Deputeti i PD-së ‘provokon’ kolegen e PS: Si ta bën dora t’a votosh këtë buxhet?

Nov 16, 2017 | 21:35
SHPËRNDAJE

 

Deputeti i Partisë Demokratike Hekuran Hoxhalli u shpreh sot në Parlament se projektbuxheti i vitit të ardhshëm nuk parashikon asnjë investim për zonën e Devollit.

Në fjalimin e mbajtur në seancën maratonë ai i kërkoi deputetes së PS-së të Devollit, Edlira Bode që të votojë kundër buxhetit të qeverisë.

hekuran hoxhalli

FJALA

 

Sot, çdo deputet i pozitës apo opozitës do të donte të shihte se sa do të përfitonte rajoni që ai përfaqëson nga buxheti i vitit pasardhës.

Pavarësisht nga përkatësia politike, gjithkush prej nesh ka patur shpresë se me këtë buxhet sot do të kishte mundësinë të votonte dhe të mbështeste projekte konkrete për zonën e tij.

Lufta politike tek ne, është si rregull e ashpër, politikanët përplasen e shahen përditë, por asnjë qeveri deri më sot nuk e ka shkarkuar mllefin dhe inatin ndaj kundërshtarit politik, tek populli që e ka votuar atë. Përkundrazi, qeveritë kanë planifikuar projekte të posaçme investimesh në zonat opozitare, pasi kanë besuar gjithmonë se njerëzit bëhen për vete me mirëdashje, me bashkëpunim, me joshje dhe mirësi, jo me mllefe, inate dhe ndëshkime.

Vetëm kjo qeveri dhe ky buxhet mbështeten tek mllefi, armiqësia, inati dhe ndëshkimi.

Qeveria e ka detyrë funksionale të kujdeset për ruajtjen e ekulibrave zhvillimore. Qeveria e ka detyrë funksionale të shpërndajë dhe të rishpërndajë të ardhurat, duke u mbështetur mbi këtë parim dhe jo mbi parimin e luftës së klasave, jo mbi diskriminimin dhe diferencimin politik, jo mbi përçarjen.

Po të shikosh tabelën e Buxhetit 2018, dy deputetë në këtë sallë, e gjejnë Rajonin e tyre me 0.00 lekë Investime publike.

Unë dhe znj. Bode. Unë i opozitës dhe znj. Bode e pozitës. Unë dhe zonja Bode e Partisë Socialiste, problemin e kemi të përbashkët, por hallin e kemi të ndryshëm. Të dy ne, nuk kemi forcë ta detyrojmë këtë qeveri që të mendojë për popullin tonë, që t’i dalë zot detyrës që ka, që të respektojë parimet kushtetuese dhe ligjore mbi të cilat duhet të funksionojë. Ua kam thënë edhe herën e kaluar, kushtetuta dhe ligji për këtë qeveri janë si ajo Historia e luleve në Paris. Në Paris i vlerësojnë. Këtu, Kushtetutën dhe Ligjin na i hanë gomerët.

Halli im është se nuk e bëj dot skotën e gomerëve që të respektojnë kushtetutën dhe ligjin, nuk i bëj dot që të mendojnë për popullin e Devollit, edhe sikur ta denoncoj dhe ta votoj kundër këtë buxhet. Por unë hallin e kam të lehtë. Unë nuk i them dot “amin” diskriminimit dhe diferencimit politik, nuk i bëj dot duva politikave antipopullore. Unë do ta votoj kundër këtë buxhet.

Halli i zonjës Bode të Partisë Socialiste është se jo vetëm që nuk e bën dot skotën e gomerëve të respektojnë kushtetutën dhe ligjin, që nuk i bën dot të mendojnë për popullin e Devollit, por edhe se duhet t’i thotë “amin” diskriminimit dhe diferencimit politik, se duhet të votojë “pro” dhe t’i bëjë duva politikave anti-popullore dhe anti-rajonale të kësaj qeverie dhe të këtij buxheti.

Unë e respektoj shumë kolegen time, deputeten e Devollit nga Partia Socialiste, ia çmoj sedrën dhe dashurinë që ka për devollinjtë. Prandaj dua t’i bëj thirrje ndërgjegjes së saj.

Po pyes Deputeten e Devollit, znj. Bode:

Znj. Bode, si të bën dora, ta votosh pro këtë buxhet që ka 0 lekë investime për Devollin?

Znj. Bode, si ta nxe goja, t’i thuash popullit socialist të Devollit që qeveria jote parashikoi për vitin 2018:

0.0    lekë investime për Rrugë?!

0.0    lekë investime për ujësjellsa?!

0.0    lekë investime për shkolla, kopshte dhe çerdhe për fëmijët?!

0.0    lekë investime për rrjete kullimi dhe ujitje?! dhe

0.0    lekë për gjithçka që quhet investim?!

Si ka mundësi, që kjo qeveri kaq e drejtë, për Bashkitë me të gjithë treguesit të njëjtë, aty ku administrohen nga përfaqësues të PS-së e kanë transfertën e pakushtëzuar shumë më të lartë se aty ku administrohen nga përfaqësuesit e PD-së?

Ndërkohë, një sërë ndryshimesh në disa ligje do të ndikojnë drejtpërdrejt në xhepat e qytetarëve dhe të biznesit, siç janë:

  • Ndryshimi i mënyrës së taksimit të ndërtesave;
  • Ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”;
  • Ndryshimet në ligjin “Për miratimin e tarifës doganore”;
  • Ndryshimet në ligjin “Për akcizat”;
  • Ndryshimet në ligjin “Për TVSH-në”;
  • Ndryshimet në ligjin “Për taksat kombëtare”; etj.

Unë po votoj kundër, për popullin demokrat, por edhe për atë socialist të Devollit, sepse jam i bindur, që ata të gjithë bashkë kështu duan në këtë rast. Por, unë do t’i kërkoj sot koleges sime, që për hir të atij populli që e ka sjellë në këtë sallë, të kapërcejë mbi hallin e saj, do t’i kërkoj që të ngrejë zërin kundër kësaj shkeljeje dhe padrejtësie, të dalë dhe ta votojë kundër këtë buxhet. Mbase kështu do të arrijë ta bëjë kryeministrin dhe ministrat e vet që të shohin dërrasën e kalbur ku kanë vënë këmbët dhe po shkelin. Edhe nëse nuk fiton vota e saj kundër, populli do ta çmojë dhe do ta respektojë mbi çdo njeri!

  • Ky buxhet për infrastrukturën vjen me të njëjtat premtime si ato të vitit 2013, by-paset, rruga Tiranë – Elbasan, rruga e Arbrit, rruga Kardhiq – Delvinë, rruga Qukës – Qafë-Plloçë etj.

Flitet për një rritje 42%, por në fjalimin e tij para profesionistëve te “Tirana Biznes Park”, Kryeministri theksoi se këtu do të përfshihen përsëri fasadat. Në fakt kjo rritje , në një pjesë të mirë është thjesht indeksim çmimesh, pasi janë rritur ndjeshëm zërat e punimeve dhe materialeve të ndërtimit, nga VKM-ja e vitit 2014 .

E kam thënë edhe në diskutimin tim të parë se projekti 1 miliard Euro është i dëmshëm për ekonominë tonë.

Kryeministri përmendi disa projekte që do të jepen me këtë skemë, por ajo që është më e rënda në këto projekte, është se nuk ka garë. Kompanitë e tij të ndërtimit i vendosin vetë çmimet e punimeve, ndryshe nga prokurimet publike ku duhet të konkurojnë dhe rrjedhimisht të ndikojnë duke ulur ofertat. Këto lloj projektesh nuk janë gjë tjetër, veçse një prokurim i drejtpërdrejtë me fitime maksimale, të garantuara për kontraktorët dhe me impakt shumë negativ në ekonominë e vendit për vitet në vazhdim.

Po ju sjell shembullin e rrugës së Arbrit, meqë e kemi të freskët nga vizita e Kryeministrit në Dibër.

Nuk është e vërtetë që projekti i mëparshëm nuk e ka pasur të përfshirë lidhjen me Klosin dhe Burrelin. Kjo është lehtësisht e vërtetueshme, sepse ekziston një projekt i plotë për këtë qëllim, një projekt që është i miratuar, etj.

I gjithë projekti nga Tirana në Bllatë është 75.1 km dhe nuk është e vërtetë se do ta ndërtoni tani të gjithin, siç edhe u shpreh në seancën pararendëse një deputet.

Sot ka përfunduar ndërtimi i 21.42 km rrugë, segmenti Ura e Çerenecit – Bulqizë”, si dhe janë në proces: segmenti Ura e Brarit – Tuneli Qafë-Murriz 5.8 km dhe segmenti Bulqizë – Ura e Vashës 14.88 km. Janë për tu ndërtuar edhe 34 km në total: segmenti Ura e Vashës-Tuneli Qafë – Murriz 13 km, segmenti Ura e Brarit – Tuneli Qafë Murriz 12 km dhe segmenti “Ura e Çerenecit – Bllatë” 9 km.

Nr. Emërtimi i segmentit Gjatësia në km Gjatësia në km Statusi
1 Segmenti “Ura e Çerenecit – Bulqizë 20.42 41 Ka përfunduar
2 Segmenti “Ura e Brarit –Tuneli Qafë-Murriz 5.80 Në proces ndërtimi
3 Segmenti “Bulqizë – Ura e Vashës 14.88 Në proces ndërtimi
4 Segmenti “Ura eVashës -Tuneli Qafë- Murriz 13.00 34 Nuk ka filluar zbatimi
5 Segmenti “Ura e Brarit –Tuneli Qafë-Murriz 12.00 Nuk ka filluar zbatimi
6 Segmenti “Ura e Çerenecit – Bllatë 9.00 Nuk ka projekt-zbatimi
Totali 75.10 55% e realizuar ose në proces

 

Me aq sa është bërë transparente nga mediat, sepse akoma nuk e kemi parë propozimin e zbardhur, projekti i vitit 2009, i cili po të financohej nga buxheti i shtetit do të kushtonte 160 milion Euro, sot kap një vlerë rreth 250 milion Euro,. Përveç kësaj, qeveria  do të paguajë që në vitin e 2 e në vazhdim, vlera të konsiderueshme, që do të shkojnë deri në masën 400 milion Euro edhe për shkak të interesave bankare. Sipas legjislacionit të konçesioneve, duhet të ishte bërë një krahasim me sektorin publik (KSP), nëse ia vlente që ky investim të bëhej në këtë formë apo me prokurim publik (VKM-ja 575, datë 10.07.2013 Neni 8……).

I njëjti shqetësim është edhe për projektet e tjera, pasi me këtë skemë të re, kontraktorët nuk kanë asnjë risk trafiku sepse shteti do t’ju mbulojë vlerën totale të kredisë.

Ajo që mungon në këtë buxhet është mënyra si do i kontrollojë shteti keto projekte.

Rruga Tiranë – Elbasan që mori edhe 35 milionë Euro të tjera në prag të fushatës elektorale, akoma nuk ka mbaruar dhe ka thashetheme se po kërkohen fonde të tjera për mbylljen e kontratës.

Rruga Qukës-Qafë Pllocë me financim të garantuar dhe me projekt të “standartizuar” nga kompetentët e rilindjes është me vonesë, dhe me shume gjasa do të kërkojë fonde të tjera për tu realizuar

By-passet e Vlorës dhe të Fierit u lanë rrugëve dhe janë akoma në fazat paraprake të tenderimit, duke na kthyer 5-6 vjet prapa.

Rruga Lin – Pogradec që e gjetët në proces punimesh në vitin 2013, akoma nuk është përfunduar.

Unaza e Tiranës me këtë ritëm nuk ka datë përfundimi.

Ka që në vitin 2013 që na flisni për rrugët me standard, por i vetmi shembull që na keni lënë në 4 vjeçarin e kaluar është 5 km rrugë Tiranë – Kashar, jashtë standardit dhe me risk të madh për sigurinë rrugore.

Përsa i përket investimeve në transportin hekurudhor janë minimale dhe vetëm për të mbështetur projektin e BERZH-it për Hekurudhën Tiranë – Durrës. Ndërkohë nuk ka asgjë për lidhjen me hekurudhë të portit të Durrësit apo të porteve të tjera në vend, që e trumpetuat me aq bujë në vitin 2013. Po ashtu, mungon edhe përpjekja për lidhjen me Maqedoninë, qoftë edhe në nivel projekti.

Ne transportin ajror flitet vetëm për një cantë investiguese, ky është investimi i vetëm i qeverisë për këtë sektor. Ku shkoi premtimi për hapjen e aeroportit të Kukësit, ku  janë fondet për rehabilitimin dhe vënien në përdorim të këtij aeroporti?

Kaluan 2 vjet nga rishikimi i kontratës koncesionare  të aeroportit të Rinasit dhe deri tani vendi nuk ka patur asnjë perfitim, kjo verteon shqetesimin e ngritur se kjo marreveshje u bë për qokë vetëm për të shitur kuotat e aeroportit te kompania kineze.

E njëjta histori është edhe me të famshmin “Aeroportin e Jugut”, ku para se të bëhet studimi i tenderuar për fizibilitetin e një aeroporti në Jug të Shqipërisë, e keni paracaktuar që do të jetë në Vlorë?!

Si përfundim, për vitin 2018, me gjithë këto masa që keni marrë, të sigurt e ka të ardhmen vetëm biznesi i prodhimit dhe tregtimit të borzilokut. Atë e kontrolloni vetë me mjeshtëri. Gjithë të tjerët, kanë vetëm një mundësi: T’ju shpejtojnë ditën e largimit nga pushteti!

Duke uruar që kjo ditë të jetë sa më e afërt, ju deklaroj edhe votën time kundër!

Faleminderit!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura