Dëshira Ahmeti Kërliu: Nga skenat e New Yorkut, te “gara” me familjarët muzikantë

Jan 10, 2019 | 9:55
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Ndoshta ajo e nisi këngën me një krehër në dorë, si gjithë fëmijët që dëshirojnë të këndojnë. Veçse ëndrra e saj nuk do të mbetej aty. Dëshira Ahmeti Kerliu do të studionte kanton në Tiranë dhe të bëhej sopranoja e parë e Operës së Maqedonisë.

dashu-728x430

Ishin të shumta vështirësitë dhe sakrificat, por edhe më e madhe dëshira për të ecur përpara. Sot interpreton në skenat e mëdha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Së shpejti do të jetë në Tiranë për të marrë pjesë në koncertin me rastin e Festave të Nëntorit, me Orkestrën Ndërkombëtare të Albanian Excellence. Sopranoja dibrane na tregon rrugëtimin e saj të gjatë drejt suksesit, rolet, miqësinë me kolegët dhe “garën” e bukur me artistët e familjes, bashkëshortin muzikant dhe vajzën 10- vjeçare, që duket se do të ndjekë rrugën e prindërve.

Si lindi dëshira par t’u marrë me muzikë? Është trashëgimi familjare?

Kam qenë shumë vogël kur këndoja, mbaja gjithë familjen si spektatorë të më dëgjonin me orë të tëra, duke imituar këngëtarë të skenës shqiptare dhe ata të huaj. Në familjen time, të gjithë e donin këngën, më shumë mund të them se gjyshja ime kishte një zë shumë të ëmbël dhe shpesh i këndonte këngët e Shqipërisë së Mesme, mbase i kam ngjarë asaj për dashurinë ndaj këngës dhe talentin. Që në shkollën fillore isha soliste e korit të shkollës, ku këndoja këngë të repertorit të festave, shkollore apo shtetërore, që organizoheshin ato vite për stafetën dhe pionierët. Isha shumë e angazhuar me këto koncerte që zhvilloheshin ato vite në qytetin tim të bukur, Dibër. Më vonë u krijua dhe shoqëria kulturo-artistike “Haki Stërmilli” dhe aty këndoja këngët qytetare, popullore në koncertet që organizoheshin ato vite. Vazhdova me këtë intensitet, deri në shkollën e mesme dhe pasi mbarova shkollimin e mesëm, nisa studimet në Akademinë e Arteve të Bukura, dega e Kantos, në Tiranë. Kështu, ëndrra që kisha si fëmijë, filloi të bëhej realitet, që një ditë të bëhesha këngëtare profesioniste.

Bota e artit është e ashpër, si keni mundur të çani në të dhe të bëheni e suksesshme?

Është e vërtetë që bota e artit është sa e bukur, aq edhe e ashpër. Të çaje në këtë rrugëtim të gjatë, të pafund nuk ishte aspak e lehtë, sidomos kur kërkon gjithnjë e më shumë nga vetja, nga puna dhe suksesi që kërkon të arrish në skenat botërore. Kam pasur vështirësi që në fillimet e mia si profesioniste, kur kërkoja të punoja si soliste në Teatrin e Operës dhe Baletit të Maqedonisë. Aty u gjenda e vetme, pa asnjë përkrahje. Bëra audicionet dhe fillova si soliste e roleve kryesore. Vështirësitë ndikoheshin nga politikat e ngatërruara në vendin tim, që reflektoheshin dhe në art e kulturë. Nuk gjeta asnjë artist tjetër në atë institucion për gjithë këto vite. Fillova e para dhe vazhdoj të jem e vetmja soprano e emëruar soliste e roleve kryesore pranë Operës së Maqedonisë. Gjatë punës në këtë institucion, për gati 15 vite, unë realizova shumë role dhe koncerte, duke thyer shumë barriera që ishin krijuar aty.

Çfarë keni sakrifikuar për t’ia arritur synimit që i kishit vënë vetes?

Kam sakrifikuar shpeshherë punën time, duke kënduar nëpër Akademi solemne Himnin Shqiptar, që nuk lejohej ato vite zyrtarisht, më pas koncertet me vepra shqiptare, që kam organizuar, duke ftuar solistë nga Tirana dhe Kosova. Kemi pasur trazira që më kanë ndjekur gjatë karrierës sime, deri sa është normalizuar situata ndëretnike në vend. Ka edhe shumë e shumë raste, të cilat nuk do t’i përmend, sepse mendoj se kanë ndryshuar shumë gjëra në Maqedoni dhe koha ecën përpara për të rinjtë dhe jetën e qytetarëve.

Nga Maqedonia keni arritur në skena më të mëdha, deri në Metropolitan… Si u bë e mundur kjo? Përveç talentit dhe punës, duhen lidhjet e duhura apo edhe pak fat?

Unë pata fatin të jem një nga studentët e dalë nga duart e artistes së madhe Nina Mula, që më dhuroi një të ardhme të sigurt nga dija e saj si mësimdhënëse dhe plot eksperiencë si soliste e Teatrit të Operës të Tiranes, “Artiste e Popullit”, që e njohin jo vetëm shqiptarët kudo në botë, por dhe të huajt. Ajo më dha siguri dhe më shumë guxim për të realizuar role të mëdha e koncerte dhe për të vazhduar dhe në SHBA. Kur artisti arrin sukses në vendin e tij, nuk e ka shumë të lehtë të përballet në një vend te huaj, ku konkurrenca është më e madhe. Por ndryshe nga shumë vende të botës, Amerika i hap dyert për të gjithë njëlloj. Kur ti vlen, të hapen dyert e mëdha. Unë kam vazhduar dhe një specializim vokali, me profesorë amerikanë dhe kam arritur të këndoj në skenat prestigjioze si “Carnegie Hall”, “Alice Tully Hall”, Lincoln Center, “Town Hall”, Manhattan, “The Performing Center”, Simphony Space etj. Gjithashtu, kam performuar në Toronto e Montreal në Kanada, etj. Pra, përtej oqeanit. Në Europë kam performuar në disa qendra të ndryshme si Hamburg, Mynih, Berlin, Ravena-Itali, Cyrih, Telaviv, Shibenik, Split, Sofje etj. Të gjitha këto nuk mund të realizohen pa mund e punë, prova të përditshme dhe kontrolle nga një couch- trajner, që të stërvit vokalin. Edhe kur nuk ke për të kënduar atë ditë, duhet ushtruar sikur ke koncert! Pra, është një profesion që nuk bëhet me lidhje, por vetëm me mund e sakrifica nga vetja dhe familja, që të financon dhe të përkrah, sepse të mos harrojmë, ky zanat është shumë i shtrenjtë për t’u “mirëmbajtur”.

Ç’raporte keni me artistët e tjerë shqiptarë që po bëjnë sukses nëpër botë në muzikën klasike?

Në përgjithësi, kam shumë raporte të mira me kolegët këngëtarë. Disa i kam pasur në klasë në Akademi dhe jam shumë e lumtur që kanë arritur majat e skenave botërore. Një prej tyre është tenori i famshëm Josif Gjipali, një zë i rrallë dhe i fuqishëm, Sokolin Asllani-bariton në Vjenë, Kreshnik Zhabjaku-bariton që jeton në SHBA dhe ka arritur një sukses shumë të madh në skenat amerikane. Por kënaqësinë më të madhe ma jep miqësia që kam me artisten e madhe, sopranon Inva Mula, me të cilën kemi realizuar dhe një koncert Gala në New York, në zemër të Manhattanit, në “Town Hall”. Një koncert që bëri bujë në Amerike, si një event historik, që do të mbahet mend me vite. Gjithashtu, nga Inva kam pasur ftesë dhe për koncertin e madh të organizuar prej saj për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, të quajtur “Rrugëtimi i Kombit”, ku morën pjesë artistë shqiptarë të suksesshëm kudo nëpër botë.

Cili është raporti me skenën e Tiranës? Keni pasur ftesa? Do donit të ishit më e pranishme?

Me skenën e Tiranës kam pasur raporte të mrekullueshme. Para disa viteve realizova disa koncerte dhe role në Teatrin e Operës së Tiranës, e ftuar nga Maestro Zhani Ciko, ku realizova rolin e Donikës tek Opera “Skënderbeu” dhe disa koncerte gala. Kam qenë e ftuar edhe nga Maestro Oleg Arapi, dirigjent dhe drejtor artistik i Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar. Viteve të fundit kam qenë më tepër e fokusuar në projektet në SHBA.

Shumë shpejt do të vini në Tiranë, si një nga “zonjat që bëjnë Shqipërinë”, organizuar nga “Albania Excellence”, por dhe për të arrë pjesë më një koncert ekskluziv i organizuar prej saj. Ç’do të thotë kjo për ju?

Këtë vit mora ftesën nga Flora Nikolla, presidente e “Albanian Excellence” si dhe “Zonjat që bëjnë Shqipërinë”, për të marrë pjesë në një koncert të madh kushtuar Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, me një orkestër ndërkombëtare, që Flora e ka krijuar për herë të parë në Shqipëri. Jam e ftuar si soprano, për të interpretuar dy vepra shqiptare dhe të huaja. Kjo ftesë më ka gëzuar shumë, sepse i kam munguar gjatë publikut shqiptar dhe se Tirana është qyteti i ëndrrave të mia. Urime Florës për sukseset dhe këto ide të realizuara prej saj! Vitin e kaluar, Flora realizoi në New York “Zonjat që bëjnë Shqipërinë”, që u prit me shumë entuziazëm. Nuk është e lehtë aspak të marrësh guximin për këto projekte kaq ambicioze, por Flora ia arriti vërtet me shumë sukses.

Zakonisht, sopranot i kanë disa role që janë “kali i betejës” për to. Jeni më shumë Violetë, Mimi, Gilda, Cio Cio San…?

Për një artist është e vështirë të veçojë rolet e veta, sepse të gjitha janë të bukura, me dramën e tyre, linjën e të kënduarit, elegancën në skenë dhe një kompleks elementesh të rrethuara me art dhe shpirt. Kam realizuar role të ndryshme nga kompozitorë të ndryshëm si Leonora te “La Forza del Destino” e Verdit, Liu te “Turandot” e Puçini-t, Santucën te “Cavalieria Rusticana” e Mascagni-t, Pamina te “Magic Flute” e Mozart, Donna Ana te “Don Giovanni”, etj. Por atë që do të veçoja në këtë rast, është roli të cilin do ta realizoj në shkurt të vitit 2019: “Toska” nga Puçini.

A është i mundimshëm realizimi dhe krijimi i një roli?

Realizmi i një roli ka shumë mund dhe shumë emocion. Emocioni nis që kur lexon partin. Fillon të mësosh çdo notë dhe të hysh në karakterin e personazhit. Është një punë shumë e bukur, është një emocion që e përjeton në çdo moment kur fillon e këndon atë, por dhe përkushtim në çdo aspekt, si me provat, ashtu dhe me mirëmbajtjen e shëndetit, zërit, që të mos të dështojë asgjë nga ajo që ke studiuar. Që kur hyn në skenë dhe deri sa mbyllet perdja në fund të shfaqjes, jemi të stresuar dhe të fokusuar dhe kjo të harxhon shumë shpirtërisht. Por të nesërmen je i akumuluar dhe përsëri gjithçka është si në fillim…

Sa ndihmon familja në ngritjen e një karriere?

Familja është kryesorja për ndihmën që i duhet një artisti. Pa përkrahjen e familjes, është sikur je me një krah të këputur për të fluturuar, për të zotëruar atë skenë. Në jetën time kam fatin që kam pasur familjen që më ka ndenjur pranë gjithmonë, që në studimet e mia dhe deri tani që jam e martuar dhe nënë e një vajze 10-vjeçare. Gjithçka është në harmoni për punën time, përkushtimin tim dhe deri në daljen në skenë.

A ka “garë” profesionale brenda familjes?

“Garë”, po, ka, në kuptimin e mirë të fjalës. E garojmë njëri-tjetrin se si duhet të ecim përpara. Bashkëshorti im, Ariani, i cili është një këngëtar i muzikës POP dhe asaj Evergreen, është kitarist shumë i mirë dhe ka bërë karrierë në Amerikë dhe më gjerë. Ai e njeh shumë mirë muzikën dhe është kritiku im më i madh, dhe kjo mua më ndihmon të eci përpara, ndërsa vajza, Dea, është e talentuar, ka filluar me aktivitetet e saj, audicionet për këndim, aktrim dhe plot ambicie për të ardhmen. E gjitha kjo është vërtet një “garë” në familje, duke vrapuar pas njëri-tjetrit dhe secili për veten e vet në zgjedhjen e zhanrit.

Cili është projekti i radhës? Përse po punoni tani?

Sapo të mbaroj me koncertin në Tiranë, do jem në Shkup për të realizuar dhe atje një koncert dhe më pas kam rolin e Mimisë te “La Bohem” dhe operën “Toska”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura