Prej disa ditësh artistët janë ngritur në një revoltë, pasi kundërshtojnë ligjin e propozuar nga ministria.
Pas replikave mes ministrisë dhe artistëve ka ndërhyrë dhe deputeti i LSI, i cili kërkon Kumbaros të ulët në dialog.
Ndërkohë deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Shezai Rrokaj, në një deklaratë të tij, ka thënë se ministria Kumbaro duhet të ulët me artistët dhe ti dëgjoj ata.
“Prandaj, ministria Kumbaro, të ndërpresë urgjentisht shigjetimet e thumbimet nga llogorja në llogore dhe të ulet me artistët. Me Robert Ndrenikën dhe artistë të tjerë të kalibrit së tij nuk bëhet luftë llogoresh. Me ta bisedohet e dëgjohen se si ata e mendojnë funksionimin e këtij monumenti të historisë së kulturës. Artistët janë vetë trashëgimia dhe domethënia e tij. Ata nuk mund të trajtohen si rrogëtarë në ligjin e ri, sepse vlera e tyre është kombëtare, e ca më pak t’u mbyllet dera e shtëpisë”, shkruan ndër të tjera Rrokaj.
Deklarata e plotë
Ministria Kumbaro të ulet urgjentisht për t’i dëgjuar artistët
Gjithë këto ditë opinioni publik është njohur me çështjen e Teatrit Kombëtar. Artistët e Teatrit Kombëtar kanë kundërshtuar projektin e Qeverisë për Teatrin Kombëtar, ku mendohet të ndërtohet një megandërtesë ‘polifunksionale’ brenda së cilës në një qoshkë do të përfshihet edhe Teatri Kombëtar. Nga ana tjetër, artistëve u është thënë se duhet të zhvendosen te Turbina gjatë kohës së ndërtimit të kësaj qendre polifunksionale.
Ky debat nuk është i sotëm. Ai lidhet me një emër: ish-ministrin e kulturës dhe ish-kryebashkiakun Rama, i cili e ka të ngulitur këtë ide qysh atëherë.
Si shumë qytetarë të kryeqytetit, por edhe të mbarë vendit jam i shqetësuar me këtë dreq sindromi që na kap ne shqiptarëve për të anatemuar historinë, e cila pa monumente të tilla, siç është dhe Teatri Kombëtar, kthehet në një amnezi kolektive. Tundimi për të filluar nga pika zero na nxit të shkulim gurët e kështjellave për të bërë oborre avllish apo i t’i kthejmë ato në mejhane gostish, prishim kinematë, si ish-kinema “17 Nëntori” , “Republika”, por edhe 7 xhuxhat e mjerë që po i strehojmë brenda rrokaqiejve, sikur të mos mjaftonte ajo që u mor për ta zaptuar hapësirën publike.
Amnesia kolektive fillon me tundimin për ta mohuar vijimësinë historike, që hera-herës shpërfaqet me delirin se e vetmja histori është ajo që lidhet me ardhjen time në pushtet. Shumë njerëz e lidhin edhe me mitin e Kështjellës së Rozafës. Ka edhe nga ata që mendojnë se një ndërtesë e re ‘moderne” është më ‘trendi’ sesa një monument historik jo aq i ‘hijshëm’. Gjithë këto vite të tranzicionit ideja e ndryshimit është shoqëruar me idenë e mohimit, duke anatemuar vijimësinë historike si koncept identitar. Pra, koncepti social i evolucionit është vënë nën trysninë e konceptit të revolucionit, dhe nuk po na ndahet.
Kujtesa kolektive përbën arketipin social të shoqërisë. Njerëzit lidhin me monumentet e trashëgimisë kulturore vetë jetën e tyre shpirtërore. I tillë është edhe ky teatër. Ai nuk është një godinë e thjeshtë. Në atë ndërtesë janë ikonat teatrale botërore e kombëtare, që janë vënë në skenë, janë emrat e pavdekshëm të aktorëve që kanë ndërruar jetë dhe ata që vazhdojnë t’i japin jetë teatrit, edhe pse në luftë për mbijetesën e tyre. Po aty është historia e çdo të riu e intelektuali që ky teatër, si pikë referimi, e lidh me Tiranën e kohërave të ndryshme të jetës së vet. Aty shumë të rinj janë dashuruar, të tjerë kanë përjetuar emocione, kanë qarë e kanë qeshur, apo kanë bartur në heshtje mesazhe të mëkimit artistik.
Pra, ky teatër është më shumë se një ministër apo një kryeministër, një drejtor a një funksionar i radhës, të cilët vijnë e ikin, por ai duhet të mbetet. Më shumë sesa një artist kurrëkush tjetër nuk e ndjen vlerën e këtij xhevairi, sepse çdonjëri prej artistëve e ka lidhur jetën e karrierës dhe të familjes me të.
Prandaj, ministria Kumbaro, të ndërpresë urgjentisht shigjetimet e thumbimet nga llogorja në llogore dhe të ulet me artistët. Me Robert Ndrenikën dhe artistë të tjerë të kalibrit së tij nuk bëhet luftë llogoresh. Me ta bisedohet e dëgjohen se si ata e mendojnë funksionimin e këtij monumenti të historisë së kulturës. Artistët janë vetë trashëgimia dhe domethënia e tij. Ata nuk mund të trajtohen si rrogëtarë në ligjin e ri, sepse vlera e tyre është kombëtare, e ca më pak t’u mbyllet dera e shtëpisë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al