Deputetë, anëtarë Kryesie dhe të Këshillit të PD përgënjeshtrojnë ish-Kryeministrin: Dhuna dhe mashtrimet e Berishës s’e shndërrojnë dot partinë në ‘kokë dashi’

Jan 15, 2022 | 8:26
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Që nga dita e shtunë e javës së kaluar, anëtarët të Kryesisë së PD-së, deputetë dhe anëtarë të Këshillit Kombëtar, kanë nisur të tregojnë me fragmente atë që panë nga protesta e thirrur nga lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përballë selisë blu, kundër Lulzim Bashës, pasi ky i fundit e pezulloi nga Grupi Parlamentar i PD-së si pasojë e shpalljes person “non grata” nga SHBA.

Përmes një reagimi zyrtar ditën e djeshme, selia blu përgënjeshtroi deklaratën e ish-Kryeministrit Berisha dhe të deputetit Noka nga Prokuroria se protesta e së shtunës së kaluar ishte protesta më paqësore.

Përkundër këtyre deklaratave, PD publikoi pamje të shkëputura nga protesta, ku shfaqeshin protestues të cilët me mjete rrethanore tentonin të shembnin dyert metalike dhe thyenin me gurë e shkopinj xhamat e dritareve.

“Vetëm një njeri në hall të madh mund të mashtrojë hapur shqiptarët për dhunën dhe terrorin e ushtruar kundër PD-së. Sali Berisha ishte ideatori dhe urdhëruesi i dhunës dhe terrorit. Sali Berisha kërkonte që mbi gjakun e demokratëve të negocionte ‘non grata’-n e tij. Njësoj si ai, edhe ndihmësit e tij të sulmit përpiqen të mohojnë dhunën që e pa gjithë bota. Demokratët e kuptuan dhe u shkëputën përgjithmonë nga ata që e kanë përdorur dhunën si mjet politik”, shkruhej në postimin që shoqëronte videon në rrjetet sociale.

Ndërkohë, deputetja dhe anëtarja e Kryesisë Ina Zhupa publikoi dje një video në të cilën kishte përmbledhur titujt e mediave botërore që raportuan në lidhje me ngjarjen ku mbështetës të ish-Kryeministrit Berisha sulmuan selinë e PD-së.

“8 janari ishte një ditë e zymtë për çdo shqiptar kudo ku jeton, brenda apo jashtë vendi. Imazhet e dhunës dhe thirrjet për derdhje gjaku demokratësh pushtuan mediat kryesore. Jo vetëm shqiptarët, por e gjithë bota e mori vesh se si Sali Berisha pas shpalljes ‘non grata’ kërkoi të marrë me dhunë selinë e PD”, shkruante Zhupa në postimin e saj në “Facebook”.

DËMTIMI I KAMERAVE

Sakaq, ndaj deklaratave të deputetes Albana Vokshi, autorësinë nuk e mori asnjë koleg i saj, por vetë institucioni. Vokshi cilësohet në reagimin e PD-së si partnere në krim e Sali Berishës. Në vijim, reagimi i PD-së përgënjeshtron Vokshin, e cila shfaqet në një video ku thotë se kamerat e selisë blu në katin e parë kanë regjistruar. Ndërkohë PD shfaq pamjet filmike ku protestuesit, menjëherë pasi erdhën, nisën t’i thyenin ato, t’u ndryshonin këndin se ku xhironin dhe në shumë raste t’i lyenin me bojë të zezë, në mënyrë që të mos filmohej asnjë fragment më pas nga protesta.

“Partnerët në krimin e Sali Berishës po përpiqen të shpërndajnë përditë e më shumë gënjeshtra dhe mashtrime për të mbuluar dhunën kundër PD-së. Pasi dështuan sepse demokratët i kanë braktisur, ata tani duan të mbulojnë sadopak sulmin kundër demokratëve në 8 janar. Albana Vokshi gënjen: gjithë bota e pa se si për të fshehur kriminelët para dhunimit të PD-së, ata nxorën jashtë përdorimit kamerat që ishin instaluar në ambientet e brendshme dhe të jashtme të selisë. Çdo demokrat e çdo shqiptar pa në 8 janar se Sali Berisha ishte gati të sakrifikojë edhe jetën e tyre për hallin e tij. PD është e demokratëve, nuk është më e një njeriu ‘non grata’ për korrupsion. Ai është tashmë vetëm një e shkuar e dhunshme dhe e keqe”, reagoi PD.

“KOKA E DASHIT”

Në vijim të reagimeve, anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike Endri Hasa solli në vëmendje tentativën e protestuesve për të shembur dyert e hekurit që ishin vendosur për të frenuar ngjitjen e tyre në katin e dytë, ku ndodhen zyrat e kryetarit, nënkryetarëve, sekretarit të përgjithshëm etj.

Ai përmendi kolonën metalike, e cila njihej në terma teknikë si “kokë dashi”, dhe përdorej për shembjen e dyerve të blinduara.

E ndërkohë, Hasa konsideron një “derë blindë” vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të shpallur Berishën dhe familjen e tij si “non grata”, ndërsa PD-në thotë se nuk do ta kthejë dot në një “kokë dashi”.

“As dhuna dhe as gënjeshtrat e Sali Berishës nuk do të shndërrojnë Partinë Demokratike në ‘kokë dashi’ për betejën e tij personale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Demokratët e refuzuan përpjekjen e Berishës për të shkatërruar Partinë Demokratike dhe për t’u kthyer në mish për top për hallin e tij. Ata u ndanë përgjithmonë nga e shkuara dhe po ecin drejt së ardhmes”, shkroi Hasa në “Facebook”.

© Panorama.al

Te lidhura