Deputetët e PS pro Ramës, Shkjau: Ka marrë 1 milion vota

Feb 11, 2016 | 8:07
SHPËRNDAJE

Deputetët socialistë shprehen se kongresi i Partisë Socialiste do të konfirmojë mandatin e Edi Ramës në krye të kësaj partie, pas fitores në dy zgjedhjet e fundit. Deputetja e qarkut të Durrësit, Esmeralda Shkjau, thotë se janë të mjaftueshme 1 milion vota të marra në zgjedhjet e 2013-s për të konfirmuar qëndrimin në krye të PS-së të Edi Ramës.

Esmeralda Shkjau
Esmeralda Shkjau

“Prioritare për mua është struktura e PS-së, mirëfunksionimi i organizatave, koordinimi i mirë mes qendrës dhe rretheve dhe për mua është e rëndësishme që PS sot është partia nr. 1 në Shqipëri.

Kjo i atribuohet liderit të saj, Edi Rama, i cili besoj se 1 milion vota ishin të mjaftueshme që ai të konfirmohej dhe të vijojë në drejtimin e kësaj partie, së cilës i ka dhënë një dimension akoma më të gjerë për ta sjellë PS-në këtu ku është sot”, është shprehur deputetja socialiste.

Ajo e cilëson Partinë Socialiste si një parti të hapur ku pranohen të gjitha debatet dhe sugjerimet, ndërsa shesh si prioritare reformat që po ndërmerr qeveria, që do të ndihmojnë në hapjen e negociatave për në BE.

“Diskutimet kanë vend në PS, kjo parti ka një mendësi të hapur, pranon debatet, çdolloj sugjerimi, dhe për mua kjo histori ka pasur një bumerang mediatik dhe asgjë më shumë. Kolegët në PS nuk kanë asnjë shqetësim se kë duhet të mbështesin, për ne prioritarë janë qytetarët dhe reformat e vendit. Sot kandidat për në BE dhe presim hapjen e negociatave pas përmbushjes së reformave”, është shprehur deputetja e qarkut të Durrësit.

Partia Socialiste është në një proces zgjedhor të saj në të gjitha strukturat për të shkuar në kongresin e 19 marsit, ku do të zgjidhet dhe Asambleja Kombëtare dhe forumet e tjera drejtuese.

“Fokusi dhe interesi i të gjithë deputetëve është struktura e Partisë Socialiste. Gjatë kësaj periudhe, ne kemi komunikuar me të gjitha organizatat e çdo qyteti, ku çdo deputet është munduar të jetë pranë tyre, të ketë komunikim të drejtpërdrejtë me të gjithë anëtarët dhe kryetarët e organizatave, në mënyrë që PS me historinë e saj si partia më e madhe në të gjithë vendin, të ruajë standardet dhe vlerat që ka krijuar në këto 25 vjet”, u shpreh deputetja socialiste e qarkut të Durrësit.

FATION BINJAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura