Dervishi: Kukësi nuk është pretendent. Partizani të mos kthejë më në drejtim “fantazmat”

Sep 12, 2017 | 20:26
SHPËRNDAJE

Ish-drejtori i Kukësit dhe Partizanit, Dritan Dervishi, analizon dy ekipet që përballen këtë javë dhe të cilët i njeh mirë pasi ka qenë në krye të tyre në vitet e fundit. Dervishi thekson se Kukësi është më i dobët se ai i sezonit të kaluar. Edhe pse ka respekt për trajnerin Mladen Milinkoviç, ish-drejtuesi shprehet se ai do ta ketë shumë të vështirë të punojë te Kukësi dhe të arrijë ato çka do me këtë ekip. Ndërsa për Partizanin thotë se klubi duhet të jetë i pari dhe të mos ketë asnjë lojtar mbi klubin dhe grupin. Dervishi thotë se trajneri Mark Iuliano dhe reformat e Gaz Demit duhen mbështetur.

dritan dervishi

Dritan, si një ndër themeluesit e Kukësit kampion, ekipi i sotëm çfarë ka të përbashkët me atë që latë ju?

Besoj se ka pak nga ai ekip, gjysma e formacionit që ka mbetur, pasi në këtë ekip mungojnë Lena, Karioka, Pejiç, Emini, Dvorkonoviç, Hasani dhe e vështirë të zëvendësohen, por në ndryshim nga ekipi aktual ne ishim të uritur për të arritur objektivin, kurse Kukësi i sotëm është një grup i ri që do kohë të arrijë atë ekip.

Si e keni parë Kukësin në këto dy takime, ndaj Tiranës në Superkupë dhe Kamzës në sfidën e parë të kampionatit?

Kam parë një ekip në vështirësi për të shprehur lojën që trajneri kërkon. Me Tiranën i shpëtoi Koliçi me pritjet e tij, me Kamzën pashë një ekip të frikësuar pa ide në lojë.

A ka presion Milinkoviç dhe çfarë përshtypjesh keni për këtë trajner?

Çdo teknik ka presion, po të mos kesh presion duhet të ndërrosh zanat. Ka presion nga shtypi, tifozët dhe klubi. Megjithatë, mendoj se është trajner i përgatitur dhe profesionist, por ka një detyrë të vështirë, pasi po krijon një grup të ri me mentalitet sulmues, por vështirë se e mbaron këtë detyrë.

gjici lika dervishi

Çfarë doni të thoni se vështirë ta mbarojë këtë detyrë?

Te Kukësi presin që ai të fitojë të gjitha ndeshjet, por me këtë ekip të ri që ka, këtë detyrë e shoh të pamundur. Në sezonin e kaluar, kur po formatonim ekipin e ri, kjo ka qenë arsyeja që unë këmbëngula që të mbanim ekipin e një sezoni më parë me disa ndryshime që bëmë për mirë, për ta forcuar skuadrën si me Allën, Lenën apo Gurin dhe na rezultoi se bëmë gjënë e duhur.

Është Kukësi i këtij viti pretendent serioz për kampion?

Kukësi është rival për kampion, por jo pretendent, pasi Skënderbeu dhe Partizani janë më lart. Mendoj se Kukësi nuk e mbron dot titullin këtë vit. Një aspekt tjetër negativ për Kukësin është fusha. FSHF duhet të ndërhyjë për të detyruar klubin e Kukësit që të investojë në fushën e tij, pasi nuk mund të vihet në diskutim shëndeti i lojtarëve dhe spektakli në fushë. Ajo fushë është tërësisht e amortizuar.

Po Partizanin si e patë në një ndeshje shumë të keqe që zhvilloi?

Rezultat shumë i keq, por, po të analizojmë lojën, nuk e meritonte humbjen, në futboll fiton kush shënon dhe gabon më pak se kundërshtari.

Një fillim i keq për Partizanin, edhe pse ka tashmë trajner Iulianon, si e shikoni të ardhmen e të kuqve?

Lojtarët duhet të bëjnë një pakt me veten dhe me njëritjetrin që fanella vjen e para dhe interesi personal mbrapa. E shoh të vështirë, por jo të pamundur që Partizani të arrijë objektivat. Iuliano duhet përkrahur nga i gjithë grupi dhe mos lejohet asnjë lojtar të dalë mbi grupin. Partizani e ka për detyrë morale të jetë pretendent. Duhet të shikojë përpara dhe mos kthejë kokën mbrapa dhe të mos lejojë fantazmat që e kanë dëmtuar të kthehen përsëri në drejtim të klubit, por të vazhdojnë përpara me trajnerin Iuliano dhe me reformat që ka nisur presidenti Demi.

demi starova dervishi partizani

Kush janë këto “fantazma” që nuk duhen lejuar?

Janë ata që e kanë dëmtuar ekipin nga ana sportive, apo edhe klubin nga ana e imazhit. Ata që e përdorën Partizanin dhe presidentin për interesa personale duke sulmuar pa shkak të gjitha institucionet dhe drejtuesit e saj. Prandaj e theksoj që Partizani duhet të vazhdojë me reformat e nisura.

Si e shikoni ndeshjen Partizani-Kukësi të kësaj jave, cila skuadër fiton?

E shikoj një ndeshje të ekuilibruar, por mendoj se fiton Partizani, pasi ka një Sukaj dhe një ekip superior në krahasim me këtë Kukës.

SKERDILAID SULOZEQI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura