Dëmtoi malin e Tomorrit, në kërkim babai i deputetit. Selim Qama akuzohet se ka dëmtuar habitatin natyror

Aug 5, 2020 | 10:33
SHPËRNDAJE

klajdi qama, gurore tomor

Një administrator firme u vu në pranga pasi është konstatuar se vazhdonte punën për nxjerrjen e pllakave dekorative, edhe pse i kishin pezulluar licencën.

Gjatë kontrollit është vënë në pranga edhe një punonjës i një subjekti tjetër të përpunimit të gurit, ndërsa administratori i këtij subjekti, 61-vjeçari Selim Qama, babai i deputetit Klajdi Qama, është shpallur në kërkim.

Burimet zyrtare të Policisë bënë të ditur se arrestimet ndodhën pasi në aksin dytësor Novaj–Pronovik, në vendin e quajtur “Qafa e Sqepurit”, u konstatuan dy mjete, njëri pa targa, të ngarkuara me pllaka guri dekorative, të nxjerra në malin e Tomorit, zonë e shpallur “Park Kombëtar”, duke dëmtuar habitatin natyror të zonës së mbrojtur.

Dyshohet se këta shtetas e tregtonin materialin e gurit të nxjerrë në mënyrë të paligjshme në këtë zonë, duke pasur aktivitetin me status të pezulluar dhe me fatura fiktive. Materialet në ngarkim të tyre iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprat penale “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

MBYLLJA E GUROREVE

Ndërkohë, dy vite më parë, ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi, denoncoi vendimet e marra nga Gjykata e Vlorës për lejimin e punës së 2 guroreve nga 9 të tilla, të cilave ministria u kishte revokuar lejet për gërmimet në malin e Tomorrit.

“9 leje mjedisore për shkak të shkeljeve të rënda u revokuan, duke i hequr të drejtën e vijimit të mëtejshëm të aktivitet dhe 10 të tilla u pezulluan. Në kundërshtim me çdo ligj dhe rregull në fuqi këto biznese, kishin nxjerrë përfitimet financiare në kurriz të malit, qytetarëve që flinin e zgjoheshin me tymin e bardhë të gurëve dhe turizmit të siteve historike dhe kulturore të zonës.

Pezullimi dhe revokimi i lejeve mjedisore për këtë aktivitet që kishte shkaktuar as më shumë e as më pak, por një katastrofë të vërtetë natyrore, u morr në zbatim të plotë të ligjit”, është shprehur Klosi dy vite më parë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura