Dënimi i UEFA-s/ Antonio Konte mbron Skënderbeun në KAS

Jun 29, 2016 | 21:24
SHPËRNDAJE

Skënderbeu është duke vijuar përgatit jet për sezonin e ri teksa nga ana tjetër nuk po lë pas dore punën për të mbrojtur veten në KAS në lidhje me dënimin që ka marrë nga UEFA.

maxresdefault (1)

Normalisht, një gjë e tillë është një procedurë që vijon prej kohësh që prej datës 1 qershor kur vendimi i Komisionit të Apelit të UEFA-s deklaroi dënimin me një vit përjashtim të Skënderbeut nga Kupat e Europës. Që prej asaj dite, bardhekuqtë janë duke u marrë edhe me këtë çështje krahas punëve të tjera për të ndërtuar ekipin për sezonin e ri.

Avokatët

Fillimisht, u mendua se avokatët që do të mbronin çështjen e Skënderbeut në KAS do të ishin të njëjtët që kishin mbrojtur edhe Shqipërinë në të njëjtin institucion, në lidhje me dhunën në sfidën me Serbinë. Por, më pas u zbulua se nuk bëhej fjalë për ta.

“Panorama Sport” ka arritur të sigurojë emrat e avokatëve që do të mbrojnë Skënderbeun në çështjen në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv me qendër në Lozanë ku bardhekuqtë do të mundohen të fitojnë pafajësinë. Klubi ka arritur të kontaktojë dhe të sigurojë mbrojtje nga tre avokatë italianë, mjaft të njohur në çështjet sportive.

Bëhet fjalë pikërisht për Antonio Konten, Kamilo Mineon dhe asistentin Gabriele Zukereti, tre ndër avokatët më elitarë në Itali që janë pranë klubit të Romës dhe merren me të gjitha dokumentet ligjore të ekipit verdhekuq.

Vlen për t’u theksuar se avokati italian Antonio Konte, që do të jetë edhe udhëheqës i çështjes së Skënderbeut, ka qenë për një kohë edhe avokati personal i Françesko Totit, kapitenit të Romës.

Do të jetë kjo treshe e suksesshme avokatësh që do të mbrojnë kampionët e Shqipërisë në KAS dhe eksperienca e tyre në këtë fushë është shumë e rëndësishme.

Gazeta ka arritur të mësojë emrat e treshes së avokatëve që do të përfaqësojnë Skënderbeun në Lozanë, teksa nga ana tjetër një gjë e tillë konfirmohet edhe nga klubi bardhekuq.

Burime të sigurta të gazetës bëjnë me dije se të tre këta avokatë janë të specializuar për çështje sportive dhe për apelim të vendimeve të UEFA-s. E kaluara e tyre e dëshmon mirë një gjë të tillë, teksa kanë mbrojtur më parë edhe ekipin anglez të Mançester Junajtid.

Siguria

Po të njëjtat burime në klub bëjnë me dije se ka qenë pikërisht avokati kryesor i çështjes, Antonio Konte, ai që i ka dhënë siguri Skënderbeut se në rast dërgimi të dosjes në KAS, mundësitë për ta fituar pafajësinë janë mjaft të mëdha.

Për këtë arsye, edhe klubi duke u mbështetur në faktet mbi të cilat UEFA i dënoi, që sipas tyre janë të pabaza dhe nuk përbëjnë argument ligjor, kanë vendosur t’i japin besim të plotë treshes nga Italia, duke besuar se pafajësia do të faktohet në KAS.

Tashmë pritet vetëm që vendimi përfundimtar i caktuar në datën 6 korrik të jetë në favor të Skënderbeut, duke i dhënë kështu mundësinë ekipit kampion në fuqi që të marrë pjesë normalisht në turin e dytë eliminator të Ligës së Kampioneve për këtë sezon.

Pikërisht në këtë tur Skënderbeu do të ketë përballë hungarezët e Ferencvarosh nëse do arrijë që të luajë. Korçarët janë dënuar nga UEFA me një vit përjashtim nga Kupat e Europës për dyshimet që ekzistojnë se ka trukuar ndeshje. Tashmë, vendimi përfundimtar do të jepet më 6 korrik nga KAS-i.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura