‘Der Superalbaner’, gjahtari i mafies shqiptare. Media zviceriane shkrim për Donald Lu

Oct 6, 2017 | 14:26
SHPËRNDAJE

Gazeta zvicerane “Basler Zeitung” i ka kushtuar një artikull ambasadorit amerikan në Tiranë Donald Lu, i cili ka si qëllim që pas përfundimit të mandatit të tij të lërë një Shqipëri me shtet funksional, të gatshme për t’u futur në BE.

donald lu per shullazin

 

Gazeta zvicerane shkruan se Donald Lu, po godet fort dhe me emra kriminelët në Shqipëri, dhe bën thirrje të vazhdueshme për hetimin e prokurorëve apo gjykatësve të korruptuar.

Artikulli i plotë

Një diplomat duhet të heshtë, kur të gjithë presin që ai të japë një mesazh të qartë. Ai duhet të thotë hapur, atë që nuk mendon. Diplomatët e “shkollës së vjetër” i njohin këto rregulla.

Por ndonjëherë ambasadori Donald Lu “i shkel” ato. Për shembull këtë javë, ambasadori i SHBA-së në Tiranë mbajtin një fjalim për gjykatësit e prokurorët, duke bërë deklarata të forta dhe në mënyrë aspak diplomatike.

Qeveria shqiptare duhet t’i shpallë luftë krimit të organizuar, kërkoi Donald Lu. Ka ardhur koha për të arrestuar peshqit e mëdhenj. Vendi ku ai është ambasador, Shqipëria, është mbushur me trafikantë droge dhe pastrues parash.

Më pas diplomati filloi të fliste me terma konkrete. “4 klane mafie kontrollojnë Shqipërinë sot,” tha Lu. Gjithashtu përmendi emrat e tre “mbretërve të botës së krimit” që kanë korruptuar edhe drejtësinë shqiptare: Emiljano Shullazi, Lul Berisha dhe Klement Balili. Të gjithë shqiptarët i njohin emrat e tyre.

Baronët e drogës fitojnë miliarda

Shqipëria, një vend i vogël në Adriatik, është shëndërruar në një nga prodhuesit më të mëdhenj të marijuanës në vitet e fundit. Baronët e drogës po fitojnë miliarda. Ata i përdorin paratë për të korruptuar parlamentarët, prokurorët dhe policinë. Kryeministri socialist, Edi Rama, i zgjedhur për një mandat të dytë, premton që qeveria e tij do të fitojë luftën kundër industrisë ilegale të kanabisit.

Ndërsa për amabasadorin amerikan këto janë premtime boshe. Vitin e kaluar dolën 1349 persona të lidhur me trafikun e drogës në Shqipëri, por vetëm 100 janë dënuar. Pas fjalëve të Donald Lu, asnjë politikan nuk ka guximin ta kundërshtojë amerikanin pasi ai thotë të vërtetën e dhimbshme.

Donald Lu është i shqetësuar për të ardhmen e vendit më shumë se sa për politikat e brendshme. Ai e drejton gishtin tek zyrtarët e korruptuar, sulmon prokurorin e përgjithshëm si sabotues të reformës në drejtësi, dhe inkurajon qytetarët që t’i kërkojnë llogari politikanëve. Lu përmendi vilat luksoze të politikanëve si dhe daljet jashtë shtetit.  Nëse një gjykatës kërkon t’i heshtë gazetarët që e pyesin se nga erdhi pasuria e madhe, Lu thotë se “lufta e tyre është dhe lufta jonë” duke inkurajuar gazetarët të vazhdojnë punën e tyre.

Përpara se Lu të shkonte në Tiranë në vitin 2014, ai u dërgoi shqiptarëve një videomesazh, ku shfaqej duke folur shqip dhe kështu fitoi zemrën e shumë njerëzve. Më në fund dikush që i merrte seriozisht hallet e popullit.

Tani ai po lufton që Ëndrra Shqiptare të bëhet realitet, një shtet funksional që t’i bashkohet BE-së. Ai kërkon Reformën në Drejtësi që do të rishqyrtojë 800 gjykatës dhe prokurorë.

BW

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura