Dërgohet në gjyq ish-shefi i Antidrogës

Dec 25, 2014 | 12:34
SHPËRNDAJE

TIRANE – Dërgohet në gjyq së bashku me shtatë persona të akuzuar për trafik droge ish-shefi i Antidrogës në Policinë e Fierit. Prokuroria bëri me dije se ka dërguar në gjykatë dosjen penale ndaj shtetasit Dritan Zagani, i akuzuar se ka kryer veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe «Moskallzimit të krimit». Të akuzuar në këtë çështje mësohet se janë edhe shtetasit Jorgo Naçi,  Niko Brahimi, i datëlindjes 1962, Athenajdo Abazi, Saimir Shosha, Edison Latifi, Agur Malaj dhe një person tjetër. Ata akuzohen për episodin e datës 24 dhjetor 2013 kur në bregdetin e Vlorës, në makina të braktisura është kapur ngarkesa me 710.7 kilogramë marijuanë, që bëhej gati për t’u nisur për në Itali. Pas kapjes së kësaj ngarkese, në një tjetër mjet në zonë janë gjetur edhe 205 kilogramë drogë dhe më tutje është kapur edhe një gomone. Prokuroria ka bashkuar në një hetim disa dosje, ku përveç episodit të Vlorës, është përfshirë edhe dosja e të pandehurit Dritan Zagani. Sipas prokurorisë, ky i pandehur, me detyrë ish-shef i Sektroit të Luftës Kundër Narkotikëve pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier, gjatë operacionit për arrestimin e të pandehurve Gani Shahaj e Ermal Daja më datë 13.01.2014, në aksin rrugor Vlorë-Fier, në fshatin Levan, ku iu sekuestrua një sasi prej afro 109 kg lëndë narkotike e llojit “Cannabis sativa”, duke shpërdoruar detyrën e tij nuk ka orientuar hetimet e kësaj çështjeje në mënyrë proaktive si dhe nuk ka zbatuar siç duhet rregullat procedurale. Sipas akuzës, gjatë muajve janar-mars 2014, ky i pandehur ka kryer veprime të cilat janë jashtë kompetencës së tij lëndore dhe territoriale që kanë të bëjnë me vëzhgimet e lëvizjes së personave, vendeve e sendeve pa pasur më parë një hetim të filluar për këta shtetas. Prokuroria vë në dukje se ish-zyrtari ka mbajtur kontakte dhe ka shkëmbyer informacione të natyrës sekrete hetimore me shtetas të huaj të paautorizuar për këtë lloj bashkëpunimi si dhe pa pëlqimin paraprak të eprorëve të tij. Prokuroria ka thënë se Zagani, më datë 01.03.2014 ka marrë dijeni për një krim të ndodhur në qytetin e Vlorës të kryer nga shtetasit Inajete Duka e Klodjan Duka dhe nuk ka reaguar me njoftim, kallzim apo me deklarime para autoriteteve kompetente.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura