“Deri tani ka mjaftueshëm prova që vërtetojnë…”/ Një ditë pasi u pyet Presidenti Meta në Prokurori, ja çfarë do bëjë sot kreu i KED

Dec 11, 2019 | 10:28
SHPËRNDAJE

Kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani ka mbërritur sot në orën 10:00 në Prokurori për të dhënë dëshminë e tij.

dvorani-dhe-meta-770x434

Duke iu referuar burimeve, dëshmi pritet të japin edhe anëtarë të tjerë të KED-it.

Në reagimet publike, kreu i KED-it i ka quajtur akuzat ndaj tij si të pambështetura dhe ka deklaruar se nuk ka bërë asnjë shkelje. Kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, e ka konsideruar padinë dhe mënyrën se si ishte bërë publike një shantazh.

Kallëzimi, thotë Ardian Dvorani, bazohet në të pavërteta dhe sjellje që nuk janë kryer prej tij.

Më tej, kreu i KED-it thotë se asnjë sjellje e tij, qoftë edhe të pavërtetat e pretenduara nga Presidenti, nuk përbëjnë vepër penale dhe as ndonjë shkelje tjetër.

“Paraprakisht, për aq sa për momentin më rezulton nga media, mund të shprehem vetëm se ky kallëzim penal, ndër të tjera, bazohet në pretendime për ekzistencën e disa fakteve, sjelljeve dhe veprimeve, të cilat janë të pavërteta, por që ndoshta kallëzuesi mendon se kanë ndodhur apo do të dëshironte të kishin ndodhur për motivet që i di ai”, shkruante Dvorani disa javë më parë.

Prokuroria e Tiranës dëgjoi dje deklarimin e Presidentit Meta

Presidenti: Deri tani ka mjaftueshëm prova që vërtetojnë fajësinë e kreut të KED për “Shpërdorim detyre”

Presidenti Ilir Meta dëshmoi në Prokurorinë e Tiranës për kallëzimin e bërë ndaj kreut të KED-it, Ardian Dvorani. Prokuroria ka shënuar procedim penal pa emër për kallëzimin dhe është duke kryer verifikimet dhe hetimet paraprake. Meta dëshmoi për rreth 40 minuta para prokurorit Alket Mersini, ndërsa në dalje të Prokurorisë iu përgjigj dhe interesit të medias për dëshminë e dhënë. Pas vlerësimit të kallëzimit të bërë nga Meta, Mersini kërkoi dje prej tij shpjegime shtesë. Presidenti i vendit, i shoqëruar nga dy këshilltarët e tij, tha për mediat se kishte dhënë gjatë deklarimit të dhëna plotësuese për kallëzimin e bërë disa javë më parë.

REAGIMI 

Presidenti Meta tha se Prokuroria ka mjaftueshëm prova në kallëzimin e bërë për të provuar fajësinë e Dvoranit për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Përvetësim të kompetencave”.

“Të gjitha provat e depozituara deri tani janë të mjaftueshme që Prokuroria të veprojë ndaj Dvoranit, ne nuk bëjmë presione. Prokuroria ka pasur çështje të lidhura me tërmetin e 26 nëntorit, por kjo është një çështje që askush nuk mundet t’i shmanget, ne jemi të qetë dhe të duruar. Do të bashkëpunojmë ngushtë me Prokurorinë, ky është një rast flagrant”, tha Presidenti. Teksa nuk deshi të flasë më gjatë, duke argumentuar se vendi ka tashmë çështje më të rëndësishme dhe parësore, siç është tërmeti dhe pasojat e tij, Meta shtoi se do të jetë bashkëpunues me Prokurorinë. “Rasti është tmerrësisht flagrant, unë shpresoj që Prokuroria të mos jetë nën presione politike dhe të bëjë punën me profesionalizëm dhe durim. Mendoj që kjo është provë e madhe për të gjithë të ardhmen e Reformës në Drejtësi”, tha ai ndër të tjera.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura