Zbardhet raporti sekret/ Dervishi: Çfarë duhet të ketë kujdes Shqipëria në marrëdhëniet me Greqinë

Mar 20, 2018 | 19:56
SHPËRNDAJE

Ish-ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Athinë, korrik 2010-prill 2018, Dashnor Dervishi, gjatë fjalës së tij në Komisionin e Jashtëm dhe të Sigurisë të Parlamentit shqiptar, më 8 korrik 2014, ka kërkuar që problematikat me Greqinë, të cilat në atë kohë kishin nisur të trajtoheshin mes dy palëve, të mos kufizoheshin vetëm brenda kufijve të diplomacisë, por përmes një gjithëpërfshirjeje të politikës dhe të opinionit në tërësi.

Diplomati Dashnor Dervishi
Diplomati Dashnor Dervishi

Gazeta “Panorama” boton të plotë raportimin e ish-ambasadorit tonë në Athinë, ku vihet re dhe propozimi i tij si një diplomat me shumë përvojë për uljen e tensioneve të brendshme të shkaktuara nga qëndrimet e kundërta të përfaqësuesve të komunitetit çam dhe të minoritetit grek në Shqipëri. Ambasador Dervishi u kërkon përfaqësuesve të këtyre dy komuniteteve në Parlamentin shqiptar të unifikojnë qëndrimet e tyre në funksion të çështjes kombëtare dhe të stabilizimit afatgjatë të marrëdhënieve tona me Greqinë. Si të raportonte tani në Kuvend, ish-ambasadori ynë në Athinë shprehet para Komisionit të Jashtëm se “për të pasur zgjidhje të përjetshme, ato kërkojnë transparencë, komunikim, krijimin e besimit reciprok, pa vendosur kushtëzime, në mënyrë që në fund të dyja palët të ndihen të fituara”.

DASHNOR DERVISHI 

Marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë janë shumëdimensionale. Është e vështirë që ato të trajtohen tërësisht me një dëgjim në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit tonë. Greqia është cilësuar si një partner strategjik nga politika jonë e jashtme, ndërsa pala greke ka shkuar edhe më tej, duke e cilësuar Shqipërinë jo vetëm një partner strategjik, por edhe vital. Ky qëndrim është shprehur disa herë në takimet e ministrit tonë të Jashtëm në Athinë, nga Presidenti Papulias dhe MPJ grek, Venizellos.

Mbas nënshkrimit dhe anulimit nga Gjykata Kushtetuese të marrëveshjes për delimitimin e detit, në marrëdhëniet tona dypalëshe pati një “ngrirje”, kryesisht të imponuar nga pala greke, them “kryesisht” pasi edhe pala jonë pothuajse iu përshtat kësaj situate, menjëherë mbas anulimit të marrëveshjes, në mungesë të argumenteve për të zhbllokuar gjendjen e krijuar. Ndërkohë, opinioni në të dyja anët e kufirit u tensionua nëpërmjet frymës “anti”, e ushqyer nga masmedia, por edhe nga deklaratat e herëpashershme të politikës, tonet e së cilës u ngritën mjaft edhe në vendin tonë, sidomos gjatë vitit të festimeve me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, kur pasionet ekstremiste të nacionalizmit i futën partitë politike në një garë të paparë me njëra-tjetrën, për të shpalosur patriotizmin e tyre.

papulias dervishi

Megjithatë, në linjën tonë diplomatike, jemi përpjekur të ruajmë konstanten e normalitetit të marrëdhënieve, duke zbutur tonet dhe duke anashkaluar incidentet, aq shumë të kërkuara nga shtypi. Ndryshimi i maxhorancës qeverisëse, një vit më parë, ishte një “modus vivendi”, i dëshiruar nga të dyja palët, për t’iu kthyer normalitetit të bashkëjetesës nëpërmjet komunikimit si dy vende fqinje. Në gusht të vitit të kaluar (2013), Rama, si Kryeministër i sapozgjedhur, theu akullin me vizitën e tij informale në Athinë. Më tej, ajo u ndoq nga një sërë vizitash në nivele të larta: Presidenti Papulias dhe MPJ Venizellos në Shqipëri, kryetari i Parlamentit në Tiranë, si dhe vizitat e pjesës dërmuese të ministrave tanë në Athinë. Këtë klimë bashkëpunimi dhe komunikimi e favorizoi edhe marrja e presidencës së BE-së nga Greqia dhe nevoja për të përmirësuar imazhin e saj në rajon, si faktor konstruktiv me fqinjët. Ndërkohë, janë edhe faktorë të tjerë që e bëjnë të mundur krijimin e klimës dhe të imazhit pozitiv të marrëdhënieve midis Greqisë dhe Shqipërisë.

Pa u zgjatur në listimin e tyre, po përmend vetëm disa: realitetet e reja gjeostrategjike në rajonin tonë; faktori shqiptar në rajon, i faktorizuar nga procesi i Berlinit; marrëdhëniet e tendosura të Greqisë me Maqedoninë dhe Turqinë; dinamika e re në marrëdhëniet e Greqisë me Serbinë dhe Turqinë për shkak të mbështetjes që i japin qeverisë së Gruevskit në Maqedoni; ngjarjet në botën arabe, Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë; vetë kriza greke, që përveçse në ekonomi e financa, po shtrihet me pasojat e saj edhe në jetën sociale dhe politike; përfshirja e të dyja vendeve tona në rrjetin energjetik europian nëpërmjet gazsjellësit TAP.

Nga ana jonë, këtyre faktorëve i shtohet si një konstante e përhershme nevoja për të përballuar çështjet dhe kërkesat e shumta të emigrantëve tanë në Greqi, të cilët e bëjnë të ndjeshme qeverinë dhe opinionin e vendit tonë, sa herë që mbi ta ushtrohet ndonjë presion nga administrata greke. Duhet theksuar se ka një hap të madh cilësor në marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Në takimet e shumta dhe bisedat e zhvilluara, veçanërisht vitin e fundit, tezat dhe axhendat e të dyja palëve janë hedhur mbi tavolinë, janë bërë transparente.

Tashmë, mund të thuhet se nuk ka më “sekrete” midis nesh. Një pjesë e mirë e problematikës është bërë publike dhe zë pjesën më interesante të analizave dhe debateve në masmedia. Në këtë debat nuk ka më rezerva dhe tabu; ç’kishte për të thënë, është thënë.

Në qoftë se para disa vitesh vetëm të përmendej fjala “Çamëri” përbënte lajm, tani kërkohet shumë më tepër, pasi kemi hyrë në fazën e kërkimit dhe gjetjes së formulave për zgjidhjen e tyre; jo duke u kapur nga incidente banale, që në të dyja vendet tona fqinje me ngarkesa historike janë të shumta, por duke u nisur nga thelbi i tyre, nga shkaqet që i gjenerojnë ato. Një nga këto probleme, që deri dje pëshpëritej nëpër korridore, është Ligji i Luftës; tashmë nuk është më një “patate e nxehtë”.

Në Athinë është kuptuar se është një ligj anakronik që duhet anuluar. Anulimi i tij do të çlirojë shumë energji pozitive dhe një pjesë e mirë e çështjeve që janë në axhendat tona do të futen në procesin e zgjidhjes, si derivate të saj.

Që zgjidhjet të jenë të përjetshme, ato kërkojnë transparencë, komunikim, krijimin e besimit reciprok, pa vendosur kushtëzime në mënyrë që në fund të dyja palët të ndihen të fituara. Në takimin që ministri ynë i Jashtëm, Bushati, pati me Kryeministrin grek, Samaras (që përfaqëson të djathtën greke), Samaras, përveç xhentilesës formale, vuri në dukje ndryshimet dhe evoluimet e gjendjes në Shqipëri, si dhe nevojën e reflektimeve në marrëdhëniet tona. “Unë, tha ai, mbaj akoma në kujtesën time takimet e vështira me Reiz Malilen, kurse sot kam përballë një lidership të ri, që vjen nga shkollat europiane… Greqia ka vuajtur shumë nga paragjykimet europiane”, vazhdoi ai. “Kjo gjë nuk ka pse të ndodhë edhe me Shqipërinë. Marrëdhëniet tona duhen parë në mënyrë integrale, me vizionin e së ardhmes europiane, ku do të gjejnë zgjidhje edhe çështjet që mbajnë peng këto marrëdhënie, siç është edhe ajo e detit”.

Në marrëdhëniet midis shteteve, sidomos midis fqinjëve, janë interesat strategjike kombëtare ato që mbizotërojnë. Ato mbeten një konstante e përhershme, që marrin ngjyra të ndryshme, në konjuktura pragmatike të dinamikës së zhvillimeve, që nga ato globale e deri te shtëpia jonë. Ato janë objektive dhe me interes e përfitim reciprok, ndërsa roli ynë si diplomatë mbetet subjektiv, jo përcaktues; ndaj nuk ka nevojë për shumë lutje e falënderime apo duke i shpjeguar ato si rezultat i miqësive personale: se unë i thashë atij e ai më tha mua, se ai më do mua, e të tjera si këto.

Në mënyrë të veçantë, me Greqinë dhe vendet e tjera fqinje, trajtimi i marrëdhënieve strategjike i kalon kufijtë e diplomacisë, ato kërkojnë një gjithëpërfshirje të politikës dhe të opinionit në tërësi.

Krijimi i besimit, largimi nga paragjykimet, vështrimi përpara me vizion europian janë elementë të rëndësishëm në marrëdhëniet e vendit tonë me Greqinë. Pa mohuar kompleksitetin problematik grek, po marr rastin e thjeshtë që u krijua me toponimet; një kërkesë që është paraqitur nga pala greke 4 vjet më parë (2010), gjë që është bërë edhe me vendet e tjera fqinje të saj. Ndërkohë që Turqia, Maqedonia dhe Bullgaria e zgjidhën këtë problem në mënyrën më të thjeshtë, në kohën dhe vendin e duhur, ne e neglizhuam. Mbas dy vjetësh, kur na u desh të prodhojmë pasaportat biometrike, duke marrë shkas nga disa abuzime absurde me vendosjen e emrit të krahinës si vendlindje, ndjeshmëria u rrit dhe filluan pengesat në kufi, ndalesat e fëmijëve të emigrantëve, gjë që solli politizimin dhe acarimin e situatës.

E ndodhur nën presionin e kërkesave të emigrantëve tanë në Greqi, diplomacia jonë u vu në vështirësi ndaj palës greke, duke kërkuar më shumë tolerancë e mirëkuptim ndaj emigrantëve tanë, etj. Duhej vendimi kurajoz i MPJ, që arriti të zbusë situatën, si me institucionet brenda vendit, ashtu edhe me partnerët grekë, duke gjetur zgjidhjen përfundimtare dhe racionale të problemit të toponimeve, në interes të qytetarëve tanë, duke shmangur një kosto të panevojshme për shtetin dhe qytetarët tanë. Si ky shembull ka edhe shumë të tjerë, që ngjarje të rëndomta, që fillojnë nga një kishë fshati, me një varr, apo me nervozizmin, apo personalizimin e një polici në kufi, marrin karakter ndërshtetëror në marrëdhëniet tona.

Pasi gjendet gjithmonë një polic, një kriminel apo një hajdut, që bëhet shkak për të bërë sherr. Po ashtu, edhe ndonjë politikan, me interesin për t’u faktorizuar apo ndonjë komunar, me interesa të ngushta pronësie, filozofë e analistë të tipit Nikolas Gejxh, që mbahen gjallë me historira të së kaluarës, me konotacione negative në dinamikën e zhvillimeve aktuale, që tirren e shtjellohen, në kërkim të teorive konspirative, aq të pëlqyera nga mediat e të dyJA palëve. Qeveria shqiptare dhe MPJ, në marrëdhëniet me Greqinë, përveç interesave strategjike të sigurisë kombëtare, duhet të trajtojë edhe tri elemente që lidhen me problematikën që krijohet nga faktorë të politikës së brendshme: minoriteti grek në Shqipëri; çështja çame; emigracioni shqiptar në Greqi.

Minoriteti grek nga njëra anë dhe popullsia çame nga ana tjetër, janë dy realitete të pranishme në Shqipëri, që kërkojnë dhe i bëjnë presion qeverisë shqiptare për zgjidhjen e problemeve të tyre: të parët, si qytetarë shqiptarë, i kërkojnë qeverisë sonë të drejtat e tyre si minoritarë të etnisë greke, me mbështetjen e Greqisë si shtet amë; të dytët i kërkojnë përsëri qeverisë shqiptare të zgjidhë kauzën e tyre ndaj dhunës së ushtruar nga qeveria greke, kur këta ishin nënshtetas të saj, por tani në emër të çështjes kombëtare dhe si qytetarë shqiptarë (të drejtat e njeriut, për pronën, etj). Qeveria shqiptare është nën presionin edhe të emigracionit shqiptar në Greqi, i cili pavarësisht se banon dhe punon atje, sytë i mban nga Shqipëria, në kërkim të mbështetjes për zgjidhjen e problemeve, që vetë emigracioni i mbart.

Ndryshe nga diaspora e vjetër, emigracioni i mbas viteve ‘90, mbasi ka lënë vendin për një jetë më të mirë, vazhdon të kërkojë nga vendi i tij zgjidhjen e halleve të veta, atje ku është. Dy faktorët e parë përfaqësohen në Parlamentin shqiptar me rreth 15 deputetë; faktori i tretë, ende jo, me gjithë presionin e tyre mbi politikën shqiptare, që u a premton në prag të çdo fushate elektorale. Këta janë faktorë që në punën tonë mbahen mirë parasysh.

Kjo punë do të lehtësohej shumë nëse dy faktorët e parë do të shkonin drejt unifikimit të qëndrimeve të tyre, në funksion të çështjes kombëtare dhe të stabilizimit afatgjatë të marrëdhënieve tona me Greqinë; për të mos thënë atë që asnjeri nuk do ta dëshironte, kur politika bën të kundërtën, në funksion të mbajtjes me çdo kusht të numrave në parlament. Presidenca greke e BE-së këtë 6-mujor u mbyll. Shqipëria mori statusin e vendit kandidat për në BE nën këtë presidencë.

Ministri i Jashtëm grek, Venizellos, në ceremoninë e mbylljes së Presidencës greke, u ndodh përballë presionit “anti” në Greqi, që e akuzoi se i bëri nder Shqipërisë duke e mbështetur për statusin e vendit kandidat pa marrë asgjë, si për marrëveshjen e detit, ashtu edhe për minoritetin grek. Dhe në fakt, pa u mbyllur akoma ceremonitë e rastit, retorika e marrëdhënieve dypalëshe ka dalë përsëri në evidencë. Këtë radhë, për shkak të reformës administrative nga njëra anë dhe të sloganeve nacionaliste, me rastin e përkujtimeve për 70-vjetorin e shpopullimit të Çamërisë, nga ana tjetër. Këtë muaj kishim programuar mbledhjen e komisioneve të librave dhe atë të varrezave, por pala greke ka kërkuar shtyrjen për në muajin shtator.

Megjithatë, parashikohet që pala greke të kërkojë përsëri shtyrje, pasi në kushtet e vështira të negociatave që ajo po bën me BE dhe Gjermaninë për shkak të borxheve, nuk e shikon të përshtatshme të negociojë probleme themelore me fqinjët, në kushte jo të favorshme për të.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura