Denoncimi i Berishës, reagon Policia e Shtetit: Ja e vërteta për 7 efektivët e ‘Shqiponjave’

Jul 24, 2016 | 19:32
SHPËRNDAJE

Policia e Shtetit ka reaguar sot në lidhje me denoncimet që ka bërë Partia Demokratike për pezullimin e 7 efektivëve të ‘Shqiponjave’, pasi kishin dhunuar dhe prangosur kunatin e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Në një deklaratë shpërndarë për mediat, si përgjigje ndaj akuzave që hodhi kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj, (lexo këtu) Policia e Shtetit sqaron se pezullimi i efektivëve është i pavërtetë.

Shqiponjat

Deklarata e Policisë:

Referuar deklaratës së subjektit politik PD lidhur me shkarkimin e 7 punonjësve të policisë, Policia e Shtetit bën me dije se ky fakt është tërësisht i pavërtetë.

Në asnjërën prej ngjarjeve të cituara në deklaratë, nuk është shkarkuar asnjë punonjës policie, ndaj pretendimet dhe akuzat e bëra publike, janë thjesht fakte të pavërteta.

Siç parashikon kuadri ligjor, për të dyja rastet është kryer procedura ligjore e verifikimit të përgjegjësive, procedurë standard që ndodh sa herë që një qytetar ka ankesë për veprimet e policisë.

Policia e Shtetit thekson edhe njëherë përkushtimin maksimal ndaj detyrës dhe ligjit për të zbatuar ligjin ndaj çdo individi.

Pezullohen efektivat e ‘Shqiponjave’, dhunuan kunatin e ministrit Tahiri

Një ditë më parë “Panorama”, duke cituar burimet e saj, shkroi se drejtori i Policisë Tiranë, Ervin Hodaj ka pezulluar 7 efektive të forcave “Shqiponja”. (lexo ketu)

Ngjarja

Ditën e ngjarjes, forcat “Shqiponja” kishin marrë informacion se pikërisht në këtë lokal gjendej një person i armatosur, prandaj ata morën masa duke shkuar pranë lokalit, por pa ndërhyrë në të.

Por prania e shtuar e forcave policore përballë biznesit e ka shqetësuar kunatin e ministrit dhe ai ka kërkuar të dijë pse policia ndodhej aty.

“Panorama” shkruan se kur ka marrë përgjigje negative, ai ka nisur të debatojë me efektivët. Efektivët nuk e kanë ditur se gjendeshin përballë kunatit të ministrit dhe e kanë dhunuar dhe prangosur atë.

Gjatë kësaj kohe në atë zonë kaloi eskorta e ministrit Tahiri, ku së bashku me të ishte dhe një anëtar i kabinetit i cili sqaroi situatën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura