Dërgimi i listave në një datë, si nisi ‘loja’ me Kushtetuesen. Ç’do të ndodhte nëse KED do vepronte ndryshe

Nov 15, 2019 | 8:44
SHPËRNDAJE

BLEONA METUSHI/ Teksa Kushtetuta e përcakton qartë mënyrën e zgjedhjes dhe emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, institucionet përgjegjëse për këtë proces kanë krijuar një ngërç të pashpjegueshëm.

meta-ked

Gjithçka duket se nisi me dërgimin e dy listave në të njëjtën datë në Presidencë, për plotësimin e dy vakancave.

Në limit të kohës, Presidenti i Republikës tha se pezullonte procesin e emërimit të anëtarit të dytë, pasi ishte radha e Kuvendit të bënte emërimin tjetër dhe e mbështeste lëvizjen në nenin 179, pika 2 e Kushtetutës që parashikon se:

“Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji”. Një ditë pas lëvizjes së Presidencës, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, me anë të një njoftimi të shkurtër për mediat, nuk sqaroi pse ishte bërë dërgimi i dy listave në një datë dhe as nuk mbajti qëndrim në lidhje me pretendimet e Presidencës, që tha se në këtë mënyrë mund të shkelej Kushtetuta. Por e parë nga jashtë, duket se nëse KED do të dërgonte listat e kandidatëve njëra pas tjetrës, në dy institucionet e emërtesës, Presidencë dhe Kuvend, nuk do të linte asnjë hapësirë ligjore për këto institucione, që në ditët në vazhdim e thelluam akoma më shumë ngërçin, të ngrinin pretendime apo të pezullonin emërimet.

KANDIDATËT DHE EMËRIMET

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas një procesi vlerësimi për kandidatët, lejoi të vazhdonin garën dhe të pikëzoheshin vetëm 6 prej tyre. E para në listë u rendit Arta Vorpsi, pas saj Fiona Papajorgji, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari, Besnik Muçi dhe Regleta Panajoti. Pas emërimit të Besnik Muçit, i cili aktualisht është ende në procesin e vetingut, procesi i emërimeve do të merrte ngjyra të tjera. Kuvendi, në seancën plenare të 12 nëntorit, votoi 2 anëtare njëkohësisht, e nga ana tjetër përjashtoi nga procesi i votimit Arta Vorpsin, duke e njohur si anëtaren e dytë.

E konsideruar si shkelje të Kushtetutës zgjedhjen e dy anëtarëve në të njëjtën kohë, Presidenca nuk njohu Vorpsin, duke dekretuar kandidaten e renditur e katërta nga KED, Marsida Xhaferllarin. Duke iu referuar vendimeve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Xhaferllari duket se nuk ka qenë një kandidate e mbështetur nga drejtuesi i këtij institucioni, Ardian Dvorani dhe Arta Marku, që e kanë vlerësuar me zero pikë për integritetin etik dhe moral.

Emërimi i kësaj kandidateje nuk u pranua nga KED, që në reagimin e kësaj të enjteje, tha se duke iu referuar parashikimeve ligjore për zgjedhjen e anëtarit brenda 3 kandidatëve të renditur të parët dhe brenda 30 ditëve, Arta Vorpsi është anëtarja e 2-të Kushtetueses e zgjedhur automatikisht.

KANDIDATET PER KUSHTETUESEN

1. Arta Vorpsi, këshilltare ligjore, 89.610 Pikë
2. Fiona Papajorgji, këshilltare ligjore, 88.783 Pikë
3. Elsa Toska, këshilltare ligjore, 85.425 Pikë
4. Marsida Xhaferllari, kryeinspektore, 81.999 Pikë
5. Besnik Muçi, prokuror, 81.926 Pikë
6. Regleta Panajoti, gjyqtare, 80.284 Pikë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura