Depresioni te të moshuarit, si duhet mjekuar. Flet mjekja psikiatre Irena Thoma

Oct 13, 2019 | 22:28
SHPËRNDAJE

Trishtimi, demotivimi, humbja e interesit për aktivitetet e përditshme janë simptoma të njohura për të gjithë ne. Por, nëse ato bëhen prezente për një kohë të gjatë, duke ndikuar ndjeshëm në jetën tonë, atëherë kemi të bëjmë me depresion.

depresioni

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH), depresioni është sëmundja më e zakonshme në të gjithë botën dhe shkaku kryesor i aftësisë së kufizuar. Ata vlerësojnë se në vitin 2020, sëmundjet e shëndetit mendor pritet të zënë vendin e parë në botë, ku 1 në 4 persona mund të preket nga këto probleme.

Sipas mjekes psikiatre Irena Thomai, faktorët e lidhur me depresionin përfshijnë faktorët e trashëguar, biologjik dhe mjedisor, si dhe ngjarje të rëndësishme të jetës, si sëmundja fizike, humbja e një të dashuri ose humbja e një pune. Gjithashtu, të lidhura janë medikamente të caktuara, alkooli, abuzimi me drogën, dieta si dhe luhatjet e tjera hormonale.

Ndryshimet që trupi pëson për shkak të menopauzës, problemet me tiroiden ose një sërë kushtesh të tjera mjekësore mund të shkaktojnë po ashtu depresion. Njerëzit e depresionuar e kanë të vështirë të marrin vendime. Ata po ashtu mund të kenë vështirësi në ruajtjen e marrëdhënieve normale.

Trajtimi i duhur mund të ofrojë lehtësim për shumicën e njerëzve që vuajnë nga kjo gjendje. “Depresioni është i zakonshëm te të moshuarit dhe më shumë i zakonshëm te njerëzit që kanë probleme me kujtesën, presionin e lartë të gjakut dhe kolesterolin”, thonë ekspertët e shëndetit. Në këto kushte, ndryshimi i stilit të jetesës mund të japë rezultat edhe në trajtimin e depresionit. “Fatmirësisht sot disponohen shumë mënyra të trajtimit të depresionit. Krahas rritjes së numrit të medikamenteve, është rritur efektshmëria e tyre dhe është bërë përpjekje gjithashtu për shmangien e efekteve anësore.irena-thoma-e1528144311630

Gjithashtu, është dimensioni tjetër i trajtimit psikologjik, që do të thotë trajtimi me psikoterapi të llojeve të ndryshme, sipas nevojave të pacientit dhe trajtimet sociale duke ndërhyrë dhe duke mbështetur individin që vuan nga depresioni për minimizimin e faktorëve socialë, që kanë precipituar depresionin”, vë në dukje doktoresha.

Data 10 tetor është dita botërore e shëndetit mendor. Te ndalemi te depresioni, sa i pranishëm është te mosha e tretë?

Depresioni është një çrregullim që prek të gjitha moshat, por duke qenë se faktorët nxitës të tij janë më të shumtë në moshën e tretë, atëherë mbetet që të jetë më i pranishëm në këtë grup popullate.

Cilët janë faktorët që e nxisin?

Faktorët që nxisin depresionin janë të shumtë, këtu përfshihen ngjarjet stresante të jetës ose perceptimi i ngjarjeve si stresonte, nga ana e individit, vështirësitë gjatë punës, gjatë jetës, gjatë martesës, konfliktet, mosmarrëveshjet, humbja e njerëzve të dashur, sëmundjet fizike e sidomos ato që kronicizohen. Të gjitha këto, ka të ngjarë që të pasohen me çrregullim depresiv. Faktorë të tjerë që nxisin depresionin janë shkaqet psikologjike, me këtë kuptojmë disa mënyra të menduari irracionale, pesimistike, katastrofike, frikat e shumta e fobi, të cilat i paraprijnë depresionit. Në këto mënyra, të menduari përfshihen mendimet e zymta, mendimet negative, parashikimet ireale apo mënyrat jo logjike të të menduarit që karakterizojnë disa persona.

Ndër faktorët që nxisin depresionin mund të përmendim gjithashtu faktorët gjenetikë, siç është trashëgimia, tiparet e personalitetit, siç është personaliteti ciklotimik, që do të thotë një person që karakterizohet nga lëkundje të përsëritura të humorit. Ndër faktorët që nxisin depresionin mund të jenë dhe sëmundjet endokrinologjike apo ndryshimet në nivelet biokimike të trurit.

Çfarë pasojash mund të sjellë një gjendje e tillë?

Një gjendje depresive e pamjekuar mund të shkaktojë vuajtje të zgjatur emocionale kronike, dëmtim të funksionimit në familje, në punë e shoqëri dhe ajo që është më e dhimbshme është suicide (vetëvrasja). Një person në gjendje dëshpërimi të thellë rrezikon të dëmtojë veten.

A mjekohet siç duhet?

Fatmirësisht sot disponohen shumë mënyra të trajtimit të depresionit.

Trajtimi konsiston në shumë dimensione. Dimensioni biologjik, që do të thotë trajtimi me medikamente, gama e të cilave është zgjeruar në mënyrë të ndjeshme vitet e fundit. Krahas rritjes së numrit të medikamenteve është rritur efektshmëria e tyre dhe është bërë përpjekje gjithashtu për shmangien e efekteve anësore.

Gjithashtu, është dimensioni tjetër i trajtimit psikologjik, që do të thotë trajtimi me psikoterapi të llojeve të ndryshme sipas nevojave të pacientit dhe trajtimet sociale, duke ndërhyrë dhe duke mbështetur individin që vuan nga depresioni për minimizimin e faktorëve socialë, që kanë precipituar depresionin. Marrja e ndihmës në gjithë këto dimensione bën që personat me depresion të trajtohen në mënyrën e duhur. Ngelet vetëm që personat që i vuajnë këto shqetësime, të kërkojnë ndihmën në institucionet përkatëse të shëndetit mendor.

Së fundmi disa këshilla…

Unë do të këshilloja që është e nevojshme të shpeshtohen format e ndryshme edukative të popullatës rreth njohjes së shenjave, simptomave të depresionit, sepse duke i njohur ato, njerëzit mund të kërkojnë ndihmë te specialistët përkatës, duke parandaluar ose përmirësuar gjendjen e tyre depresive. Njerëzit duhet të dinë se kë duhet të kontaktojnë kur kanë shqetësime emocionale, duhet të kenë ide të qarta se çfarë institucionesh janë në dispozicion të dhënies së ndihmës, siç mund të jenë spitalet, dhomat e urgjencave apo shërbimet ambulatore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura