Denaj fton investitorët amerikanë të rrisin prezencën në Shqipëri dhe garanton: Nuk do të ndalet përpjekja jonë për të përmirësuar klimën e biznesit

Oct 16, 2020 | 9:05
SHPËRNDAJE

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, fton  sipërmarrësit e Dhomës Amerikane, të rrisin prezencën e tyre në vendin tonë, duke i orientuar ata  edhe në fushat  prioritare  si energjia, turizmi, përpunimi, teknologjia e informacionit, etj,  si  sektorë shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit tonë.

anila denaj

Duke folur në ceremoninë e 20 vjetorit të Asamblesë së Dhomës Amerikane të Tregtisë, ku ishte e pranishme edhe ambasadorja amerikane Yuri Kim, Denaj ftoi gjithashtu bizneset, anëtare të Dhomës Amerikane, të jenë më shumë pjesëmarrës edhe në bordet e shkollave profesionale, si një shtysë për t’i orientuar ato drejt tregut të punës dhe nevojave konkrete të sipërmarrësve për punonjës.

“Javës që vjen ne lancojmë një ligj të ri për start-up-et dhe inovacionin. Ne kemi punuar së bashku me ekspertë të GIZ-it për të sjellë një ambient ligjor të ri për të gjithë iniciatorët e një biznesi që në hapat e parë do dështojë, prandaj do të ketë edhe lehtësi fiskale, por të ketë ato ide që bota digjitale dhe biznesi do të mund të përqafojë, sidomos në një vit kaq të vështirë ku bizneset po mendojnë se si ta ridimensionojnë mënyrën e të bërit biznes  në kushtet që pandemia na vendosi përpara”, tha Denaj.

Gjatë fjalë së saj, Denaj  i njohu  përfaqësuesit e biznesit amerikan me nismat e  Qeverisë shqiptare për të krijuar një klimë sa më të

favorshme për cdo  sipërmarrës që zhvillon aktivitetin e tij ekonomik në vendin tonë, ose ata që duan të vijnë.

“Klima e biznesit në Shqipëri është dhe duhet të jetë në fokus  të gjithë institucioneve. Duke qenë këtu si përfaqësuese e Qeverisë, dua të theksoj angazhimin që përpjekja dhe puna për të përmirësuar klimën e biznesit nuk do të mungojë. Shumë gjëra janë bërë, edhe pse kjo nuk është e mjaftueshme, ne kemi akoma punë për të bërë”, u shpreh  Ministrja.

Ministrja nënvizoi se  reforma  e Derregulimit dhe e Digjitalizimit kanë  shkurtuar burokracitë, letrat e panevojshme, kostot për biznesin, dhe mbi të gjitha kanë ulur korrupsionin.

 “Sigurisht klima e biznesit është një prej tyre, por ka edhe arsye të tjera. Megjithatë ne nuk do të reshtemi të promovojmë këto potenciale  dhe për t’i bërë ato atraktive për investitorët u huaj”, tha Ministrja.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë vlerësoi, si  një ngjarje historike firmosjen dy javë më parë të Marrëveshjes së  Bashkëpunimit Shqipëri-SHBA.

“E para në vitet ’30, e dyta në vitin 1992 dhe e treta dy javë më parë. Ne kemi një shprehje në Shqipëri: e treta e vërteta, unë vërtet shpresoj që kjo do të jetë e tillë. Dhe jemi duke punuar për të realizuar këtë projekt në një punë me hapa konkretë për ta çuar përpara këtë marrëveshje kaq të rëndësishme”, tha Denaj.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura