac Lacukun, i cili në atë kohë ishte mësues i edukimit fizik. Nga ajo shkollë kanë dalë më pas disa sportistë të talentuar që bënë emër të madh jo vetëm me ekipin e “Vllaznisë”, por edhe në rang kombëtar, si: Millan Vaso (mbrojtës i Vllaznisë dhe i ekipit kombëtar), Dushan Vaso, Ali Hamza, Bozho Ajko, Dese Jako, etj. Atletikën unë nuk e vazhdova më shumë se një vit, dhe shkak për këtë gjë u bë tranieri i mundjes i “Vllaznisë”, Sul Rama, i cili teksa më shikonte përditë duke pritur disa nga shokët e mij që stërviteshin aty (si Dushan Vaso, Naim Pepa, Halil Gëlqerja etj.), më thirri dhe më ftoi që të futesha në sportin e mundjes. Përveç dëshirës së madhe që unë kisha për atë sport, ai vlerësoi tek unë edhe fizikun tepër premtues dhe kështu përfundova me mundjen, sport i cili në vendlindjen time dhe fshatrat e tjera përreth, ka pasur një traditë të hershme. Përveç mundjes, në zonën tonë janë praktikuar edhe sporte e lojra të tjera popullore si: hedhje dhe ngritje guri e peshash të rënda, tërheqje litari, kërcime pupthi, etj., të cilat zhvilloheshin në raste festash të ndryshme. Dhe nga këto lojra popullore kanë spikatur mjaft nga sportistët e ardhshëm të “Vllaznisë” së Shkodrës. Edhe sot në shtëpinë tonë në Vrakë ndodhet një gur i madh në oborr, të cilin e trashëgojmë prej më shumë se 150 vjetësh. Shumë miq e dashamirë që vinë në shtëpinë tonë, provojnë ta ngrenë apo ta lëvizin atë gur prej të cilit ne kemi dhe mbiemrin Guri.

Cilat ishin rezultatet tuaja të para kur u afrove në sportin e mundjes?

Në vitin 1962, kam filluar stërvitjen për herë të parë me të rinjtë e “Vllaznisë”, ndërsa një vit më vonë, kam fituar të gjitha ndeshjet, duke dalë në finale me Halil Stojkun e “Dinamo”-s, i cili ishte kampion absolut prej katër vjetësh. Ai më mundi me pikë dhe unë zura vendin e dytë në takimet që u zhvilluan në këndin e lojrave “Spartak” të Shkodrës, ku pata një përkrahje të jashtëzakonëshme nga qindra e qindra tifozë që ndoqën me interes të madh ato takime. Pas këtyre rezultateve, mua m’u akordua një trajtim ushqimor special, si sportist me perspektivë dhe në dy kampionatet e ardhshme që u zhvilluan në Korçë, zura vënd të parë.

Po me ekipin e parë të të rriturve të “Vllaznisë”, kur u aktivzuat?

Në moshën 19-vjeçare, kalova me ekipin e të rriturve të “Vllaznisë” (me trajner të mirënjohurin, Qazim Elbasani), dhe në kampionatin e parë që mora pjesë zura vëndin e dytë. U ndesha në parkun “Xha Tomi” me Asim Omurin e Sport-Klub Tiranës, të cilin edhe pse ishte “Mjeshtër Sporti”, e munda me tuç. Si përfundim unë zura vëndin e dytë, pasi më kishte mundur me pikë, mjeshtri i madh, Eljaz Ahmeti i “Partizani”-t. Gjatë këtyre takimeve unë rashë në sy të specialistëve dhe trainerëve, ku njeri prej tyre, i famshmi Luigj Deda i “Partizani”-t (me origjinë nga fshati Gajush i Bregut të Matës në Lezhë), erdhi dhe më pyeti për moshën. Më pas ai dërgoi emrin tim në Klubin “Partizani”, ku më pas më morën ushtar, në një ditë me Mjeshtrin e Sportit, Sabah Bizin.

Sa kohë qëndruat në rradhët e “Partizani”-t dhe ç’farë rezultatesh patët atje?

Me ekipin e “Partizani”-t u aktivizova per tre vjet me rradhë, duke dalë kampion absolut dhe duke mundur me tuç disa nga mundësat e njohur si: Mirash Vuksanin e “Vllaznisë”, Hasan Porovën e “Dinamo”-s, (me nofkën “Kafsha i Dinamos”) etj. Puna dhe djersa ime në Klubin “Partizani”, u vlerësua me mjaft dekorata, fleta nderi dhe medalje të ndryshme. Por pas tre vjetësh kur kisha bërë një emër të madh dhe kisha spikatur si sportist cilësor, më rikthyen në Klubin “Vllaznia” të Shkodrës. Shkak për këtë gjë u bë një Flet-Rrufe që vunë në mes të Tiranës tifozët shkodranë, të cilët i kërkonin qeverisë që të rikthente në Shkodër disa nga sportistët më të mirë të saj që aktivizoheshin me ekipet e kryeqytetit. Unë e kam lexuar vetë atë fletë-rrufe, ku si presion, rinia shkodrane i premtonte qeverisë, se do përfundonte para afatit të Hidrocentralin e Vaut të Dejës. Siç na thanë atëhere, kjo gjë ra në vesh të kryeministrit Mehmet Shehu, i cili kishte urdhëruar: “Të kthehen urgjent në Shkodër të gjith, me Biz e kushdo të jetë. Nuk bëjmë shaka me hidrocentralin”. Kështu pas kësaj, jam kthyer në Shkodër bashkë me Asim Belinovën, Faruk Kalleshin, Vildan Tufin etj. Kështu nga ekipi i “Partizani”-t, përfundova në Hidrocentralin e Vaut të Dejës, si punëtor në brigadën e çimentimit, ku nuk e harroj përkrahjen e madhe që më dha Sokrat Kalivopulli, të cilin e kishim drejtor kantieri.

Cila ishte karriera juaj e mëtejshme sportive me “Vllazninë” dhe sa zgjati ajo?

Me ekipin e “Vllaznisë” dola kampion absolut edhe për tre katër vjet të tjera, duke konkuruar në peshën e rëndë, gjysëm të rëndë dhe të mesme, sipas nevojave që kishte ekipi. Në atë kohë më stabilizuan në një dhomë në stadiumin e futbollit “Vojo Kushi” (sot “Loro Boriçi”), dhe pas një viti, më hoqën nga Vau i Dejës dhe më sollën si axhustator në Kombinatin e Drurit në Shkodër. Me “Vllazninë” ku unë trajtohesha me përpërësi, u aktivizova rregullisht deri në vitin 1985, duke dalë herë kampion kombëtar dhe herë në vënde të dyta.

Gjatë atyre viteve, kush ishin disa nga sportistët që i’u bënin konkurencë në peshën tuaj?

Konkurencën me të fortë e kisha me Stefan Gjeneralin e “Partizan”-it, Mark Currin, Pirro Kokalarin etj.

Gjatë atyre viteve të karrierës suaj sportive, a morët pjesë në takime ndërkombëtare?

Takimin e parë ndërkombëtar e kam zhvilluar në vitin 1970 në Pallatin e Sportit “Partizani” në Tiranë, me mundësin rumun, Maneo Dimitru, të cilin e fitova me pikë. Ekipi rumun kishte ardhur në Shqipëri për të zhvilluar një sërë takimesh miqësore me ekipet tona, në kuadrin e përgatitjeve që ai bënte për kampionatin botëror. Pas dy ditësh, ekipi rumun erdhi në Shkodër, ku unë u ndesha përsëri me Dimitrun, të cilin e hodha në tuç për 30 sekonda. Nuk me harroen brohoritjet dhe ovacionet e gjata të 3-4 mijë tifozëve shkodranë që kishin mbushur shkallët e stadiumit. Pas disa ditëve, ekipi rumun shkoi në Durrës për takimet e treta dhe aty mundësi Dimitru me kërkoi revansh. Me mirëkuptim nga të dy palët, u ra dakort që të zhvillonim ndeshjen, ku unë do konkurroja si pjestar i ekipit “Studenti”, dhe përsëri e munda. Aty në Durrës, kishte ardhur për të më ndjekur tranieri i “Partizani”-t, Luigj Deda, i cili më orientonte me këshillat e tij. Pas 5-6 muajsh, ne shkuam në Bukuresht për t’ju kthyer vizitën rumunëve. Unë arrita të fitoj tre ndeshjet e para, dhe humba vetëm me mjeshtrin e madh rumun, Neguc, i cili ishte nënkampion i botës. Humbja ime erdhi si pasoje e përgatitjes së pamjaftueshme psikologjike që kisha për takime të tilla dhe ngarkesës së madhe emocionale. Ky ishte dhe takimi im i parë jashtë vendit. Rumunët erdhën përsëri për turne në Shqipëri dhe unë fitova tetë ndeshje me rradhë në Tiranë, Shkodër etj. Ndeshja më e vështirë për mua ishte ajo me Maneo Bushul, i cili deri më momentet e fundit të takimit, kryesonte me pike 8 me 2. Në limitin e sekondave të fundit të ndeshjes, unë e hodha atë në tuç. Dhe gjithë stadiumi që kishte mbajtur frymën për minuta të tëra, shpërtheu në duartrokitje të forta për që s’pushonin. Kjo ka qenë një nga fitoret më të bukura të jetës sime. Një vit më vonë, si kapiten i ekipit kombetar, mora pjesë në kampionatin Evropian që u zhvillua në Katovicë të Polonisë, ku për shak të një dëmtimi, mund atë zhvilloj vetëm një ndeshje.

Në cilat takime ndërkombëtare keni pasur rezultatet më të larta?

Në vitin 1973 ekipi ynë kombëtar mori pjesë në ndeshjet për kampionatin evropian që u zhvillua në Finlandë. Në atë kampionat, pasi unë kalova tre turet e para me fitore të pastra dhe të padiskutuara, më takoi që të ndeshesha për vendet nga i treti tek i gjashti, me një mundës finlandez. Sikur unë ta mundja finlandezin, gjë e cila ishte më se e mundshme, më takonte të ndeshesha në finale për vënd të parë dhe të dytë me një mundës rus. Të cilit vetëm dorën po t’i jepja në tapet në fillim të takimit, pra vetëm të paraqitesha në ndeshje, isha automatikisht nënkampion bote pas tij. Por për shkak se ekipet tona kombëtare të të gjitha sporteve në atë kohë nuk pranonin të ndesheshin me ekipet ruse, amerikane dhe izraelite, shefat e delegacionit tonë sportiv, e udhëzuan tranierin tim që unë ta humbisja ndeshjen me pikë, në mënyrë që të mos ndeshesha me rusin. Por kjo gjë duhej bërë me finesë të madhe, pasi po të kuptohej, ekipi merrte dënim të madh nga federata botërore e mundjes.

Si shkoi kjo ndeshje…?!

Nisur nga kjo situatë, trajneri Ludovig Bogoi, më orientoi që unë të rezistoja me finesë dhe të humbisja me pikë të vogla, që ndeshja të fitohej nga finlandezi me rezultatin 2 me 1. Por gjatë takimit, nga që unë isha mësuar të luftoja fort dhe pa kompromis, trajneri më bërtiste dhe më kujtonte porosinë. Kjo gjë ra në sy të gjyqtarisë dhe u bë problem i madh. Gjatë banketit që u organizua me rastin e përfundimit të takimeve të kampionatit, m’u afrua trajneri rus dhe më zgjati dorën për të më përgëzuar për ndeshjet që kisha bërë. Por sipas orientimeve që kishim, unë, jo vetëm që nuk ja dhashë dorën, por duke përfituar nga rasti se dija gjuhën sllave, i thashë: Nuk ta jap dorëm, se ju keni tradhtuar marksizëm-leninizmin. Gjë e cila bëri që aty të krijohej një konfuzion dhe incident i rëndë. Një mundës bullgar që ishte pranë meje, më tha: “Si është e mundur t’i thuash këto fjalë këtij rusi të madh, sa milion banorë jeni ju shqiptarët që jeni kaq trima?!” Kur unë me krenari i thashë: ‘jemi tre milion kur hamë bukën, por bëhemi 300 milion kur kapim pushkën’, ata u larguan të habitur pa më thënë asnjë fjalë.

Po shefat e delegacionit ç’farë të thanë?

Shefat erdhën dhe më përgëzuan për qëndrimin që kisha mbajtur ndaj rusit. Pas incidentit aty u afrua dhe kundërshtari im rus, me të cilin bëmë debat dhe unë i thashë po të njëjtat fjalë që i kisha thënë tranierit të tij. Ai ishte gjeorgjian dhe nga dashuria që kishte për Stalinin, më tha: “Po, ju shqiptarët keni të drejtë”.

Kur u kthyet në Shqipëri, a patët përgëzime apo shpërblime për tre ndeshjet e fituara dhe qëndrimin që mbajtët ndaj rusëve?

Me thënë të drejtën kur zbritëm në Rinas, mendoja se do dilnin për të na pritur dhe na përgëzuar shefa të lartë të Klubit “Partizani” Federatës së Mundjes etj., nga qeveria, por jo që nuk na priti njeri, por as automjet për t’u larguar nga Rinasi për në Tiranë nuk kishim.

Me ç’farë udhëtuat?            

Udhëtimi im për në Shkodër është një histori më vete dhe atë nuk e harroj, pasi m’u desh dy ditë për të shkuar pranë familjes në Vrakë. Fillimisht në Rinas i nxora dorën një “Zuk”-u (automjet polak) që kishte ardhur aty për të marrë arkat boshe të aranxhatave dhe me atë udhëtova deri tek Zogu i Zi në Tiranë. Nga aty shkova në këmbë tek stacioni i trenit, për të kapur trenin e udhëtarëve që atëhere shkonte deri në Laç, por ai kishte ikur dhe unë u detyrova të dilja përsëri tek agjencia e automjeteve, që asokohe ishte diku më poshtë Zogut të Zi, afër Laprakës, për të gjetur ndonjë makinë për Shkodër. Pasi prita më kot disa orë aty, rastësisht takova një shok ushtrie, i cili më sugjeroi që të shkoja përësëri tek stacioni i trenit, pasi në atë orë niseshin trenat e punës për në Laç.

Shkove përsëri atje?

Shkova menjëherë dhe pa pyetur njeri hipa në një vagon të hapur që kishte ngarkuar fuçi bitumi. Treni ndaloi në stacionin e Gjormit, disa km. pa vajtur në Laç, dhe atje zbrita e dola në rrugën nacionale për të gjetur ndonjë makinë. Nuk vonoi shumë dhe më ndaloi një kamion qymyri ku hipa sipër në karroceri, e me të udhëtova deri në qytetin e Lezhës. Nga që nuk lëvizte asnjë makinë për në Shkodër, u detyrova dhe fjeta atë natë në hotel, ku mezi mund atë gjeja një krevat në një dhomë treshe. Të nesërmen dola vonë në rrugë dhe me një makinë rasti sipër në karroceri, shkova deri në Shkodër, ku disa shokë të mij më ndaluan për drekë, duke biseduar me ta gjerë e gjatë për ndeshjet që kishim zhvilluar në Finlandë. Aty nga pasditja gjeta një karrocë dhe me të shkova deri në fshatin tim Vrakë, të cilin e kishte mbuluar muzgu i mbrëmjes. Kur hyra në shtëpi aty nga ora 19 e darkës, baba më tha: Pse kaq vonë, gjej noji ven, e pshtetu pa zhurmë, se jan tuj fjetë tan robtë e shpis”. Mezi mund atë gjeja një vënd për të fjetur, pasi ne ishim 10 fëmij, të gjithë më të rritur se unë dhe ishim shumë ngushtë në shtëpi. Jo vetëm gjatë asaj nate që nuk më zinte gjumi, por edhe gjatë udhëtimit tim në karrocerinë e qymyrit apo vagonin e trenit, sillja nëpërmënd shpërblimet dhe dhurata që më kishin ofruar në Finlandë.

Ç’farë dhuratash?

Pas ndeshjeve në Finlandë, mua erdhën dhe më takuan disa drejtues të shoqatës së miqësisë Finlandë-Shqipëri, të cilët me ofruan si dhurata: një makinë të re “Benz” dhe disa uniforma sportive. Në atë kohë finlandezët shkonin keq me rusët dhe nisur nga qëndrimi im karshi tyre, ata donin të më shpërblenin. Por nisur nga fakti se ne sportistët shqiptarë, e kishim të ndalur rreptësisht për të pranuar dhurata, unë natyrisht që i refuzova, duke i’u thënë: faleminderit, por unë kam “Benz”-in më të mirë në Shqipëri. (Në fakt unë nuk kisha as biçikletë në shtëpi). Unë pranova prej tyre vetem disa komplete sportive dhe asgjë tjetër. Katër nga ato i mbajta për vete dhe të tjerat u’a ndava shokëve.

Po në Shqipëri gjatë karrierës suaj sportive a patët marrë ndonjë shpërblim material?

Në 1986-ën, kur në pushim të një ndeshje futbolli në stadiumin “Vojo Kushi” të Shkodrës u organizua ceremonia e lamtumirës nga sporti të Faruk Kalleshit, Refik Vorfës dhe e imja, na dhanë nga një libër të Enver Hoxhës, të cilin edhe sot e ruaj në shtëpi së bashku me dekorat dhe medaljet që Kuvendi Popullor i Shqipërisë, më akordoi në ato vite si “Axhustator i dalluar”, i Kombinatit të Drurit.

Po pas viteve ’90-të, ku keni punuar?

Pas viteve ’90-të unë kam punuar në punë të ndryshme private në ndërtim dhe objekte të tjera që janë pronë e mikut tim, Seit Fishta, të cilin dikur e kam stërvitur unë. Por me tepër jam kujdesur për xhaminë që shikoni këtu (në qëndër të qytetit të Shkodrës), të cilën e ka financuar Seiti, dhe unë i jam shumë mirënjohës atij.

Pasi latë sportin e mundjes, a u aktivizuat si trajner për të dhënë përvojën tuaj tek me të rinjtë?

Për disa vite punova me pasion si zëvëndëstranier i “Vllaznisë” duke transmetuar atë përvojë që kisha tek sportistët më të rinj, si: Pauli Sterkaj, Paulin Merlaj, Seit Fishta etj., të cilët u bënë sportistë me emër jo vetëm me ekipin e “Vllaznisë”, por edhe në takimet ndërkombëtare. Më pas i’u përkushtova djalit të madh, Elisit, i cili që në moshën 23 vjeçare, prej katër vjetësh ishte kampion kombëtar në peshën 96 kg. me ekipin e “Partizanit”. Edhe djali tjetër, Saiti, është marrë me sport dhe prej disa vitesh aktivizohet me ekipin e futbollit “Vllaznia” e Shkodrës.

I biri i Eljazit, Elis Guri, Medalje Ari dhe kampion bote në Kampionatin Botëror të Mundjes në vitin 2011

Mjeshtri i famshëm i sportit të mundjes dhe kampioni absolut i Shqipërisë për disa vjet me rradhë, Eljza Guri, përvojën e tij e ka transmetuar edhe tek djali i tij i madh, Elisi, i cili edhe pse është diplomuar në degën e Atletikës pranë Akademisë së Sporteve në Tiranë, për disa vites ka qenë kampion absolut në mundje në peshën 96 kg. me ekipin e “Partizan”-it. Lidhur me këtë, Eljazi dëshmon: “Elisi ka pasur një vullnet dhe pasion për t’u admiruar dhe ka punuar shumë në stërvitje. Ai ka marrë pjesë në disa takime ndërkombëtare, dhe falë përgatijes që pati bërë në ato vite me tranierin e tij, Pirro Zguro nga Vlora, në ndeshjet e zhvilluara në Itali në vitin 2005, Elisi zuri vëndin e dytë në botë. Pas kësaj ai shkoi në Gjeorgji, ku u stërvit në kuadrin e Lojrave Olimpike që do të zhvilloheshin në Pekin, në gushtin e vitit 2008, ku ai u rendit në vëndin e tetë në botë. Para se të shkonte në Gjeorgji, Elisi u stërvit dy muaj me rradhë në Bullgari, ku si trajner, kishte atë bullgarin që pata debatur unë dikur në vitin 1973 në Finlandë, gjatë incidentit që pata me trajnerin rus. Elis flet disa gjuhë të huaja, dhe trajneri bullgar e ka pas mbajtur afër vazhdimisht, duke e vlersuar mjaft si mundës tepër të fortë”, dëshmon Eliazi për djalin e tij, Elisin, e cili pas këtyre rezultateve të larta bu detyrua që të largohej nga Shqipëria dhe të konkuronte për Bullgarinë, pasi Federata e Mundjes në Tiranë dhe shteti shqiptar, s’ia plotësuan dot kërkesat e tij ekonomike. Kështu më 13 shtator të vitit 2011, Elis Guri zuri vëndin e parë në botë në peshën deri 96 kg., duke marrë Medaljen e Arit në Kampionatin Botëror të Mundjes./Memorie.al

20200614_234907 Iljaz-Guri-1 Iljaz-Guri-2 Iljaz-Guri-3 Iljaz-Guri-5 Iljaz-Guri-6 Iljaz-Guri-7 Iljaz-Guri-8 images-1 maxresdefault-1 unnamed-1-1 unnamed-2-1 unnamed-5-1 unnamed-6

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura