Intervista në ‘Panorama’/ Deputeti i PS sulmon ministrin Ahmetaj: E bëra ortak në biznes pa futur dorën në xhep

Jul 1, 2015 | 9:08
SHPËRNDAJE

Deputeti socialist i Përmetit, Vladimir Kosta, akuzon ministrin e Ekonomisë Arben Ahmetaj si të paaftë, mosmirënjohës dhe të papërgjegjshëm.

Sipas tij, Ahmetaj, i cili është koordinatori politik i PS-së për qarkun e Gjirokastrës, ka shmangur deputetët nga çdo vendimmarrje, duke shkëputur çdo lidhje me elektoratin që i ka votuar. 

Deputeti Vladimir Kosta

Ndërsa rasti i humbjes së Bashkisë së Përmetit për Kostën, është ai i mospërfilljes së partisë për kandidatin që ajo nuk e donte dhe nuk e pranoi asnjëherë.

Cili ka qenë kontakti juaj i parë me ish-kryetarin e Bashkisë së Përmetit, Gilberto Jaçe?
Që ditën që unë u prezantova para strukturave të Partisë Socialiste nga Arben Ahmetaj, pashë se PS e Përmetit ishte e çarë në dy pjesë, partia e Gilit, i cili kishte një influencë të jashtëzakonshme. Në parti kishte intriga dhe përçarje për ta dominuar sa më mirë.

Ju keni bërë një status në Facebook, ku e cilësoi fatkeqësi për qarkun e Gjirokastrës qenien si koordinator politik aty të Arben Ahmetajt. Përse ky qëndrim?
Unë kam pasur miqësi shumë të mirë familjare me Arben Ahmetajn, madje unë e kam futur ortak në biznes, pa futur dorën në xhep. Por pushteti e ka bërë xheloz, mosmirënjohës dhe të papërgjegjshëm. Në të tilla situata që ai vendos deputetët, më mirë të bëjë punën e deputetit, sepse më duket vetja i tepërt. Kam qenë kundër drejtimit të një familjeje me dy koka, me dy koka nuk drejtohet dot. Unë jam deputet në Përmet dhe drejtimin e bën Ahmetaj. Një rol më të madh duhet të luajë dhe kryetari i grupit, Gramoz Ruçi, i cili i ka lënë Edi Ramës dhe drejtimin e qeverisë dhe drejtimin e partisë. Ai është njohës i vjetër i partisë dhe duhet të merret më mirë me partinë, problemet që ajo ka dhe me marrëdhëniet e deputetëve me qeverinë. Ministrat po bëjnë ligjin, në rastin konkret Arben Ahmetaj, duke injoruar deputetin e zonës dhe duke mos i lënë asnjë kontribut në marrëdhëniet me zgjedhësit e tij. Prandaj them që “Një fatkeqësi e madhe i ka rënë PSsë në qarkun e Gjirokastrës, që koordinator politik ka të paaftin Arben Ahmetaj!” .

Ju keni deklaruar menjëherë sapo është zyrtarizuar kandidatura e Jaçes se do të largoheni nga Partia Socialiste, përse kjo deklaratë?
Unë nuk flisja në emrin tim, por në emër të socialistëve të Përmetit, të cilët nuk e mbështesnin kandidaturën e tij, duke e cilësuar si humbës. Në fushatën time, kur Gilberto vinte me mua, më largoheshin njerëzit, nuk e pranonin, nuk e donin. Ndërsa parregullsitë në disa punë publike në qendër të qytetit ishin faktet e fundit që unë nuk mund t’ia lejoja vetes që të tregohesha i pandershëm me qytetarët e Përmetit. Madje unë vetë i kam dërguar shkresën KLSH për kontroll. Nuk kam asgjë personale me Jaçen, por është e drejta ime që të ushtroj kontrollin si i zgjedhur i popullit të Përmetit. Unë e njoh mirë ndërtimin, madje e kam pasion. Unë pashë që në Përmet po kryheshin punimet infrastrukturore në trotuare. I kërkova kryetarit të Bashkisë projektin mbi të cilin po punohej dhe ai po i kryente punimet pa projekt. Por vendimi im për t’u larguar nga Partia Socialiste më ka shqetësuar shumë, kam kaluar një periudhë të vështirë, si një idealist që nuk kam asnjë interes personal për zonën time. Kjo është e dukshme nëse shikon gjithë rrugëtimin tim në biznes.

Çfarë keni kërkuar ju që të bëhet në Përmet?
Unë kam mbështetur Kryeministrin Rama, i cili po punon për të ndryshuar Shqipërinë sipas vizionit të tij. Unë kam kërkuar që ky vizion i Ramës, i cili përputhet me vizionin tim, bazuar në përvojën në kaq vite, të zërë vend dhe në Përmet dhe të mos mbetet Përmeti në mediokritetin e njerëzve të vegjël dhe intrigantë. Ajo që unë këmbëngul është që deputeti, siç jam dhe unë, duhet të ketë autoritetin dhe peshën që i jep Kushtetuta dhe mbështetja popullore, të cilët i kanë dhënë votën. Nëse deputeti është një numër, nuk ka pse duhet fare, le ta bëjë ministri Ahmetaj apo Kryeministri punën e deputetit në çdo zonë.

Çfarë marrëdhëniesh keni ju si deputet me drejtuesit në qarkun e Gjirokastrës?
Asnjë komunikim. Nuk hapin as telefonin. Unë kërkoj të ndjek atë kërkesë që bëri Kryeministri Rama në fushatë, që të paktën një person në familje të jetë i punësuar, kam gjetur vetëm refuzim. Nuk kam autoritet në Përmet, sepse të gjitha emërimet dhe vendimmarrjet i merr Arben Ahmetaj.

Le të mbetemi te zgjedhjet, përse u humb një bashki e majtë si ajo e Përmetit?
Ishte pikërisht kandidatura e Gilberto Jaçes, të cilin populli i Përmetit nuk e donte dhe nuk e votoi. Informacionin që unë i transmetoja qendrës nga baza, nga qytetarët dhe nga strukturat e partisë, ishin reale dhe jo të zbukuruara, siç ua çonte ministri Ahmetaj. Rezultati ishte ai që dimë.

Po strukturat e PS-së në Përmet, si reaguan? Nuk i pyeti njeri fare, nuk u mori kush mendim. Kandidatura e Gilbertos iu imponua strukturave të PS pa u marrë një mendim.

Si komentohet në Përmet humbja e bashkisë?
Populli është i kënaqur që nuk e votoi Gilberton. Nuk e donte.

Njerëzit nuk dolën në votim?
Jo votuesit shkuan, votuan. Gilberto mori minus 1600 vota, ndërsa Partia Socialiste mori 2000 vota plus. Ky rezultat flet vetë dhe nuk ka nevojë për avokaturë. Por Gilberto pjell dhe intriga. I hoqi nga lista e këshilltarëve të gjithë anëtarët e këshillit aktual, të cilët kandiduan për partitë e koalicionit dhe fituan. Ndërsa nga lista e Gilbertos, PS fitoi vetëm dy anëtarë në këshill. Dhimbja ime e madhe është se 300 familjet që ishin të punësuara në atë bashki mbetën pa punë. Kush mban përgjegjësi për këtë?

ARISTIR LUMEZI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura