Dënohet me burg nëna e akuzuar për rrahjen e djalit

Jul 12, 2015 | 11:04
SHPËRNDAJE

Nëna e akuzuar për dhunën ndaj të birit është shpallur fajtore dhe është dënuar me burg nga Gjykata e Tiranës. Episodi i dhunës është shënuar gati një vit më parë, pranë banesës së 44-vjeçares së divorcuar në zonën e Laprakës në Tiranë.

Gjykata e Tiranës

Pasi e ka kërcënuar të birin, ajo dyshohet se e ka goditur atë, duke i shkaktuar dëmtime të dukshme. Sipas vendimit të shpallur nga gjyqtari Bedri Qori, e pandehura Lumturie Ç. është deklaruar e fajshme për veprën penale të “dhunës në familje”.

Ajo është dënuar me 3 muaj heqje lirie. Për shkak të zhvillimit të çështjes me procedurën e gjykimit të shkurtuar, e pandehura përfitoi uljen e një të tretës së dënimit.

Në përfundim, Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg për të dhe lënien e saj në liri me kusht për një periudhë prej 18 muajsh. Gjatë kësaj kohe, ajo duhet të mbajë kontakte të vazhdueshme me Zyrën e Shërbimit të Provës, nuk duhet të kryejë asnjë vepër penale dhe të mos shoqërohet me persona të dënuar.

DHUNA

Ngjarja e dhunshme për të cilën u përball me Drejtësinë e pandehura Lumturie Ç. ka ndodhur më 25 qershor 2014, në një nga rrugët e zonës së Laprakës. Rreth orës 15:30, ajo ka goditur djalin e saj, Henri B. Sipas vendimit të Gjykatës, para se të ushtronte dhunë e pandehura ka dhënë dhe disa fjalë kërcënuese në drejtim të djalit të saj.

Është bërë këqyrja e jashtme e shtetasit Henri B. nga ku ka rezultuar se ai ka dëmtime të jashtme e të dukshme si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tij. Pas kallëzimit të ngjarjes, nga ana e organeve të Policisë Gjyqësore është marrë vendim për kryerjen e një ekspertimi mjekoligjor të të riut.

“Nga akti i ekspertimit nr.805, datë 28.06.2015, rezulton se te shtetasi Henri B. konstatohen dëmtime të jashtme, që hyjnë në kategorinë e atyre që kanë shkaktuar humbje të aftësisë së përkohshme në masën deri në 9 ditë”, citohej në raportin mjekoligjor, i administruar si provë në procesin gjyqësor. Ky lloj dëmtimi konsiderohet si rrahje.

DEKLARIMET

Në lidhje me ngjarjen ka dhënë deklarime i dëmtuari Henri B., ku ka rrëfyer për marrëdhënien e tensionuar që ai ka pasur në vijimësi me nënën e tij. Para oficerëve të Policisë Gjyqësore, ai ka treguar për konfliktet e vazhdueshme me të pandehurën Lumturie Ç. dhe për veprimet e saj ditën e ngjarjes.

Gjatë hetimit është pyetur dhe babai i të dëmtuarit. Ai ka sqaruar se i biri i kishte treguar se ishte goditur fizikisht nga nëna e tij, e pandehura Lumturi Ç. Vetë e pandehura nuk e ka pranuar akuzën e ngritur nga prokuroria. Gjatë deklarimeve ajo ka pranuar se ka pasur debat me të birin. Sipas saj, nuk është e vërtetë që ajo ta ketë kërcënuar apo goditur djalin e saj.  

ARMAND BAJRAMI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura