“Dënimi me vdekje nuk është i mundur dhe nuk parandalon ngjarje”/ Rama për vrasjen e 8-vjeçarit në Fier: Ligjin e kemi të ashpër, zbatimin jo!

Nov 17, 2021 | 8:49
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama shprehet se ngjarje të tilla si ajo e vrasjes së një 8-vjeçari nga fqinji i tij në Fier, autorët duhen dënuar me vendimet më ekstreme të parashikuara në ligj.

I pyetur në një konferencë për mediat nëse është e mundur rikthimi i dënimeve me vdekje, Rama thotë se kjo nuk mund të ndodhë.

Sipas kreut të qeverisë, dënimet me vdekje nuk janë shkopinj magjik për të parandaluar ngajrje të tilla të rënda.

Rama thotë se nuk ka asnjë problem me legjislacionin shqiptar, duke e konsideruar si një prej më të ashpërve, por problem është zbatimi i tij.

“Çështja e dënimit me vdekje është një çështje e adresuar kohë më parë si çështje e civilizimit tonë nga të gjithë vendet e BE dhe më gjerë dhe në adresimin e kësaj çështje ka patur një proces të gjatë kur janë hedhur nga vendet e para hapat për heqjen e dënimit me vdekje, të bazuar në shumë analiza në shumë fakte, të cilat kanë folur qartësisht, jo vetëm në aspektin moral të një shoqërie demokratike të bazuar në kartën universale të lirive dhe të drejtave të njeriut, por dhe në aspektin praktik dënimi me vdekje nuk i bën të paevitueshme ngjarje të tilla.

Fatkeqësisht shoqëritë edhe në vendet më të zhvilluara, edhe në vendet me nivelin më të lartë të civilizimit tonë, i kanë në gjirin e tyre dhe këto qenie që janë në gjendje të shkojnë deri në shfaqjet më ekstreme të asaj që ka mbetur nga kafsha në qenien e njeriut.

Rikthimi i dënimit me vdekje nuk është as i mundur e as një formulë apo një shkop magjik për të parandaluar të tilla ngjarje, të cilat siç e the edhe siç e dimë, ndodhin në të gjitha shoqëritë, ndërkohë që për sa i përket pjesës tjetër, unë duhet të them që në aspektin e kuadrit ligjor, Shqipëria për shkak të disa ndërhyrjeve në vite në legjislacion, ka të shkruar legjislacionin më të ashër, ose nga më të ashprit.

Çështja është zbatimi i legjislacionit dhe ajo që përbën një fatkeqësi për ne në shumë vite, është pikërisht papërgjegjshmëria e trupave gjykues në raport me individë që kanë kryer krime deri dhe ekstreme, por edhe krime që në mos me vrasje, kanë rezultuar në përdhunime, në dhunë ndaj grave dhe që janë lënë të lirë në sallën e gjyqit apo kanë marrë dënime shumë herë më të ulëta se sa parashikon legjislacioni dhe pastaj i kanë përsëritur ato, duke shkaktuar dhimbje dhe plagë krejtësisht të panevojshme dhe të evitueshme.

Patjetër që mundësitë për të rishikuar legjislacionin janë gjithmonë, por këtu thelbi është ngritja e trupave gjykues në nivelin e legjislacionit. Ne kemi legjislacion përgjithësisht të standardeve të mira të shoqërive demokratike dhe sfida nuk është të shkruhen më shumë ligje, sfida është të zbatojmë ligjet. Kemi një studim në dorë, me Ministrinë e Brendshme për të gjitha rastet përsëritëse, do ta bëjmë publik së shpejti dhe kemi një numër jo të vogël rastesh përsëritëse në vite, nuk flas vetëm për vitet e fundit, në vite, të cilat janë flagrante në aspektin e papërgjegjshmërisë deri dhe ekstreme të trupave gjykues.

Në të njëjtën kohë, jemi duke reflektuar për një ndërhyrje në legjislacion, që nuk lidhet me rastin konkret apo nuk është rezultat i rastit konkret, të cilën do ta përfshijmë në konsultimin kombëtar që unë e kam lajmëruar ku do të pyesim popullin për një sërë çështjesh me një rëndësi të veçantë, për të marrë një opinion të gjerë përtej partive, duke dëshiruar që të hedhim disa hapa të guximshëm sëbashku e duke synuar që ta ngremë nivelin e dëgjimit të njëri-tjetrit mes qeverisë dhe popullit në një nivel tjetër.

Nuk mund t’ju them konkretisht sot sepse jemi duke i formuluar pyetjet për qytetarët, por pikërisht në këtë aspekt synojmë të adresojmë përsëritjen, ndërsa në rastin konkret, e kam parë me shumë vëmendje të gjithë atë çka ka referuar Policia e Shtetit lidhur me dinamikën e kësaj ngjarje, por edhe profilin e autorit. Nuk është rasti tipik në fakt i përsëritësve të liruar papërgjegjshmërisht sepse shumë vite më parë, autori është ndaluar për heqje të paligjshme të lirisë të një personi dhe e ka marrë një dënim të cilin dhe e ka kryer. Sigurisht, mbetet pastaj çështje e diskutueshme nëse dënimi ka qenë i mjaftueshëm ose jo, por ka kryer disa vite dënim. Është realisht tragjike, por siç e thashë, këto janë ngjarje ekstreme, të cilat nuk janë evituar në asnjë vend të botës e nuk evitohen 100% sido që t’i shkruash ligjet edhe sado në lartësinë e ligjit të jenë trupat gjykues” – tha Rama.

SI NDODHI NGJARJA

8-vjeçari u vra në mënyrë makabre nga fqinji i tij, i cili dyshohet se e ka rrëmbyer të miturin ditën e djeshme. Pas denoncimit të nënës, Florindës, forcat e rendit janë vënë menjëherë në lëvizje, duke nisur hetimet për rastin.

Kamerat e sigurisë në zonë, të cilat janë këqyrur nga hetuesit, kanë zbuluar momentet e fundit të 8-vjeçari, i cili kishte biseduar për disa momente dhe kishte pedaluar në rrugët e lagjes me biçikletën e atij që do të bëhej vrasësi i tij.

Pas këtij momenti, Policia ka ushtruar kontrolle në banesën e 38-vjeçarit, Klodian Çalamani, i cili sipas burimeve jetonte i vetëm në banesë. Trupi i pajetë i vogëlushit është gjetur i groposur në një nga cepat e banesës së autorit të dyshuar të krimit i mbuluar me baltë.

“Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë bërë shpalljen në kërkim dhe në mënyrë të menjëhershme nga veprimet në terren, duke vlerësuar maksimalisht situatën dhe rëndësinë e saj, kanë marrë informacion, kanë punuar në grup.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura