Dënimet e shkrimtarëve pas prishjes me BS, nga Xhuvani te Gjata

Jun 29, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Shkrimtarit-filozof i romanit “Pse?” do t’i duhej të shkruante për reformën agrare, për kolektivizimin dhe gjithë marrinash që diktonte Partia.

ToplesMe sytë e tij do të shihte se ç’po ndodhte në kulturë, se si dogma po i imponohej artit, se si shkrimtarët dënoheshin, internoheshin, “shkonin në bazë” për “edukim”, që të “mësonin” të shkruanin pranë popullit, se si turpëroheshin me fletërrufe në mes të qytetit. Do të shihte se si njerëzit varfëroheshin gjithnjë e më shumë, se si po shkatërroheshin familjet e krijuara në kohën e dashurisë me Bashkimin Sovjetik, sepse një prej bashkëshortëve vinte që andej…

Dhe pena i ngriu… Vetëm pak ditë më parë, botimet “UET Press” prezantuan librin “Im atë, Sterjo!”, të Ilinden Spasses, birit të shkrimtarit Sterjo Spasse. Në një rrëfim të zhdërvjelltë, të thurur me pjesë shënimesh të vetë Sterjos apo letrash që ai ua dërgonte familjarëve apo shokëve më të ngushtë, zbulohet jeta e një shkrimtari nën diktaturë. Krahas jetës së Sterjo Spasses, zbulohen edhe ato të miqve të tij më të ngushtë, si Mitrush Kuteli, Nonda Bulka, Nexhat Hakiu, Zisa Cikuli etj.

Nga ky libër kemi shkëputur një nga momentet më të vështira për shkrimtarët shqiptarë, që do të vinte menjëherë pas prishjes me Bashkimin Sovjetik dhe vëllazërimit me Kinën e madhe dhe Revolucionin e madh kulturor, që do të binte pa mëshirë mbi shkrimtarë e vepra. Si u ndaluan autorët e huaj dhe si qarkullonin ata nën dorë…

ILINDEN SPASSE

Në prill të vitit 1966 u mbajt Plenumi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë kushtuar problemeve të prozës së gjatë. Sterjoja, jashtë dëshirës së tij, u ngarkua të përgatiste referatin kryesor në emër të kryesisë së Lidhjes.

Punoi shumë, se i duhej të lexonte gjithë prozën e gjatë të viteve të fundit. U lodh shumë. U përqendrua në arritjet artistike, sidomos të prozatorëve të rinj, duke nxjerrë në pah anët më të mira të veprave të tyre.

Nxori edhe ndonjë të metë nga ana artistike. Paraprakisht referati u lexua nga kryesia e Lidhjes dhe u miratua. Po, kur e mbajti në Plenum, duket dikujt nuk i pëlqeu ky raport. Meqë Sterjoja nuk kishte kritikuar ashpër për të “metat e rëndësishme ideologjike”, që ishin shfaqur në këtë prozë, hajt të kritikojmë Sterjon për raportin e dobët. Dhe, ata, që e kishin miratuar më parë, tani i ranë raportit të “dobët”, që s’kishte arritur të nxirrte në pah të metat ideologjike të prozës sonë, që e ndikuar nga perëndimi dhe nga lindja, po merrte tatëpjetën… 14 Më 22-23 prill 1966.

Ç’bëhet kështu? – pyeti Nonda.

– Kaq dita, kaq bëra! – iu përgjigj në intimitet Sterjoja.

– Unë nuk jam kritik, por edhe nuk pajtohem me atë ç’ka ata kërkojnë. Letërsia nuk ecën përpara vetëm me të shara…

Mitrushi që u ndodh aty, uli kokën. Me atë buzëqeshjen e tij mbi buzë dhe nën buzë ua dha përgjigjen…

– Kritika nuk bëhet kështu, si e bën Sterjoja, por bëhet kështu: “Tuneli” për gabime të rënda ideologjike, sepse nuk buzëqesh, të varroset, të hidhet në karton, ndërsa Dhimitër Xhuvani, për edukim në Elbasan, në mes të punëtorëve, atje të mësojë të shkruajë; Vehbi Skënderi në Veri, në hidrocentral, për edukim, që të mësojë se si duhet të shkruajë në “Zërin e Popullit”, se si duhet të kritikojë; Kin Dushin, ai është llafazan, gjithë fjalët i ka me kripë, atë në burg, për riedukim… që të mos llapë shumë… Dhe ata të pikturës, muzikës, nuk janë në rregull. T’u biem kokës, t’i edukojmë, se po na fusin shumë izma në artin e tyre… Izmat të çorodisin… Ato izma e çoroditën pushtetin e nënës sonë, e Bashkimit Sovjetik… Ç’bëhet kështu?

– Kemi shembull motrën e madhe 600 milionëshe, revolucionin e saj të madh kulturor. Ajo thotë: Intelektualët e kanë fajin, shkrimtarët, prandaj, ne u biem me domate e vezë të prishura në kokë, u varim dacibao në qafë, ua hedhim kolltukët nga dritaret e apartamenteve, se janë burokratizuar; ua grisim veprat, ua djegim në sheshin “Tien An Men”.

I kanë me lakra veprat e tyre, kanë lakra në kokë ata. Kështu thotë Mao Ce Duni te “Libri i Kuq”. Ja veprat e Go Mo Zhosë ia dogjëm të tëra. S’ka më vepra, s’ka më Go Mo Zho. Merrni shembull nga ne, lexoni veprat e Mao Ce Dunit…

Jo, ne kemi veprat tona. Ne revolucionin ia përshtatim kushteve konkrete. Shkrimtarët tanë s’kanë kolltukë, por ata duhet t’i dërgojmë në bazë, që të njihen me bazën, që të shkruajnë për bazën, për klasën punëtore, për fshatarësinë kooperativiste…

Nuk e pranojmë kultin e individit, se ai kult ia hëngri kokën Stalinit, prandaj na duhet klasa punëtore, jo inteligjencia: Shkrimtarët në bazë: Petro Marko në Vuno, që ta njohë më mirë atë e të mësojë të mos flasë shumë, po të shkruajë shumë; Kolë Jakova në Laç, që të frymëzohet aty për të na dhënë drama të forta, se ka mbetur prapa; Fatos Arapin në Vlorë, aty e ka muzën ai… Sterjoja, ah, është i sëmurë… Po, po dhe të birin e ka në Burrel, ne nuk jemi për shpërbërje të familjes, pastaj është nënkryetar i shoqatës Shqipëri – motra e madhe, do ta mbajmë këtu. E bëjmë redaktor të revistës “Nëntori”. Ai e ka për zemër revistën… Por, sakën se i jepet maksimalja, se borgjezohet si Go Mo Zhoja… Ç’bëhet kështu? Shqipëria ka nevojë për para, se na tradhtoi nëna e madhe, na tradhtuan edhe motrat e vogla. Prandaj, të falen huat me “iniciativë nga poshtë”, të falen honoraret e ribotimeve. Sterjoja u detyrua “me dëshirë”, që të falte 100 mijë lekë hua shtetërore dhe 50 mijë lekë për ribotimin e romanit “Afërdita përsëri në fshat”. Ç’bëhet kështu? Erdhi një ditë Nonda i bërë xhind dhe e flaku tej librin e tij të sapo botuar “Fabula”.

– Maskarenjtë, as sa një përrallë nuk ma paguan: 3000 lekë të vjetra më dhanë për këtë, ndërsa vetëm për daktilografim kam shpenzuar 10 mijë lekë…

– Borgjezohesh, Nondë! Ç’bëhet kështu? “Të ndalohet rreptësisht literatura e huaj, të bllokohen bibliotekat, të hidhen në karton veprat e dyshimta, veprat që kanë lakra brenda, se na infektojnë intelektualët, shkrimtarët, që janë më të ndjeshmit nga të gjithë… Ç’na duhen “Saga e Forsajtve”, “Gjeniu”, “Tre shokët” etj., që na e çoroditin rininë.

Në karton. Edhe vepra e Jordan Jovkovit, “Albena” e përkthyer nga Sterjoja, të mos shpërndahet, të mos qarkullojë, të hidhet në karton. Ku e dimë ne se Jordan Jovkovi nuk ka qenë…ist. Vetëm ndonjë vepër, me autorizim “special” nga kryetari apo sekretari i partisë mund të lexohet për punë. E ai që ta lexojë duhet të jetë patjetër filozof komunist, që t’i kundërvihet veprës, por kurrsesi shkrimtar…” Myteberët tanë u gjendën ngushtë. Më mirë t’i lije pa bukë se sa pa libra, pa literaturë… “Kemi literaturën tonë, kemi veprat e Partisë sonë…”

– Po, po, – ia bënte Nonda. Ndërkohë, se nga kishte gjetur një burim “Tepër sekret”, e merrte çdo javë nga një libër e ia sillte fshehurazi Sterjos, vetëm për 24 orë, asnjë minutë më tepër, me fshehtësinë më të madhe, të mos ia shihte as Sterjovica, me besa – besën; Sterjoja, pasi e lexonte me një frymë, ia jepte Zisës për 12 orë, asnjë minutë më tepër, më fshehtësinë më të madhe, që të mos ia shihte as Maksi, i biri, ky Mitrushit, fshehurazi, me besa – besën, që të mos ia shihte as Pandi, i biri, burri i botës, asnjë minutë më tepër. E kështu, në këtë kohë, këta myteberë, duke i kaluar librat e revistat dorë më dorë, në mënyrë të fshehur, inkonjito, lexuan kujtimet e Çërçillit, De Golit, të Svjetllanës për Stalinin, të Zhukovit, Doktor Zhivagon e Pastërnakut e plot libra e revista të tjera. Ç’bëhet kështu? “Televizorëve t’u hiqen grupet, t’u vihet zhurmues stacioneve televizive të huaja, se ideologjia e tyre penetron e… na e prish popullin, na i prish shkrimtarët…” Një ditë vjen Nonda i gëzuar në shtëpi:

– E rregullova Sterjo. Nipi, Bujari, më bëri një kanoçe e na, xham e shoh Italinë. I pashë lajmet… Gjej edhe ti një kanoçe… Ç’bëhet kështu? Fatmir Gjata po dënohet: dënimi nga “qarkullim” iu kthye në internim me gjithë familjen, jo në Berat, po në Lapardha të Beratit, që të shkrihet së bashku me kooperativistët, me kazmën e lopatën. Pse? Na turpëroi. U tregua frikaç para provokatorëve imperialistë, revizionistë, çankaishistë e shumë ista-ve të tjerë. Faleminderit motrës së madhe Kinë, që na lajmëroi… Ç’bëhet kështu? Mustafa Greblleshit një fletërrufe e madhe në mes të Tiranës, Selman Rizës një e tillë e madhe në fakultet… Mustafai buzëqesh duke zbardhur dhëmbët rruaza të bardha… Selman Riza buzëqesh… Nuk bëjnë autokritikë…

Pse? Përse të bëjnë autokritikë?… Ç’bëhet kështu? Bëhet një mbledhje e madhe në Ndërmarrjen e Botimeve, ku kritikohet rëndë Mitrush Kuteli për një përkthim… Ai nxjerr një fletë të bardhë e me kokën ulur, duke buzëqeshur e nënqeshur, shkruan… – Ky do të përgjigjet, do të bëjë autokritikë… Kaluan në diskutime. Kush e shau, kush e lavdëroi. Ky vazhdonte të shkruante. Sotir Caci zgjati kokën për t’i pëshpëritur në vesh, që të ngrihej se po mbaronte mbledhja, kur shikon në fletën e bardhë skica priftërinjsh me çallma dhe mjekra, si ato që më vizatonte mua, kur isha i sëmurë. Sotir Caci qeshi me vete. Nuk i tha asnjë fjalë Mitrushit. Mbledhja mbaroi…

Ç’bëhet kështu? Kush u dha të drejtën atyre të shkruajnë përsëri? Kush? T’u hiqet e drejta e botimit… Në një moment të tillë shpirtëror, Mustafai i dogji romanet e tij, përkthimet, tërë dokumentet e pabotuara… Ç’bëhet kështu? Duhet ta forcojmë luftën e klasës! Edhe gratë e huaja, që janë “spiune” të revizionistëve, kapitalistëve, social-imperialistëve e istëve të tjerë, jashtë nga Shqipëria. E duam vendin e pastër… Filluan të ikin gratë me fëmijët, dukë lënë burrat vetëm… të liruar nga molepsia e këtyre istëve… Iku e shoqja e Dritëroit me gjithë djalë, e shoqja e Dalanit, iku Nina dhe Irena që i kish shoqëruar Sterjoja si “krushk” me aeroplan nga Moska në Tiranë; ikën e ikën e sa të tjera nga nëna Bashkimi Sovjetik, që na doli “Kurvë” dhe nga motrat fqinje më të vogla, që na dolën “Kurvica”, duke lënë prapa lot në familje, lot në aeroport… Ndahej prindi nga fëmija, nga gjaku… duke lënë prapa tragjedinë familjare. Më mirë kështu, se e kemi Shqipërinë të pastër… Ç’bëhet kështu?

– Sa mirë bëri Ziaudini që vdiq, e nuk po i jeton këto që po ndodhin! – i thotë një ditë Nonda Nikolinës. – Ç’më dridheni kështu ju shkrimtarët, më keq se priftërinjtë!… – i përgjigjet ajo. Nonda brofi në këmbë: – Ti je gjeniale Sterjovicë. Ashtu është, ashtu jemi bërë, më keq se priftërinjtë…. Po, po, priftërinjtë dhe hoxhallarët e kanë fajin… Atyre duhet t’u biem kokës me iniciativë nga poshtë… Ata po na e përçajnë popullin, unitetin… Ç’na duhen vezët e kuqe, kur i kemi më të mira të bardhat… Ç’na duhet bakllavaja, kur kemi tortat…

Ç’na duhen Pashkët e Bajramet kur kemi festat tona kombëtare… Ata, priftërinjtë, hoxhallarët, dervishlerët, ata e kanë fajin… Atyre t’u biem në kokë. Mamaja e shkretë vajti fshehurazi te prifti i rrugës sonë Papajani për të pagëzuar Laurën. Edhe atij kishin filluar t’i dridheshin leqet e këmbëve. Mamaja e shkretë fshehurazi u futi në xhep nga një vezë të kuqe myteberëve tanë për Pashkët e Mëdha… – Hë, Sterjovicë, do të të denoncoj! – ia bëri Nonda. – Nga ty më ardhtë e keqja! – ia ktheu mamaja. Mitrushi e nxori nga xhepi, e rrotulloi nëpër duar, buzëqeshi nën buzë e mbi buzë e tha: – Do t’ia shpie Pandit, i ha shumë ai vezët e kuqe, burri i botës. Ç’bëhet kështu? Mamaja për pashkët vajti në kishë për të ndezur nga një qiri për të vdekurit. Sa u kthye në shtëpi, Dita e priti me këmbët e para: – Si vete mama në kishë! – Pse?

1960 -1969 – Ty, të gjithë të njohin, që je e shoqja e Sterjo Spasses. Pastaj, ke djalin arsimtar në Burrel, që bën propagandën e Partisë atje, kundra fesë, kundra kishave e xhamive15… Ndërsa ti këtu më vete në kishë e më ndez qiri për të vdekurit… Të të bëjnë një fletërrufe siç i bënë Mustafait në mes të Tiranës, e ta marrësh pastaj në qafë babain, Ilon e të gjithëve ne… Mamaja për herë të parë e pa veten ngushtë. Tërë atë javë nuk fjeti nga frika, se mos e kishte parë merimanga e padukshme dhe e nxirrte në fletërrufe… Babai, atëherë i kishte folur Ditës, që të mos e ngacmonte mamanë për këtë problem. – Ama, trimëreshë e Sterjos! – u tall Nonda kur e mori vesh këtë histori. Ç’bëhet kështu? Ka edhe më: Fshati, fshati u borgjezua, fshati u pasurua: Nuk punojnë në kooperativë, për kooperativën po për dy dynymshin, për tufën e vet, për bagëtinë e vet…. Nuk bën kështu, nuk kemi thënë kështu… Interesi i përgjithshëm mbi interesin personal… Nuk i duhet fare toka fshatarit, nuk i duhet as lopa, as bagëtia, as pula… Ne do ta furnizojmë fshatin me bulmet dhe me vezë dhe me mish… Ne, kemi vezët tona nga pulat e motrës së madhe që pjellin dy herë ditën… T’ia marrim fshatarit ato, se s’punon në kooperativë…

T’ia marrim me iniciativë nga poshtë… Po nuk e kupton fshatari kështu vijën e Partisë… Do ta kuptojë, se do t’i shpiem specialistët më të mirë që nga ministra, zv. ministra e poshtë, të gjithë në bazë, të forcojmë bazën… Po qe e fortë baza, është edhe qendra… Në qarkullim, me iniciativë nga poshtë… Ja, shkrimtarët i shpumë në bazë, tani edhe të tjerët… Po zbrazet qendra… Jo, jo nuk zbrazet, do t’i zëvendësojmë me klasën punëtore… Kudo klasa punëtore udhëheq… Në sektorin e shtypit klasa punëtore, në sektorin e ekonomisë klasa punëtore, në atë të bujqësisë klasa punë- tore, njerëzit më të mirë, më të devotshëm, pa ç’ka se s’kanë kulturë, po do bëhen me kulturë, se na kanë pranë ne, ne do t’i më- sojmë, do t’i edukojmë, do t’u japim kulturë… Ja, edhe ne brendapërbrenda po ripërtërihemi, ata që janë burokratizuar, në bazë, për të forcuar bazën, e këtu marrim nga baza, për ta forcuar qendrën. E kemi forcuar, kemi marrë një mjelëse shumë të mirë, shumë të bëshme…

Tani do të forcohet bujqësia jonë, arsimi ynë, ekonomia jonë… Ja e thanë dhe shkrimtarët… Po japin frytet e para të qarkullimit të tyre; doli “Dasma”, himn i klasës punëtore, të merrni shembull nga “Dasma”, vepra më e madhe e socializmit, e klasës punëtore. Merrni shembull! Të shkruhet për traktorët, hidrocentralet, për muskujt e fortë të minatorit, liderët. Për liderët tanë të mos të tremben, se këtu s’kemi të bëjmë me kultin e individit, këtu kemi të bëjmë me legjendarët e mbi jetshëm e të përjetshëm, se këta nuk janë si Stalini, Stalini nuk bëri qarkullimin e intelektualëve e të kuadrit, ne e bëmë… Ne kemi luftuar edhe në mal, kemi dalë nga gjiri i popullit, kemi ndenjur gju më gju me popullin, i qajmë hallin popullit, e kush merret me popullin është i përjetshëm… Ne nuk jemi si Mao Ce Duni, ne nuk kemi citate, ne kemi vepra, që të mësojë shkrimtari se si të shkruajë, historiani se si ta shohë historinë, ushtaraku se si ta mësojë strategjinë me bunkerë, i vetmi vend në botë që japim shembull në botë, dritë të socializmit, me bunkerë…

Lexojini veprat e pastaj shkruani… Jo për ne, po për klasën, për ne shkruan populli… Ai na ka futur në këngë, në legjenda, ne nuk duam nga shkrimtarët… Ndonjë, edhe mundet, por, kur të zërë emrin tonë, të ketë mirë parasysh, po s’qe e arrirë ka edhe minierë… Nga dora e artistit tonë çdo gjë duhet të dalë e kulluar, si është Partia jonë, sipas mësimeve të saja… Ne do ta mbrojmë socializmin me vepra dhe me bunkerë…

Ç’bëhet kështu? Sterjoja fillon e analizon tërë krijimtarinë e vet të pas Çlirimit: Me “Ata nuk ishin vetëm” kish pasqyruar revoltën e fshatarësisë për një progres shoqëror; me “Afërdita përsëri në fshat”, reformën agrare aq të dëshiruar nga fshatarët; me “Buzë liqenit”, kolektivizimin e bujqësisë, që jepte shpresa të mëdha për mirëqenien e popullit. Dhe deri këtu dukej relativisht rritja e mirëqenies ekonomike dhe kulturore të fshatit tonë. Tani po hidhej parulla për revolucionarizimin e mëtejshëm të jetës së vendit, pra, për një mirëqenie të mëtejshme… Të gjithë e shihnin me besim këtë aksion të madh të Partisë, por… lajmet nga fshati vinin të zbehta… Fshatarit, që iu mor toka e bagëtia nuk po furnizohej me gjërat minimale të jetës së përditshme…

Po mbetej pa bukë… Paga ishte tepër minimale, më minimale se minimalet 50-80 lekë për ditë pune, as sa për një paqetë cigare… Ndaj Sterjos i ngeci pena, nuk po i lëvizte dora… Tjetër thuhej në gazeta, tjetër thonin fshatarët që vinin në shtëpi… Ata s’vinin më të buzëqeshur, por me torbat plot me halle, me halle… me halle për bukën e gojës… Edhe Zisa kish nisur një dramë për revolucionarizimin e jetës së vendit… Edhe ai i pyeste e stërpyeste fshatarët që vinin në shtëpinë tonë, por përgjigjja ishte e prerë, e saktë: Partia mund të ketë të drejtë, që do rregullohet dikur mirëqenia, kur të vdesim ne, por tani ne nuk kemi bukë të hamë!…

Zisa me Sterjon shiheshin sy në sy… I analizonin të gjitha këto që ndodhnin… Tani hidhej parulla për revolucionarizimin e mëtejshëm të vendit. Të prishen kisha e xhamia. Pse? Propaganda që bëhej fliste për grupazhe priftërinjsh, sidomos katolikësh e hoxhallarësh. Sipas “fakteve”, që servireshin duhej të besoje… Në veprat letrare të kësaj periudhe filloi të himnizohej programi i Partisë.

Nga poetë e shkrimtarë të afirmuar shkruhej drejtpërdrejt për liderët e Partisë. Filluan këto vepra të fitojnë çmime të para kombëtare, çmime republike. Në pllakada të mëdha, në piktura e skulptura filluan të paraqiteshin këta liderë si personazhe kryesore, të këndohej këngë për ta, t’u thuren legjenda bëmave të tyre. Mos kishim të bënim me kultin e individit këtu? Sus, mos të të dëgjonte njeri! Filluan të shihen me sy të keq ata që venin në kisha e xhamia, ata që ngjyenin vezë të kuqe! Sus, mos të të shihte njeri!…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura