Denaj përplaset me Presidencën për huan e Fondit Saudit: Procedurat janë ligjore! Panariti: U zgjidh nga qeveria shqiptare, s’ka fuqi juridike

Jan 7, 2021 | 9:25
SHPËRNDAJE

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj, reagoi dje në lidhje me akuzat e Presidentit Meta në lidhje me mosfirmosjen e huas së Fondit Saudit të Zhvillimit për rrugën Vlorë-Orikum.

Në një konferencë për mediat, Denaj tha se “ne e dimë që ky aks do të sjellë përfitime për qytetarët” dhe i kërkoi kreut të shtetit të mos bëhet pengesë për këtë investim. Duke argumentuar qëndrimin e saj, ajo vuri në dukje se

“Presidenti i Republikës është informuar me dy shkresa për huan, në lidhje me termin ‘negocim’ dhe arsyet e ndryshimit”, ndërsa shtoi se ai i interpreton në mënyrë të gabuar procedurat plotësisht ligjore. Reagimi i ministres erdhi pas deklaratave të Presidentit Meta, i cili akuzoi qeverinë për përdorim të fondit të huas për investime të tjera të paparashikuara në marrëveshjen e parë me Fondin Saudit. Kundër ministres Denaj i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Presidencës, nëpërmjet drejtorit të Kabinetit, Edmond Panariti, i cili i ka bërë thirrje ministres Denaj dhe Kryeministrit Rama që të reflektojnë dhe të përmbushin detyrimet për projektin e rrugës Vlorë-Orikum që Presidenti të japë autorizimin.

ANILA DENAJ

“Ky aks do të sjellë përfitime për qytetarët. Presidenti i Republikës është informuar me dy shkresa për huan, në lidhje me termin ‘negocim’ dhe arsyet e ndryshimit. Nuk bëhet fjalë për marrjen përsipër të një detyrimi financiar të ri, jashtë parashikimeve buxhetore dhe termave financiare të rialokuara më parë. Ky është rialokim i siguruar më parë pas një marrëveshjeje. Ajo që kërkohet të arrihet është që me një fond të negociuar sipas parashikimeve kushtetuese, të realizohet një projekt infrastrukturor në të njëjtin vend. Nuk do të ndryshojë as shuma, as afati. Kjo dakordësi me kompaninë, i hap rrugën punës. Ku qëndron kundërshtia me Kushtetutën?! Në germë? Në qëllim apo frymë? Ai është lehtësisht i lexueshëm, pasi është nevojë për të rritur investim infrastrukturor. Procedura është ligjore. Presidenti për të mbështetur arsyet e refuzimit të kërkesës së autorizimit të plotfuqishmërisë interpreton në mënyrë të gabuar. Ngre akuza për mashtrim, kundërshtim me Kushtetutën. Projekti i ri ekonomik është gati dhe FSHZH është në fazat finale për të rakorduar financimin e tij. Kujtoj të gjithë banorët e zonave malore se prej gati 30 vitesh po shohin të bëhet realitet një ndërlidhje mes zonave që ishte ëndërr. Lidhja e Tepelenës me bregdetin e Jugut po realizohet nëpërmjet rrugës Gusmar-Kuç”.

EDMOND PANARITI

“Ministrja e Financave u shpreh se për marrëveshjen me Fondit Saudit të Zhvillimit nuk bëhet fjalë për detyrim të ri financiar. Sipas saj, për një rialokim parash nga një marrëveshje e mëparshme. Pyetja që shtrohet është: pse kërkohet të rinënshkruhet një marrëveshje e mëparshme, nëse bëhet fjalë për një rialokim fondesh?

Si mund të cilësohet e njëjta marrëveshje, kur marrëveshja është zgjidhur me kërkesë të qeverisë me ligj të posaçëm. Ministrja e di që marrëveshja e zgjidhur me ligj nuk ka fuqi juridike. Ligji kërkon në mënyrë eksplicite që të negocioni, sigloni dhe miratoni. Vetëm më pas mund të nënshkruhet marrëveshja e re. Ministrja pretendon se kjo nuk përbën detyrim. Pyetja është: në cilin nen të Kushtetutës, ligji për marrëveshje ndërkombëtare dhe huamarrje, e mbështesni këtë qëndrim? Ndërkohë që Kryeministri dhe drejtori i FSHZH thonë që janë negociuar.

Nuk na rezulton në shkresat e ministres. Nëse ministrja e Financave nuk kupton ku qëndron antikushtetutshmëria, Presidenti me shkresat që i ka dërguar i ka rikujtuar përmbushjen e detyrimeve kushtetuese e ligjore që në shtator. Ministrja kishte 3 muaj kohë të reflektonte, por zgjodhi të vijojë me shkeljet. Asnjëherë nuk është vonë. I bëjmë thirrje ministres të përmbushë detyrimet dhe mos të krijojë më asnjë vonesë për investimet në Vlorë. Të paraqesë dokumentin te Presidenti, dhe nëse dokumentacioni është i rregullt, brenda ditës do të shqyrtojë kërkesën. I kujtojmë ministres që Presidenti s’mund të bëhet palë në shkelje. Ndreqni të metat e procesit, para se të përmendni precedentët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura