Dërgohen për rendin në Jug, policët kërcënojnë me armë. Pronari i restorantit: Na vunë pistoletën për një salcë kosi

Aug 3, 2018 | 9:40
SHPËRNDAJE

SARANDE/ Shpresa DINE/Efektivët e Policisë së Shtetit, të cilët ishin caktuar me detyrë në muajt e verës që të ruanin rendin dhe sigurinë në zonat bregdetare të Jugut, kërcënojnë me armë djalin e pronarit të një restoranti në Sarandë.

Pasi kanë drekuar në restorantin e tij, ata e kanë akuzuar atë se iu kishte shënuar një salcë kosi më tepër në faturë. Më pas ata janë rikthyer në darkë dhe kanë vijuar debatin derisa njëri prej efektivëve ka nxjerrë armën në restorantin e mbushur me klientë dhe kërcënoi djalin e pronarit, në sy të nënës së tij.

Ngjarja mund të mos kishte marrë përmasa nëse si klient nuk do të ndodhej një ish-shef komisariati, i cili sipas burimeve fillimisht ka njoftuar një ish-zv.ministër dhe ky i fundit ka vënë në dijeni zyrtarë të Policisë së Shtetit. Ngjarja mësohet se ka ndodhur më 30 korrik. Tre efektivët janë shoqëruar në Policinë e Sarandës, ku pas shpjegimeve të dhëna, janë lënë të lirë.

Ndërkohë, burime nga Prokuroria bënë të ditur se në ngarkim të personave me inicialet E.Gj., M.M., dhe J.Sh., respektivisht 32, 28 e 27 vjeç, banorë të Tiranës, nisën hetimin për veprën penale “Veprime arbitrare”, bazuar në nenin 250 të Kodit Penal. Mësohet se të tre personat e mësipërm janë punonjës të njësisë operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme në Tiranë.

Pas këtij incidenti, ata janë pezulluar nga detyra dhe kanë nisur hetimet në gjendje të lirë. Arben Hoxha, pronari i restorant “Peshkatarit” ku ndodhi ngjarja në qytetin e Sarandës, sqaroi me detaje të gjithë ngjarjen e ndodhur në biznesin e tij. Sipas tij, ngjarja që nisi për një salcë kosi ka agravuar deri në përleshje fizike e madje një nga policët i ka vënë të birit pistoletën në kokë para syve të së ëmës.

PRNAR SR

Z. Hoxha, çfarë ka ndodhur pak ditë më parë në restorantin që ju keni në pronësi?

E vërteta është se këtu kanë qenë tre persona të Policisë Operacionale për pushime a nuk e di për çfarë ishin dhe kanë debatuar me djalin tim

Pse ishin në lokalin tënd?

Erdhën për të drekuar pastaj erdhën prapë në darkë për t’i bërë presion djalit se në kupon i ishte shtuar një racion salcë më tepër. Djali e sqaroi, e heqim nga fatura. Ai jo është korrupsion… U çudita sot kur lexova drejtori i hetimit tatimor, a dicka e tillë…. Bardhyl Tafa si e kishte.

Ka qenë këtu Hetimi Tatimor, apo edhe Bardhyl Tafa ?

S’ka qenë këtu, unë as e njoh fare. Kontrollin e fundit nga tatimet e kam patur para 15 ditësh, ka rezultuar shumë mirë. Ky lajmi është i gënjeshtërt, nuk e di pse përdoret, ajo që ndodhi këtu mund t’i ndodhte kujtdo.

Personat e policisë kanë ardhur kanë kërkuar lekë nga dreka në darkë?

Për policët ne kemi bërë kallëzim në prokurori, s’ka lidhje me këto gjërat e tjera.

Ata u prezantuan te ju?

Ata ishin me shapka me brekë plazhi, unë u kërkova të identifikoheshin.

Si u prezantuan?

U prezantuan shumë vonë sikur ishin krimi ekonomik, mora në telefon grupin e gatshëm. Jemi përleshur këtu se donin ta merrnin djalin me forcë, policia erdhi shumë shpejt pastaj, këtu ishte plot restoranti. Ai i nxorri pistoletën ia drejtoi djalit në kokë, dhe i ka thënë ta marr jetën para syve të nënës. Ishte shumë agresiv njëri nga ata.

Emër s’more vesh?

Po i dinë ata në polici.

Ju jeni i revoltuar nga portalet?

Po shumë, se këtu ka mashtrim dhe patjetër duhet të thuhet e vërteta.

Ndërkohë bëhet me dije se në ngarkim të personave me inicialet E.Gj., M.M., dhe J.Sh., respektivisht 32, 28 e 27 vjeç, banorë të Tiranës, në datën 30 korrik 2018 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprën penale “Veprime arbitrare” bazuar në nenin 250 të Kodit Penal.

Mësohet se të tre personat e mësipërm janë punonjës të policisë operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithëshme në Tiranë. Pas këtij incidenti ata janë pezulluar nga detyra dhe kanë nisur hetimet nw gjendje tw lirë. /PANORAMA/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura