“Dënim me burg për ata që shkelin karantinën”- Komiteti Shqiptar i Helsinkit kërkesë në gjykatë: Të shpallen antikushtetuese 2 nene në Kodin Penal

Sep 26, 2022 | 14:16
SHPËRNDAJE

Në prillin e vitit 2020, u ndërhy në dy nene të Kodit Penal, duke bërë shtesë konkrete me fokus thyerjen e rregullave të pandemisë për shkak të Covid-19.

korona

Pas azhornimit të dy neneve që kishin të bënin me kërcënimin e qytetarëve të pabindshëm, u mbushën komisariatet me persona që nuk zbatonin këto masa e për pasojë edhe pse kanë kaluar dy vite, ata vijojnë të jenë nëpër prokurori e gjykata, pasi rrezikojnë gjoba ose edhe dënime për shkak të shkeljes së ligjit që ndryshoi as kohe.

Mirëpo kundër këtij azhornimi ka dalë Komiteti Shqiptar i Helsinkit, i cili kërkon që të shfuqizohen këto dy shtesa. Kërkesa është bërë në Gjykatën Kushtetuese dhe pritet që shqyrtimi në bëhet në 10-ditëshin e parë të nëntorit.

KËRKESA E KSHH

Kështu dënimi me burg i thyerjes së karantinës, si dhe dënimi për përhapjen e sëmundjeve infektive, nene të cilat u shtuan përgjatë pandemisë COVID-19 cilësohen nga Komiteti i Helsinkit si antikushtetuese. Përkatësisht neni 242/a dhe 89/b janë ankimuar në Kushtetuese ku kërkohet shfuqizimi i tyre dhe seanca pritet të mbahet më 10 nëntor ora 10.

Neni 242/a saktëson se moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë, përfshi dhe ushtrimin e aktiviteteve tregtare dënohet me gjobë deri në tre vite burg. Ndërsa, Neni 89/b ka një marzhë dënimi nga dy vite deri në pesë vite burg për Përhapja të sëmundjeve infektive me dashje, nga pakujdesia apo kur ka shkaktuar pasoja e rrezik jete për të tjerët. Aktualisht me këto nene janë mbi qindra persona dhe subjekte tregtare të proceduar nga Policia dhe në procese penale në prokurori e gjykatat e vendit.

KODI PENAL (I AZHORNUAR), NENI 242/A

Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë Moszbatimi ose kryerja e veprimeve në kundërshtim me aktet ligjore apo nënligjore të nxjerra nga organet shtetërore, në funksion të gjendjes së epidemisë apo të zbatimit të masave të jashtëzakonshme, nga personi, ndaj të cilit është dhënë më parë masë administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj.

Po kjo vepër, kur është kryer në ushtrim të aktivitetit tregtar, duke vendosur në rrezik shëndetin e njerëzve, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet. Moszbatimi i urdhrit të dhënë nga organet kompetente për karantinim ose izolimin, apo shkelja e rregullave të karantinës ose të izolimit nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive, të cilit i është njoftuar ky detyrim nga autoritetet shtetërore përkatëse, dënohet me burgim nga dy deri në tre vjet.

NENI 89/B/PËRHAPJA E SËMUNDJEVE INFEKTIVE

Përhapja me dashje e sëmundjes infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin, nëpërmjet kryerjes së veprimeve ose mosveprimeve nga personi që është diagnostifikuar si mbartës i sëmundjes apo nga personi që ka qëllim përhapjen e saj, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet. Kur kjo vepër është kryer nga pakujdesia, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose rrezik për jetën e njerëzve, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura