Dëshmia e Cozman në Gjykatë: Drogën e bleva në Tiranë

Jul 8, 2015 | 11:00
SHPËRNDAJE

Gjykata e Tiranës liroi dje nga qelitë e paraburgimit reperin kosovar Ylber Abdullahu, i njohur me emrin artistik Cozman, kundrejt një garancie pasurore prej 5 mijë eurosh.

Tuna e Cozman

Ai u arrestua pas mesnatës së të premtes, pasi kishte me vete një sasi prej 20 gramësh lëndë narkotike kanabis sativa. Reperi i videoklipeve me femra sensuale dhe makina luksoze u paraqit në kafazin e sallës së gjyqit i veshur me tuta të zeza, një bluzë sportive dhe shapka.

Ai nuk dha asnjë deklaratë, duke ia lënë avokatit parashtrimin e argumenteve mbrojtëse. I vetmi moment ku Cozman komunikoi me kryesuesen e seancës, ishte konfirmimi i gjeneraliteteve të tij. Ndër të tjera të dhëna, ai i tha gjyqtares se kishte arsim të mesëm, gjendje civile beqar dhe ishte i padënuar më parë nga ndonjë gjykatë.

Përfaqësuesja e Prokurorisë i kërkoi gjykatës caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për 30-vjeçarin Abdullahu. Sipas prokurores, referuar sasisë së lëndës narkotike që zotëronte Cozman, ai duhet të mbante përgjegjësi për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”.

Përfaqësuesi ligjor i reperit, avokati Marash Ibraj, kërkoi lirimin e klientit të tij, me pretendimin se Cozman është përdorues i lëndës narkotike dhe se sasia ishte vetëm për përdorim personal. Në vijim, mbrojtësi shpjegoi se klienti i tij ishte në një program rehabilitimi për largimin nga varësia e përdorimit të lëndëve narkotike.

Për të faktuar këtë, avokati Ibraj i paraqiti gjykatës një raport mjekësor nga një klinikë në Prishtinë, ku reperi po kurohej për varësinë nga narkotikët. “Kërkojmë lirimin në këmbim të garancisë pasurore, në një shumë që e lënë në çmim të gjykatës”, ishte kërkesa përfundimtare e avokatit Ibraj. Pas tërheqjes në dhomën e këshillimit, gjyqtarja Blerina Muça vendosi lirimin e 30-vjeçarit kundrejt garancisë pasurore në shumën 5 mijë euro. Sipas procedurës, kjo shumë “ngrihet” në një llogari bankare dhe, në rast se i dyshuari i shmanget hetimit, kalon në llogari të Gjykatës së Tiranës. 

DOSJA 
Sipas Prokurorisë, më datë 04.07.2015, rreth orës 02:30, nga shërbimet e Seksionit të Forcave të Posaçme “Shqiponja”, në rrugën “Asim Vokshi”, në afërsi të Dispanserisë, është ndaluar shtetasi Ylber Abdullahu. Në momentin e ndalimit ai ka qenë duke qarkulluar me një automjet tip “Range Rover”, me traga PE 10 SYF. Nga kontrolli i ushtruar ka rezultuar se shtetasi Ylber Abdullahu mbante në prehrin e tij një qese të bardhe të tejdukshme me lëndë narkotike, produkt kanabis sativa, në sasinë prej 20 gramë me gjithë ambalazh. Këto veprime të punonjësve të Policisë janë pasqyruar në procesverbalin e kapjes në flagrancë. Lënda narkotike është sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe i është nënshtruar ekspertimit. 

 

Cozman sot ne Gjykate

 DESHMIA E COZMAN 
Në deklarimet e tij para oficerëve të Policisë gjyqësore, Cozman nuk e ka mohuar për asnjë moment faktin se kishte lëndë narkotike me vete. Sipas dosjes së organit të akuzës, nga pyetja e të arrestuarit Ylber Abdullahu rezulton se ai është përdorues i rregullt i lëndës narkotike dhe se lëndën narkotike e ka pasur për përdorim vetjak.

Reperi ka rrëfyer për oficerët se hashashin e ka blerë te një person i panjohur kundrejt shumës 30 euro. Ai ka treguar se këtë sasi e ka blerë pas një koncerti që ka pasur te Piramida, mbrëmjen e së enjtes.

I arrestuari Cozman ka deklaruar se jeton në shtetin anglez dhe atje është i skeduar dhe i lejuar për të mbajtur një sasi deri në 30 gramë hashash. Ai nuk ka dhënë informacione në lidhje me personin nga i cili e ka blerë lëndën narkotike, duke deklaruar se nuk e njihte atë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura