Dermatologia Alketa Toni: “Ju nuk keni nevojë për estetist, por për psikolog”

Apr 15, 2015 | 11:33
SHPËRNDAJE

Një estetiste ndryshe nga të tjerat, një mjeke dermatologe që u kundërvihet të gjitha ndërhyrjeve të tepruara. Asnjë gjë të ngjashme nuk tregon Alketa Toni, me këshillat klishe të qendrave estetike; jo, ajo refuzon t’i pranojë, sado që në sallonin e saj, vajza e djem të prekur nga manitë, hyjnë e dalin përditë…

I bëri edhe kjo dhëmbët! Po mirë i kishte, ç’pati?! Ndofta ka lëmuar edhe pak hundën? Sepse mollëzat është e qartë që nuk janë ato të mëparshmet… Dakord por, pse një ditë duket e rënë dhe e pagjumë ndërsa tjetrën sikur i ka lindur dielli mbi supe?! Të gjitha pyetjeve si këto o të ngjashmeve të tyre, po u përgjigjemi me ndërhyrjet që, femrat e gjithmonë e më shumë edhe meshkujt, po u nënshtrohen. Janë të shumta rastet kur nuk arrijmë të njohim një personazh ekrani në një kopertinë reviste, o qoftë edhe prej transmetimit ku jemi mësuar ta shohim gjithnjë. Çfarë po ndodh me estetikën, me gjithë këto ndërhyrje që duken rrugë pa krye? A janë mjekët e specializuar gjithnjë pro tyre apo u binden kërkesave të klientëve, me parimin që, ky i fundit ka gjithnjë të drejtë?! Alketa Toni, mjekja dermatologe, na tregon për disa përvoja të sajat, që nuk janë fare të pakta, kur nuk është dakord të bëjë atë çka i kërkohet, e megjithatë, në fund, e bën.  

“Varësia ndaj ndërhyrjeve estetike po bëhet e pandalur! Rritja e nivelit të cilësisë së jetesës në kohët moderne, na ka mundësuar përdorimin e aftësive të teknologjisë apo mjekësisë për t’u bërë më të shëndetshëm, më të fortë e pse jo, edhe më të bukur. Në këtë kontekst, kozmetika-estetika plastike u jep njerëzve mundësinë e përmirësimit të karakteristikave të jashtme, me efekte të dukshme në rritjen e vetëbesimit, si dhe në përmirësimin e mundësive sociale. Por nuk janë të pakta rastet në kërkim të ndërhyrjeve të njëpasnjëshme (të përsëritura) shumica e të cilave nuk janë fare të nevojshme, madje natyrshëm mund të çojnë në gabime apo komplikime të ndryshme”. Kur e pohon këtë, Alketa ka ndërmend, së pari, atë çka fshihet pas sjelljeve të tilla që janë kthyer në mani. Pse shumë njerëz sot (sidomos femra) kërkojnë të gjejnë veten e humbur në ndërhyrje të tilla?! A po e bazojnë këta njerëz, personalitetin në imazhin e tyre; në atë se si do duken në sytë e të tjerëve? “Janë faktorë të ndryshëm besoj dhe kryesori lidhet me personalitetin. Në varësi, sigurisht, me mjedisin e gjerë kulturor, i cili luan rol të madh. Fillimisht mbështetja në kirurgjinë kozmetike ishte dëshira për t’u dukur më të rinj, por tani nuk është më e vetmja. Shumë njerëz e kanë kapërcyer këtë nocion dhe besojnë tani se me një pamje të mirë, mund të ndryshojë jetën e tyre, konsiderojnë ndryshimin e imazhit si ndryshim që do të ndikojë, përmirësojë, personalitetin e tyre”. Këtë, Toni e thotë pas qindra përvojash që kalon përditë nëpër duar. I qëllon sa herë që klientët, kur shkojnë tek ajo, të kenë vetëm një frazë në mendje, “dua të dukem si ai/ajo”.  
“Ky është tregues i qartë i mungesës së theksuar të vetëbesimit apo vetërespektit. Mendoj se ky është një nga kërcënimet e mëdha të kohës sonë, ai që unë quaj barbarizëm estetik. Uniformizimi i stilit, mendimit, të folurit, muzikës, argëtimit dhe sidomos imazhit. Edhe ky stil të imponohet plotësisht. Bëhet slogan propagandistik, epidemi që, bazohet në efekte, truke, sugjerime etj… Sa më shumë i humbur të ndihet njeriu brenda vetes, aq më shumë shkon drejt të tillave tendenca e aq më shumë ‘rrënohet’ bota. Është e rëndësishme të kujtojmë se, të gjithë ne, ka raste që ndiejmë nevojën për t’u dukur më bukur. Autokritika e arsyeshme ndihmon sigurisht në ndryshime pozitive të pamjes sonë, pa pasur nevojën e masave të tilla radikale siç janë ndërhyrjet e njëpasnjëshme plastike. Njerëzit që janë të varur nga këto ndërhyrje, mendoj, kanë probleme me mënyrën e të menduarit e jo me pamjen. Nuk kanë për të arritur kurrë te përsosmëria imagjinare. Pra, në rastet më të shumta këta njerëz kanë nevojë për ndihmë psikologjike e jo estetike”.


Manitë e reja të burrave
Nëse një ditë vendosni të ndiqni burrin a babanë tuaj, mos u çudisni nëse e shihni të futet në ndonjë hyrje pallati. D.m.th, mos dyshoni sepse aty nuk është apartamenti i të dashurës, është vetëm estetistja. Gjithnjë e më shumë, meshkujt po frekuentojnë sallonet për të bërë lëkurën e tyre të duket më e bukur dhe deri këtu ok! Ajo çka shfaqet shqetësuese, është se edhe ata, nuk duken larg të prekurit nga epidemia e femrave. Ende sot nuk kemi parë buzë të tyre të fryra artificialisht, por ka të ngjarë që ajo ditë të mos jetë as e largët. Burra, o burra!

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura