Deputetët ‘paqe’ para Danimarkës, bashkë në një avion

Sep 4, 2015 | 12:11
SHPËRNDAJE

Muajt e fundit, Gjermania ka qenë shteti që ka pritur më shumë shqiptarë. Ata që shpresojnë për azil dhe për një të ardhme më të mirë rrëfejnë se kanë marrë para borxh për të shkuar drejt Gjermanisë.

Atmosfera ne sheshin "Nene Tereza"
Atmosfera ne sheshin “Nene Tereza”

Por, shpresa për të përmirësuar jetën nuk duket se është i vetmi motiv për të hyrë në borxhe. Ka edhe prej atyre që marrin kredi prej pamundësisë financiare për të shkuar në Danimarkë. Jo për azil, por për të parë Kombëtaren. Po, po, për të parë Kombëtaren.

Është ora 15:00 dhe fillojnë të vijnë njerëzit e parë për të bërë “check-in” për në Danimarkë. Kush me flamuj kuqezi në qafë dhe kush me tuta sportive. Numri sa vjen dhe shtohet. Bëhet fjalë për 168 persona që kanë vendosur të shkojnë për të ndjekur Shqipërinë në ndeshjen e sotme si një grup i organizuar nga një agjenci udhëtimesh.

Një çarter, i prenotuar vetëm për këtë ndeshje, ishte i programuar të nisej në orën 17:00. Në fakt, vonesa në nisje nuk mund të evitohej. Të gjithë prisnin në këmbë, ndërkohë që orari i nisjes kishte kaluar. Dikush e priste me batuta. “Duhet të shtyhet edhe ndeshja, se po na marrin nga orët ?e qëndrimit në Danimarkë” dhe dikush tjetër, që mbase ndihet më perëndimor se duhet, thotë: “Vetëm në Shqipëri ndodhin këto gjëra”.

Por, ajo që më tërhoqi vëmendjen ishte një djalë rreth 25 vjeç. Me një fytyrë që herë qeshte nga zori dhe herë skuqej, tha si me gjysmë zëri: “Eh, ç’na futën në borxhe kot më duket”. Vetvetiu nisëm një bisedë dhe tregonte si me siklet, por që zbehej nga dëshira që shprehte mimika e tij kur bëhej fjala për vendimin që kishte marrë: “Mora kredi për të parë ndeshjen. 2 milionë lekë (të vjetër), ia vlen. Kjo ndeshje është jetë a vdekje. Doja të isha patjetër”. Nuk të jepte përshtypjen e njeriut të varfër, por sigurisht edhe jo të pasanikut.

“Do ta shlyej për një vit avash-avash. Kam parë në ‘google’ që edhe Kopenhagen është i bukur. Dashtë Zoti do na dalë mbarë”, vazhdon ai. Ka edhe kështu. Për Kombëtaren zhvleftësohen shumë “barriera”.

Madje edhe politika vesh tutat e sportit. Vëren që pas llogores politike fshihet bashkimi, edhe pse në sport. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, ndodhet me deputetin e LSI-së, Spartak Braho, dhe republikanin, Agron Duka. Mbase, ky i fundit është edhe në statusin e vëllait të presidentit të FSHF-së. Pak më tutje është deputeti i PS-së, Alfred Peza.

Gazetarë, biznesmenë, zyrtarë të federatës, prokurorë apo njerëz të thjeshtë. Të gjithë të gatshëm për të ndjekur Kombëtaren. Pas afro 40 minutash vonesë nga orari i programuar i nisjes, njerëzit fillojnë të nxitojnë për t’u ngjitur në çarter.

Të gjithë për të ndjekur Kombëtaren në Kopenhagen, për t’i dhënë sadopak zemër, për të qenë dëshmitar pse jo i një rezultati historik. Kush me vështirësi ekonomike e kush jo. Kush me kredi e kush që nuk di se sa parà ka. Por, të gjithë të barabartë. Madje, të bashkuar. Në Danimarkë për të ndjekur nga afër “finalen” e sezonit dhe me shpresën për të përjetuar një rezultat historik…

Nga i dërguari ynë në Kopenhagen, FATION SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura