Deputetja italiane tërhiqet nga deklaratat për shqiptarët: Beteja ime është që të mos i lejojmë njerëzit të nisen

Apr 22, 2015 | 7:20
SHPËRNDAJE

Daniela Santanche, deputetja italiane e “Forca Italia”, e cila me deklaratat e saj pas tragjedisë së fundit në brigjet italiane, duket se është tërhequr nga ato që ka thënë një ditë më parë. Sipas saj, deklaratat janë keqpërdorur. Pasi deklaroi se duhet të fundosen varkat me emigrantë, Santanche e ka modifikuar deklaratën e saj. Në një intervistë telefonike për “Top Channel” Santanche shprehet se deklarata e saj ka pasur për qëllim ndalimin e anijeve që në nisje.

Daniela Santanche, deputetja italiane e “Forca Italia”

 “Unë kam deklaruar se duhet të fundosim të gjitha varkat përpara se ato të nisen, duke mos i lejuar këto udhetime të vdekjes. Unë jam për të mbrojtur, për të gjetur mënyrë për të shpëtuar jetët njerëzore, sepse është detyrë e çdo shteti të luftojë për të mbrojtur njerëzit në vështirësi, sepse kush shpëton një jetë njerëzore, shpëton botën. Por për të bërë këtë gjë, duhet të fundosim të gjitha varkat për të mos i lejuar që të ndërmarrin këto udhëtime të vdekjes. Unë jam për t’i ndihmuar njerëzit dhe jo për t’i lënë të vdesin. Janë ata që i nisin të cilët kanë përgjegjësinë, sepse duhet t’i ndalojmë që të nisen, që të mos ndërmarrrin udhëtimin e vdekjes. Ky është problemi. Duhet gjithmonë t’i ndihmojmë. Nuk mund t’i lëmë të vdesin njerëzit në mes të detit. Por beteja ime është që të mos i lejojmë të nisen. Të ngrëmë qendrat e pritjes në brigjet afrikane, jo në shtetet tona. Të mos i lejojmë të vijnë këtu ku nuk mund t’i ofrojmë një vend pune, ku nuk mund t’i japim një shtëpi”- thotë deputetja e “Forca Italia”.

E pyetur mbi paralelzimin që ajo ngriti me Shqipërinë dhe shqiptarët, Santanche deklaron se i është referuar operacionit “Ylberi”, të vitit 1999 ku qeveria italiane dërgoi forcat e saj në Shqipëri për të ndihmuar emigrantët e ardhur nga Kosova dhe për të ndaluar nisjen e gomoneve nga brigjet shqiptare në drejtim të Italisë, transmeton Top Channel.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura