Dëshmia e Kristi Pines: Tafili më dha paradhënie 20 mijë euro, por s’e vrava unë Leonard Muratajn

Feb 27, 2015 | 9:13
SHPËRNDAJE

TIRANË – Një porosi nga burgu për vrasjen e biznesmenit Leonard Murataj në qytetin e Durrësit në vitin 2014 ka kushtuar 50 mijë euro. Edhe pse 20 mijë janë dhënë paradhënie, vrasja është kryer nga persona të tjerë. Faktet janë rrëfyer nga ana e Kristi Pines, bashkëpunëtorit të drejtësisë, në një grup kriminal të dyshuar si autorë vrasjesh me pagesë dhe atentatesh me tritol.

I arrestuari Kristi Pine

Emri i tij dhe i të arrestuarit Aleksandër Gora janë vënë “në rreth” pas shpërthimeve të tritolit në farmacinë e Bashkim Tahirit dhe në banesën e punonjësit të Policisë Alfred Numani. Zyrtarisht, emrat e tyre janë regjistruar nga Prokuroria për Krimet e Rënda në një procedim të lidhur me atë të shpërthimeve të tritolit. Gazeta zbardh detaje të dëshmisë së Kristi Pines dhënë para prokurorëve për Krimet e Rënda. Në lidhje me vrasjen e biznesmenit Murataj, Pine ka rrëfyer se porosia për vrasjen e tij ishte dhënë nga Admir Tafili dhe për këtë do të paguhej 50 mijë euro, prej të cilave ka marrë paradhënie shumën 20 mijë euro.

“Ai ka deklaruar se për t’u përgatitur për këtë vrasje ai është ndihmuar nga shtetasi Fredi nga Pogradeci, që përdorte një autoveturë ‘Mercedes Benz’ dhe një person tjetër nga Durrësi, të cilët i kanë dhënë atij dhe dy armë për të kryer këtë vrasje.

Sipas personit nën hetim, shtetasi Leonard Murataj u vra ndërkohë nga persona të tjerë dhe jo prej tij”, thuhej në dosjen e Prokurorisë.

Sipas deklarimeve të Pines, tjetër ngjarje e porositur nga burgu, nga ana e të dënuarit me burgim të përjetshëm, Admir Tafili, ishte ngjarja e datës 25 qershor 2014, vrasja e shtetasit Ibrahim Mani në qytetin e Shkodrës.

Pine ka rrëfyer edhe mënyrën e njohjes me të dy të arrestuarit e tjerë Alfred Qefalia dhe Aleksandër Gora. Sipas tij, me këta dy shtetas është njohur nëpërmjet shtetasit Admir Tafili.

Në lidhje me dy ngjarje të tjera për të cilat ka dhënë shpjegime, tentativën e vrasjes ndaj Edmond Çakmashit më 16 shtator 2014 dhe vendosjen e lëndës shpërthyese në biznesin e shtetasit Armando Ceka, më 26 shkurt 2014, pranë rrugës “Budi”, ku përfshin dhe Alfred Qefalinë, Pine nuk ka treguar porositësit.

Ai vetëm ka treguar se këto veprime janë kryer kundrejt pagesës. Sipas Prokurorisë, Pine ka treguar se me të arrestuarit Aleksandër Gora, të cilit i referohej me emrin Fredi nga Pogradeci dhe Alfred Qefalia ishte njohur nëpërmjet shtetasit Admir Tafili.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura