Dentistja Alba Koshovari “Si t’i ruajnë dhëmbët nga prishja gratë shtatzëna”

Sep 29, 2014 | 14:43
SHPËRNDAJE

Çfarë këshillash do t’u jepni nënave të ardhshme për sa i përket kujdesit ndaj dhëmbëve?
Shtatzënia është një periudhë shumë intensive për sa i përket ndryshimeve metabolike, hormonale dhe minerale në organizmin e gruas. Nga pikëpamja klinike, është vënë re që shtatzënia rrit sëmundshmërinë karioze në të gjitha moshat dhe në të gjitha shtatzënitë. Vihet re një rritje e inflamacionit të gingivave (mishrave të dhëmbëve) i quajtur “gingivid gravidar”, i cili manifestohet me rritje të volumit të mishrave të dhëmbëve e shoqëruar me hemorragji. Kjo shkaktohet nga çrregullimet hormonale, nga prania e pllakës dhëmbore si dhe nga deficitet e vitaminës C. Në pjesën më të madhe të rasteve ky çrregullim mund të kthehet në normë menjëherë pas lindjes. Nënat e ardhshme duhet të bëjnë kontrolle të shpeshta te mjeku stomatolog, ku duhet të shënohen: gjendja e dhëmbëve dhe e gingivave, të këshillohen për ruajtjen e higjienës së duhur orale, për marrjen e tabletave të fluorit si në shtatzëni ashtu dhe në periudhën e laktacionit (gjidhënies). Nuk rekomandohet bërja e radiografive dentare, sidomos në tremujorin e parë. Në rast se është e domosdoshme, ato kryhen vetëm me rekomandimin e mjekut. Duhet të ndalohet marrja e ilaçeve pa kontroll, veçanërisht preparatet e tetraciklinës, të cilët shkaktojnë ngjyrosje të dhëmbëve të përhershëm te fëmija.
Çfarë ushqimesh rekomandohen të merren?
Që gruas shtatzënë t’i sigurohet një barrë normale, rekomandohet që ushqimi të jetë i përshtatshëm me proteina, kripëra minerale, vitamina dhe karbohidrate. Vlen të theksohet që është nëna, e cila furnizon fetusin me lëndë ushqimore, me të cilat ai ndërton organet e tij. Në rastet e pamjaftueshmërisë ushqimore, organizmi i nënës arrin ta ushqejë fetusin duke shfrytëzuar rezervat e saj. Pra, fetusi nuk vuan nga kequshqyerja, sepse i merr të gjitha lëndët ushqimore nga nëna. Nevojat kalorike në shtatzëni duhet të rriten me rreth 20% më shumë se ajo e gruas joshtatzënë. Duhet të eliminohen ushqimet e kripura dhe të konservuara, alkoolet e forta dhe kafeja e fortë. Rekomandohet që në tremujorin e fundit të shtatzënisë të rritet me 30% konsumi i kalciumit.
A duhen mjekuar dhëmbët në rast dhimbjeje?
Ndërhyrjet nën efektin e anestezisë nuk rekomandohen të bëhen në tremujorin e parë, në raste urgjente duhen kryer vetëm me rekomandimin e mjekut gjinekolog.
A dëmton anestezia gjatë ushqyerjes me gji?
Këshillohet që nga momenti i anestezisë duhet të kalojnë të paktën dy orë deri në ushqyerjen e ardhshme. Duhet të theksojmë që edukimi dhe këshillimi dentar i nënave të ardhshme mund të parandalojë shumë probleme të vonshme te fëmijët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura