Deputetët martirë

Oct 11, 2017 | 12:30
SHPËRNDAJE

fatbardh-kadilliFATBARDH KADILLI

Nga të paktat raste kur sallën e Kuvendit e pashë vërtet si tempull të demokracisë, ishte seanca e posaçme në kujtim të Grupit të Deputetëve. Te shqiptarët kjo sallë është ngulitur në mendje si salla e ballafaqimit të përfaqësuesve politikë të shoqërisë. Por, përfaqësuesit politikë, qoftë edhe nën cilësimin përkëdhelës “të zgjedhur të popullit”, nuk janë përfaqësuesit e vetëm të shoqërisë.

Në demokraci, shoqëria krijon vlera më të shumta, më të larmishme e më të shumëllojta sesa ato politike. Ndaj këto vlera kanë meritën të përfaqësohen dhe të qëndrojnë në këtë sallë po aq sa kanë ata që zgjidhen nga sistemi politik. Sallën e kemi parë të përdoret shpesh për tubime jopolitike, si për “parlamentin rinor”, për “parlamentin rural”, si dhe për shumë takime kujtese për ngjarje e komunitete të rëndësishme. Fatkeqësisht, këto ngjarje kalojnë pa vë- mendje dhe shpesh janë të paragjykuara si të organizuara për qëllime politike të ditës nga ata që kanë edhe pushtetin e përdorimit të sallës.

Edhe mediat pak vëmendje tregojnë për këto aktivitete, ndaj i përcjellin fare pak. Nuk kanë faj. Thuajse në asnjë rast këto aktivitete nuk e kanë kapërcyer nivelin e të qenët dekor i demokracisë. Të ftuarit si përfaqësues të shoqërisë jopolitike nuk kanë qenë aq larg kalendarit apo përzgjedhjeve politike, sa të respektohen me vëmendje të opinionit dhe aq e vërtetë është kjo, sa shpesh në këto aktivitete nuk sheh thuajse kurrë përfaqësues të opozitës.

Nuk bëri përjashtim nga kjo traditë as Parlamenti Rural i javës së shkuar. Mos të kishte qenë fjalimi i Rigertës, askush nuk do ta mbante mend se ajo sallë është përdorur edhe për Parlamentin Rural. Në fakt, kjo ndodhi fitoi bujë, sepse dikush jashtë Parlamentit tregoi se mund të flasë shumë më mirë se shumica dërmuese e deputetëve. Ja një provë që shoqëria krijon vlera jopolitike më të çmuara se ato politike. Por, edhe kjo provë erdhi si efekt anë- sor i pasynuar aspak nga organizatorët.

Tjetër ishte qëllimi i tyre. Kujtesa për Grupin e Deputetëve ka gjithashtu shenja të dukshme të nevojës së politikës së ditës. Por, ka dhe fatin të jetë nga ato ngjarje që askush nuk ka luksin të refuzojë të përfshihet. Palët politike kishin secila nevojën e tyre të fshehur, edhe pse për arsye krejt të ndryshme, por deri diku të barabartë, për të shërbyer kujtesën ndaj Grupit të Deputetëve.

Por, përtej fjalimeve që mbartnin mesazhet që palët përcollën te veshët e synuar, diçka ishte më e vërtetë se në çdo tjetër takim jopolitik. Ishte serioziteti dhe solemniteti me të cilin u interpretua e gjithë kujtesa ajo që e bën dallimin. Ishte pesha e vetë ngjarjes ajo që e bën dallimin. Ishte, në fund të fundit, detyrimi për të respektuar sistemin politik të sotëm, nëpërmjet respektimit të martirëve të tij që e bën dallimin. Një kujtesë e tillë organizohet për herë të parë në këtë format dhe me këtë përfshirje dhe, si e tillë, si kujtesë u krye.

Deputetët dhe të ftuarit shkuan në paqe. Publiku më- soi më shumë për peshën e vërtetë të asaj që ka ndodhur në diktaturë. Publiku mësoi se disa të zgjedhur të popullit me vetëdije dhe me një aksion politik konkret bënë përpjekje për ta ndaluar instalimin e diktaturës. Bënë përpjekje për të mbrojtur sistemin që kemi sot. Por, a mjafton që në një ditë të veçantë të sillemi me seriozitet e me solemnitet? A mjafton që të shqiptojmë zëshëm të vërtetën dhe respektin për këta martirë?

Opinioni publik, në mënyrë të qëllimtë bombardohet ende me telenovelat e Byrosë Politike. Vetëm për një apo dy ditë do të ndeshim me emrat e Grupit të Deputetëve nëpër gazeta e portale. Më pas publiku do të marrë nga mediat jo më emrin e Bejës, Sheh Karbunarës, Alizotit, Sazamit e të tjerë martirë, por emrat e Kadriut, Mehmetit, Beqirit e natyrisht atë të “komandantit”.

Përtej mirëkuptimit të thellë që kam për vlerën e kësaj seance të posaçme, mendoj se deputetët martirë meritojnë më shumë. Që kujtesa për Grupin e Deputetëve të jetë e ngulitur thellë duhen dhe mund të bëhen hapa konkretë. Ka hapa të thjeshtë që mund dhe duhet të bëhen. Kryetari i opozitës, Basha, shpalli një platformë me objektiva të qartë, të cilat synojnë shumë.

Ato mund të shihen dhe si një reflektim i asaj që PD nuk bëri deri më sot dhe që i takon dhe e ka detyrimin që ta bëjë. Por, që platforma të kthehet në veprim, nuk ka nevojë për të pritur gjatë. Grupi Parlamentar i PD-së mund të marrë nismën për të ngulitur kujtesën e deputetëve martirë, pikërisht atje në Kuvendin e Shqipërisë. Ka shumë salla, holle dhe mjedise në atë Kuvend.

Ato salla do të nderoheshin vërtet nëse do të mbanin emrat dhe portretet e këtyre deputetëve martirë. Sallat e komisioneve parlamentare të emërtohen me emrat e deputetëve martirë. Askush më shumë se ata nuk e meriton këtë nderim. Që kujtesa të ngulitet thellë, le të fillojmë me vetë deputetët, me të zgjedhurit e popullit. Kështu, çdo politikan do të mundet që t’i respektojë martirët e sistemit parlamentar në çdo ditë të punës së vet si deputet.

Kështu, deputetët do të kenë para sysh emrin dhe portretin e dikujt nga deputetët martirë që ka sakrifikuar jetën për sistemin politik që i jep kuptim misionit të tyre si deputetë. Kështu, deputetët së pari e më pas gjithë shoqëria do të kemi mundësi t’ju falemi nderit martirëve. Kështu, Kuvendi do të fitonte një përmasë të nevojshme për të qenë tempull i demokracisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura