Dëshmia e ish-të dënuarit të Spaçit: Ja katër minoritarët që s’pranuan të firmosnin deklaratën për Enver Hoxhën ditën e lirimit. Udhëtimi nga Spaçi në Sarandë me makinë të hapur

| 16:55
SHPËRNDAJE
 

spacokNga Dashnor Kaloçi/ Publikohen disa pjesë nga libri voluminoz autobiografik në dorshkrim “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar” (kujtime nga xhehnemi) me autor, Kasem Hoxha me origjinë nga fshati Markat i Sarandës dhe me banim në SHBA-ës që nga viti 1985, kur ai u arratis nga Shqipëria, pasi kishte vuajtur dhjetë vite në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës.  E gjithë historia e trishtë dhe e dhimbëshme e Kaso Hoxhës, që nga jeta dhe puna e vështirë në fshatin e tij në skajin më jugor të vëndit, pakënaqësia ndaj regjimit dhe poezitë e para me karakter politik, si ranë ato në dorë të Sigurimit të Shtetit dhe kush ishin të afërmit e tij që e spiunuan, arrestimi në zyrën e Kryetarit të Këshillit Popullor të fshatit Markat, nga Sigurimi i Shtetit më 21 qershor të vitit 1973, hetuesia në Degën e Punëve të Brendëshme të Sarandës, gjyqi ndaj tij dhe dënimi me 10 vjet burg për “agjitacion e propagandë”, qëndrimi në “Kaushin” e Tiranës (Reparti 313), dhe të burgosurit që gjeti aty, dërgimi në Spaç e puna në atë kamp me policët e oficerët kriminelë dhe të “butë”, bashkëvuajtësit e përshkrimi i “portreteve” të tyre me anët pozitive dhe negative, lirimi nga burgu dhe kthimi në fshat, arratisja në Greqi dhe qëndrimi në kampin e Llavros-it, fitimi i azilit politik për në SHBA-ës, korrespodenca me organizatën Amnesty International, e degës së Londrës, informacionet me të dhënat që u dërgonte për të burgosurit e Spaçit dhe regjimit komunist në Shqipëri, e deri tek krijimi i familjes së re dhe jeta e puna në atë vënd të largët me komunitetin çam të përçarë nga intrigat e njerëzve të Sigurimit të Shtetit nga Shqipëria që vepronin atje.

Pjesë nga libri në dorshkrim, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, (kujtime nga xhehnemi) i autorit, Kasem Hoxha, dërguar prej tij ekskluzivisht për Memorie.al

Prolog

Lexues të dashur!

Mos ja vini veshin titullit që po ju paraqes, dua të them, se sikur mos të jeni të duruar për të lexuar këtë përmbledhje me kujtime, po të doni ta falni autorin, se stili i tij është i zbehtë, i pafrymëzuar përpara kësaj drame të madhe, të popullit tim, të kombit tim martir.

Personazhet e mij, nuk janë të krijuar nga fantazia ime, por janë njerëz të vërtetë, janë vëllezërit tuaj, baballarët tuaj, të afërmit tuaj. Ngjarjet nuk janë të trilluara, por reale e të jetuara.

Ju do të bindeni vetë, vetëm pasi të keni lexuar këtë përmbledhje me kujtime. Ju do gjeni diçka nga jeta juaj, diçka të vërtetë nga jeta e baballarëve tuaj, e nënave tuaja, e vëllezërve tuaj, se si vuajtën se si vdiqën.

Këtë përmbledhje kujtimesh, e shkrova për amanetin që më lanë shokët, që bota të mësojë të vërtetën, se si u torturuan, si vuajtën, si vdiqën, njerëz të pafajshëm, nëpër kampet dhe burgjet e xhelatit, Enver Hoxha!

Unë shkoj me shpresë se cilido lexues, shqiptar ose i huaj, nuk më mbetet hatëri, nga kritika, rrahja e mendimeve të kundërta, pasi është mënyra më e mirë për të gjetur të vërtetën. Titulli i librit, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, do t’i zëmëroj lexuesit, por në fund, do arrij në konkluzion se kam të drejtë, ta quaj “Epokën 45-vjeçare të regjimit komunist satanik të Enver Hoxhës”: Të shëmtuar.

Unë, mjerisht, për fatin e keq që pata, pashë dhe jetova dramën e madhe që ndodhi përpara syve të mij. Nuk jam as poet dhe as gojtar, do më duhet punë e madhe që t’i shpëtoj gabimeve letrare në këtë libër historik, që mund të frymëzojë poetët dhe shkrimtarët e ardhshëm, mbi tragjedinë e kohës sonë, të kohës më të zëzë të kombit tim!

Zotërinj lexues, ju uroj të gjithëve të keni liri dhe paqe…!

Kaso Hoxha.

Llavrio, Greqi 1985

Vijon nga numri i kaluar

Dy netët e fundit në burgun e Spaçit!

Dola nga porta e hekurt ku pak më lart më priste Xhelali, i cili më rrëmbeu dëngun e rrobave, ndërsa unë duke qenë i dobët fizikisht, mezi qëndroja në këmbë. M’u lut që të nxitoja pak për të zënë vënd ku do të kalonim dy netë të ftohta, të nesërmen që ishte 14 nëntori, do të bëhej dorzimi i rrobave dhe likujdimet në llogari. Këtu ishin disa baraka, veç atyre ku jetonin të burtgosurit për krime ordinere.

Këta ishin gjithsej 30 të dënuar për krime ordinere dhe ata liroheshin që të gjithë, veç njërit, që ishte i dënuar me 15 vjet burg. Të burgosurit për krime ordinere, jetonin veç nga ne, e kam fjalën për burgun e madh të të dënuarave politikë, kurse “ordinerët” siç quheshin rëndom, punonin për sigurimin e burgut, si dhe mirëmbajtjen e rrethimeve të telave me gjëmba. Ata bisedonin pa asnjë lloj frike me të dënuarit politikë.

Qielli ishte ngarkuar rëndë me re të zeza dhe tek tuk binin pika të mëdha shiu. I vendosëm rrobat mbi ca stola ndërmjet barrakave dhe i thashë Xhelalit, se duhet të gjenim vënd brenda në barakë, për të kaluar dy netët. Turmat e të burgosurve, ishin hapur gjithë andej ndër barakat e kampit të të dënuarëve për krime ordinere, ca hanin, ca mblidhnin dru për të ndezur zjarr, sepse bënte ftohtë. U ndezën me dhjetra zjarre dhe tymi e mbuloi atë vrimë mali, ku gumëzhinin zëra të gëzuar të të burgosurve.

Për të mbajtur qetësinë, dërguan vetëm një polic, Mark Marku, ishte emri i tij. Ai i fryu bilbilit dhe urdhëroi që të gjithë të burgosurit, të mblidheshin në sheshin ndërmjet barakave dhe pasi u mblodhëm, ai njoftoi: “Tani dëgjoni, mos bëni zhurmë në rradhë të parë. E dyta: mos bëni rrëmujë, se është ora një, kush do të hajë drekën, do të nisen në rresht për një, nga porta e sipërme dhe do të shkojmë në mensën e madhe të burgut. Aty do të merrni ushqimin dhe do të ktheheni këtu sa më shpejt që të jetë e mundur”, mbaroi fjalën polic Marku.

Xhelal Çami, shok dhe vëlla, jam gjallë prej tij

Këtë polic, Mark Markun, të burgosurit e mbanin për të mirë, edhe ai vetë nuk i kursente fjalët e mira, pasi donte të shprehte gëzim për lirimin tonë. Fytyra e tij e zezë, sikur ishte zbardhur pak. E vura re Xhelalin me bisht të syrit, që më rrinte në krah të djathtë, se si reagonte nga fjëlët e mira të polic Markut! Më erdhi për të qeshur dhe aty për aty për urrejtjen e Xhelalit, që kishte për policët, pasi ai e shprehte hapur me pamjen e tij. Ai kishte shtërnguar aq shumë nofullat, saqë nervi i faqes nga të dridhurat, sikur donte t’i kërcente jashtë!

Xhelali, ishtye tip nervoz nga natyra. Humanzimi i shpirtit të tij i kalonte kufijtë e çdo dashamirësie për shokët. Sa i dashur ishte me shokët, po aq i pamëshirshëm dhe urrejtje kishte për spiunët e njerzit me vese. Unë për Xhelalin do të thosha, se ai ishte vetë virtyti dhe pata fatin e mirë të njihesha me atë njeri në momente shumë të vështira. Krijuam një shoqëri të sinqertë, më tepër se vëllazërore, gjë që më dha mundësi ta njihja thellë shpirtin e tij. Ose më mirë po ta shpreh ndryshe: ‘unë isha ai, dhe ai ishte unë’.

Për mua Xhelali ishte shpëtimtari im, sakrifica e tij ishte e pakrahësueshme, pasi njerzit e mij, më kishin braktisur që të gjithë, veç tri motrave. U gjend që unë të njihesha me të, i cili m’u bë dhjetë herë vëlla e mik i pazëvëndësueshëm. Unë jam i gjallë sot, sepse Xhelali nuk më la të vdisja. Xhelalin e respektonin të gjithë të burgosurit, në pamje të jashtëme, dukej sikur u’a impononte njerëzve një gjë të tillë. Ai kishte një forcë të magjishme në pamjen e tij dhe në shikimin e tij, vështrimi i tij të magjepste, ashtu siç magjeps vështrimi i gjarpërit, zogun!

Trupi i tij i gjatë dhe muskuloz, bënte që ta kishin frikë jo vetëm të burgosurit spiunë, por edhe policët! Qafa pakëz e gjatë, mbante sipër një kokë që kur i mbushej për diçka, s’kishte burrë që ta kthente mbrapsht. Kjo vinte nga nervat e tij, që gjithnjë ishin të tendosura, gjë që kishte bërë të nxirrte thinja para kohe! Flokët e tij të zeza, tashmë ishin gati të zbardhura, këmbët e tij të zhvilluara si një atlet, krahët e fuqishëm në uniformë me shpatullat trekëndësh që zbrisnin te beli unazë, i jepnin të tëra këto, një trup elegant që e kishin zili të gjithë.

E ndërpres përshkrimin e portretit të Xhelalit, për t’u kthyer tek rrjedha e ngjarjeve.

-“Si do bësh”, i thashë Xhelalit, duke e zënë nga mënga e xhaketës, e kisha fjalën për dorzimin e rrobave të ndërrmarjes që kishte marrë para dhjetë ditëve.

E nxorrën në punë, pas nji viti e gjysëm, pasi ai kishte thyer dorën në galeri. Teshat që mori, i shiti menjeherë, kështu që nuk kishte ç’të dorzonte!

-“Do shkoj lart në depo të rrobave’, m’u përgjigj disi i menduar, ‘mund të manovroj, po të më jepet mundësia”, tha Xhelali, duke mos e hequr vështrimin nga polic Marku, i cili vazhdon te të jepte akoma urdhërat e dhëna nga komanda.

Pas mbarimit të asaj mbledhje, të burgosurit u nisën në rresht për një, për të marrë ushqimin në mensën e burgut të madh. Pasi të kishim ngrënë ushqimin, do shkonim në depon e ndërrmarjes së minierës, për të dorzuar rrobat dhe materialet e punës. Koha keqësohej, një vranësirë që sa vente dhe e bënte qiellin e Spaçit më të errët.

-“Po shkoj të marr teshat’, tha Xhelali, ‘ti në mundesh, më merr ushqimin”.

Pas pak u ktheva me të dy tasat me ushqim dhe pashë që Xhelali po bisedonte me një djalë nga Tirana, të cilin po ashtu e quanin, Xhelal (Haxhiraj), njeri i mirë dhe irespektuar nga të gjithë të burgosurit.

-“Hajde’, i thashë Xhelalit duke e zënë përkrahu, që ta ndërpriste bisedën, ‘ushqimi po ftohet”, vazhdova unë.

Diskutonin se si do të vente koha dhe si do ta rregullonin ndonjë vënd brenda në barakë, për të kaluar natën, pasi jashtë binte një shi i hollë, që e bënte edhe më të ftohtë atë natë.

Ishte ora e apelit, në burgun e madh përtej përroit, të burgosurit kishin dalë në tarracën e banjove dhe ata na vështronin ne, dhe ne i vështronin ata! Ata mbeteshin brenda burgut të vogël të diktaturës dhe ne shkonim në burgun e madh, ku ishte i gjithë populli. Nga robëria, përsëri në skllavëri.

Ne nuk ndjenim gëzim fare, pasi kjo nuk ishte liri, përderi sa një popull i tërë, ishte i robëruar, ku shumica e shokëve do të mbeteshin brenda në burg, sa të rronte diktatori! Miniera e zezë, do të treste akoma kushedi se sa kufoma, nga shokët tanë. Ja pse ne lëshonim psherëtima, kur shikonim shokët matanë telave!

I vendoëm dyshekët me kashtë në një qoshe të barakës dhe u ulëm mbi ta. Brenda të burgosurit pinin duhan e kishte aq shumë tym, saqë të merrej fryma. Nga çdo anë dëgjohej kolla e të burgosurve të sëmurë. Në atë barakë pa derë, pa xhama në dritare, do të kalonim dy netë të vështira, por më e vështirë do të ishte nata e dytë, sepse do të dorzonim bataniet. Mëngjezi i 14 nëntorit, ishte i ftohtë me erë dhe shi, që kurr nuk pushoi dhe lart në mal binte borë. Polici lajmëroi që të gjithë të burgosurit të dorzonin batanijet dhe të merrnin lekët tek Financa, ata që kishin. Ata që s’kishin si punaime, u jepnin 150 lekë (të vjetra) për shpenzimet e ditës tjetër.

Aty nga ora 2 e pasdites, pothuaj të gjithë të burgosurit kishim mbaruar punë në dorzimin e batanieve. Shiu sa vinte dhe bëhej edhe më i ftohë, e dukej se do binte borë gjatë natës. Të burgosurit kishin ndezur zjarre kudo brenda barakës për t’u ngrohur, duke u grumbulluar grupe grupe, sipas shoqërive dhe bisedonin, duke pritur me ankth orën e shënua të 15 nëntorit 1982.

Natë e fundit buzë përroit greminë të Spaçit!

Natë e vështirë buzë përroi greminë Spaçit të llahtarshëm. Një natë akoma, një natë me shi dhe borë, një natë për ta gdhirë, duke mos pasur asnjë mbulesë, përveç rreckave që kishim veshur! Të burgosurit që po dilnin gjallë nga ferri, as nuk donin t’ja dinin, duke menduar dhe mbajtur shpresë se ishte nata e fundit e vuajtjeve të tyre.

Ishte dita e fundit pranë shokëve të mi, Xhelal Çami dhe Xhelal Haxhiraj. Rrinim në këmbë nën strehë të barakës, sepse brenda, tymi i zjarreve të mbyste. Rrinim në heshtje duke vështruar shiun që binte pareshtur dhe i përzier me borë. Rrinim në heshtje, vallë nuk kishim ç’të thonim me njëri-tjetrin?! Jo! Mëndjet tona ishin larg dhe ëndërronin për njerzit që na prisnin, mundoheshim të imagjinonin familjet tona.

Unë i lashë në djep ato dy foshnjat e mia, tanimë ishin të rritura, 12 vjeçare, kurse vajzat e motrave të mia që s’kishin lindur, tashmë ishin 10 vjeçare. Edhe familjet tona gjithashtu duhet të ishin në ankth dhe prisnin me padurim që të shihnin njeriun e tyre pas dhjetë vitesh mungese!

Rrinim aty nën strehën e barakës me vështrimin tretur matanë përroit, ku burgu i zi me katër rrethime me tela me gjëmba! Në atë vënd të mallkuar që kishin tretuar rininë tonë, atë vënd që na kish shkrumbuar ëndërrat e djalërisë, atë vënd që na nxorri thinjat para kohe, atë vënd që shkaktoi dhimbje të papërshkrueshme kronike, atë vënd që na shkurtoi jetën.

Sa rënkime, sa ohhhe, sa pshertima, sa ëndrra, sa shpirtra të zhuritur, sa bark tharë nga uria, sa buzë të kyçura për të mos çelur kurrë buzëqeshja, sa sy të përlotur nga malli për të parë njerzit e tyre, nënën, babanë, motrat, fëmijët, sa…,?! Ata mure të betontë, qeli të ftohta akull, ai burg i llahtarshëm me histori tragjike për të gjithë kombnin shqiptar!

Ne tashmë shihnim në heshtje atë vënd të zymtë me një histori të madhe dhe tejet tragjike! Koha u duk sikur u hap pak, shiu pushoi dhe ne filluam të lëviznim nga pak duke bërë shëtitje në atë shesh të vogël, për të ç’mpirë gjymtyrët.

Drejtori i Burgjeve, “këshilloi” ish-komandantin e tij, i burgosur nga 1956-ta

Ndërkohë erdhi Drejtori i Drejtorisë së Kampeve e Burgjeve, Mit’hat Bare, i shoqëruar nga një shpurë policësh. Ai filloi të takohej dhe të bisedonte më të burgosurit dhe ne u afruam të dëgjonim se ç’po thoshte. Xha Iljazi (Ahmeti), plaku 75 vjeçar, ishte ulur te shkallët për t’u çplodhur. Ai kishte qenë kolonel në Ministrinë e Mbrojtjes dhe që nga viti 1956 kur ishte dënuar në Konferencën e Tiranës, e kishte kaluar jetën nëpër burgje.

Tek kalonte aty, Mit’hat Bare e njohu ish-komandantin e tij, që tashmë ishte i plakur dhe i bërë kockë e lëkurë.

-“Hëëë, do lirohesh edhe ti”, e pyeti Mit’hati disi i çuditur!

-“Po, e mbarova burgun dhe pak muaj më kanë mbetur”, i’u përgjigj xha Iljazi.

-“Rri urtë, se vjen prapë këtu”, e këshilloi Mit’hati!

-“Ohh mua më pret burgu i përjetshëm, ai burg që mbledh të gjithë njerzit mbi dhe”, i’u përgjigj xha Iljazi.

-“Ashtu, hëëë…”. i’a ktheu Mit’hati dhe u largua.

Nata po bëhej gjithnjë e më e ftohtë dhe tymi i zi që dile prej zjarreve të ndezur brenda në barake, na qërronte sytë. Kishim mbetur aty nën strehë pa asnjë mbulesë dhe më e keqja ishte se nuk kishim se ku të shtriheshim, veçse në çimento. Kështu e kaluam natën e fundit pa gjumë. Në orën 6 të mëngjezit erdhi aty Kryetari i Degës së Punëve të Brendëshme të Rrëshenit dhe më tepër se 50 policë e ndiqnin nga mbrapa!

Ai dha urdhër që të përgatiteshim për nisje. Ai njoftoi, që rrethi i Gjirokstrës, Tepelenës dhe Sarandës, të paraqiteshin tek porta e madhe ku hynin dhe dilnin kamionët.

U përqafova me Xhelal Çamin dhe Xhelal Haxhirajn, dy shokët, dy miqtë e mi më të ngushtë. U përqafova me të gjithë, duke i lënë lamtumirën njeri-tjetrit.

Si i nxorra 250 faqe dorëshkrime ditën e fundit nga burgu?!

Policët ishin vënë në rresht dhe po kontrollonin të burgosurit kur dilnin nga porta e madhe, për të parë se mos nxirrnin ndonjë dokumentacion! Unë isha në rrezik, pasi mbja me vete një dokumentacion rreth 250 faqe, ku kisha shënuar ngjarjet që kishin ndodhur në Spaç gjatë atyre 10 vjetëve, si dhe disa letra që kisha marrë nga familja.

I futa në hastarin e palltos, duke i sistemuar pjesë-pjesë dhe kur u paraqita tek kontrolli, u dhashë të shikonin dy torbat që mbaja në duar, duke mos u’a dhënë xhaketën që kisha nën sqetull.

Guxim i tepruar dhe me pasoja, pasi ata mund të më kthenin nga rruga e të më fusnin përsëri në burg, në rast se do të m’i zbulonin! Kalova me gjak të ngrirë. Para se të hypnim nëpër makina, Kryetari i Degës së Brendëshme të Rrëshenit, kishte ndaluar aty në postobllok, dhe na kërkonte që ne të gjithë që po liroheshim të firmosnim një deklaratë ku shkruhej: “….që ne hiqnim dorë nga armiqësia me Enver Hoxhën dhe do të shërbenim ku të kishte nevojë Partia”!

Ky ishte një provokim i madh që na bëhej akoma pa dalë nga porta e burgut! Djallëzisë, duhej që t’i përgjigjeshim me djallëzi! Pothuaj të gjithë nga rrethi i Gjirokastrës dhe i Sarandës e firmosën! Vetëm katër vetë nuk e firmosën dhe ata që kundërshtuan prerë, ishin: Bashkim Kodhima, Teli Zhonga, Kosta Qirjako dhe një tjetër që s’ja dija emrin.

Udhëtimi nga Spaçi në Sarandë me makinë të hapur!

Pasi hipëm të gjithë në makinë, i dhanë urdhër shoferit të nisej. Ndërkaq, vështrimi ynë u drejtua nga burgu, ku shokët tanë që mbetën brenda kishin dalë mbi tarracën e banjove dhe na jepnin lamtumirën duke na përshendetur me dorë. Sa të dhimbëshme ishin ato momente, ku disa prej nesh edhe u përlotën…?!

Pas pak makina kaloi kthesën dhe burgu i Spaçit u zhduk nga sytë tanë, ashtu krejt papritur! Vështronim me vëmëndje pejsazhin dimror të luginës si greminë të Spaçit.

Pas më tepër se një orë e gjysëm rrugë, arritëm tek Ura e Fanit. Makina ndaloi tek një dyqan. Shkuam tek “Kafe”-ja për të marrë diçka për të ngrënë. Xhelali kishte 1000 lekë (të vjetra) dhe 600 m’i dha mua. Sa bujar ishte ai njeri i mirë dhe desh u grindëm, por ai m’i futi në xhep me zor!

Unë mora kafe dhe pasi e përzieva me pak sheqer, e futa në gojë. Ndërsa të tjerët merrnin, dikush biskota, dikush byrekë me gjizë.

Rrugës shihnim njerëz që punonin në fushë, disa që ecnin rrugës për të shkuar në punë, ku të gjithë na përshëndetnin duke na e bërë me dorë. Makina pothuaj u boshatis në degën e Punëve të Brendëshme të Gjirokastrës, ku mbetëm vetëm 12 vetë. Nata na zuri që në Tepelenë dhe kur kaluam Qafën e Muzinës, ora ishte 10 e natës. Na u desh edhe një orë që të arrinim në Sarandë. Ishim të lagur të gjithë dhe drithmat e të ftohtit na kish hyrë në palcë. “Skoda”, qëndroi para derës së Degës së Brendëshme dhe ne zbritëm të gjithë gati si të paralizuar nga të ftohtit që na kishte ngrirë si kallkan! U paraqitëm tek Oficeri i Rojes dhe ai dha urdhër që ne të shkonim të flinim dhe të nesrmen në mëngjez të paraqiteshim aty.

E pyetëm se: “Ku do të flemë”?! /Memorie.al

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.