Deputetja e LSI debat me Nikollën: S’ka rritje buxheti për arsimin

Nov 25, 2015 | 8:07
SHPËRNDAJE

Pagat për mësuesit dhe pedagogët nuk do të rriten. Në buxhetin e qeverisë për arsimin nuk parashikohet si zë më vete shtesa në pagë për trupën e pedagogëve dhe arsimtarëve as në vitin 2016.

Lindita Nikolla
Lindita Nikolla

Ministrja Lindita Nikolla ishte dje në Komisionin e Medias, ku u diskutua buxheti për arsimin. Pyetjes së deputetit të Partisë Demokratike, Myqerem Tafaj, nëse ishte planifikuar rritje pagash, Nikolla iu përgjigj duke drejtuar gishtin e akuzës.

“Nuk di nëse keni pasur të njëjtën ndjeshmëri për pagat e pedagogëve, sepse në 8 vite nuk i rritët asnjëherë pagat e pedagogëve. Pa folur pastaj për mbështetjen ndaj mësuesve. Në fakt, ajo që bëtë ju në 8 vite i konkurruat pedagogët e universiteteve publike me ato piramidat e famshme në të gjithë vendin, 18 institucione të arsimit të lartë privat, ku studentët dhe familjet shqiptare investuan para për të marrë në këmbim diploma që nuk vlenin”, tha Nikolla.

Më tej, ministrja pohoi se shtesa në pagë ishte në vullnetin e Ministrisë së Financës, si edhe në varësi të sistemit të ri që po ndërtohet pas reformës që po ndërmerret në arsim.

“Ministria e Financës ka tagrin e vet, tendenca është për të parashikuar rritje të pagave, por ajo që është e rëndësishme për të shkuar te rritja reale e pagave përmes këtyre mbështetjeve të tjera, që vijnë për shkak të një qasjeje të re, e cila lidhet qoftë me sistemin e punësimit, qoftë edhe kualifikimin e mësuesve”, u shpreh më tej Nikolla.

DEBATI

Gjatë diskutimit të djeshëm nuk munguan as kontradiktat brenda maxhorancës. Deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmeti, hodhi poshtë pretendimin e ministres Nikolla se për 2016 buxheti ishte rritur me 1.7 miliardë lekë, krahasuar me një vit më parë. Sipas Mehmetit, nga relacionet e dy viteve të shkuara rezulton që fondet për arsimin jo vetëm nuk janë rritur, por përkundrazi, kanë shënuar rënie.

Edhe për deputetët e opozitës, qeveria nuk kishte mbajtur premtimin e bërë më herët. Deputeti i PD-së, Tafaj, e konsideroi buxhetin si të papërfillshëm në raport me kërkesat dhe nevojat që sistemi ynë arsimor ka.

Për vitin e ardhshëm, buxheti i adresuar për Ministrinë e Arsimit kap në total vlerën e 51 miliardë e 867 milionë lekëve, pjesa më e madhe prej të cilave do të adresohet për përmirësimin e kushteve nëpër shkolla dhe gjimnaze të vendit.

FONDET

Lajmi për shkurtimin e 7100 vendeve të punës në arsim nuk është gjë tjetër veçse çështje transferimi kompetencash. Kështu, cikli parashkollor do të kontrollohet nga njësitë e qeverisjes vendore, për rrjedhojë edhe fondet do të menaxhohen nga këto njësi. Janë 4.3 miliardë lekë që Ministria e Arsimit do të kalojë në llogari të bashkive për pagat e 7100 edukatorëve dhe drejtorëve në të gjithë vendin.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura