Deputeti i PS, Ilir Beqja pranë familjeve të prekura nga tërmeti

Aug 14, 2018 | 19:45
SHPËRNDAJE

Pranë banorëve të fshatrave Dukagjin e Derjan ishte dje deputeti i Qarkut të Dibrës Ilir Beqja. Duke parë nga afër dëmet që banorët kanë pësuar nga kjo fatkeqësi natyrore, Beqja tha se qeveria dhe pushteti lokal do të jenë pranë banorëve që patën dëmtime në banesat e tyre.

“Ne, tha ai, jemi pranë banorëve të zonave të prekura për t’ua lehtësuar hallin që kanë. Qeveria dhe bashkia do të ndihmojnë familjet, shtëpitë e të cilave, janë dëmtuar. Brenda 15 ditëve duhet të ketë përfunduar vlerësimi real i dëmeve dhe pastaj duhet të ndërhyhet për eleminimin e tyre. Pa ardhur vjeshta duhet ndërhyrë në banesat e shembura apo plasaritura”, nënvizoi Beqaj.

39169735_461197871025408_4525138720856211456_n

Katër familje të fisit Bushi në fshatin Dukagjin të njësisë administrative Derjan, Bashkia e Matit flenë në qiell të hapur. Nga Emergjencat Civile janë dërguar dy çadra, ndërkohë nevojat janë për katër të tilla. Xhelal Bushi, rreth të 60-tave thotë se lëkundjet kanë qenë mjaft të forta.

“Tronditja ishte e madhe. Brenda dhomës ku u shembën gurët e oxhakut dhe murit flinte nipi i vogël. Për momentin menduan se nuk do ta nxirrnim dot. Veç zhurmës u krijua një shtëllungë pluhuri. Hyra shpejt brenda, mora djepin e nipit një vjeç dhe dola jashtë. Edhe fqinjët dolën shpejt nga shtëpitë e tyre. Situatë më të vështirë nuk kemi parë ndonjëherë”, u shpreh kryefamiljari.

Bashkia e Matit ka ngritur tetë grupe pune për verifikimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i fundit. Ato po evidentojnë problemet e krijuara në njësitë administrative Macukull, Derjan, Lis, Rukaj, Komsi, Baz, Ulëz e Burrel. Fillimisht po kqyret situata e krijuar dhe pastaj është menduar të zbresin në terren specialistët e vlerësimit të dëmeve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura