Dëmtohet natën pllakati i Sulltan Sulejmanit në Kala

Oct 6, 2015 | 12:44
SHPËRNDAJE

Dëmtohet gjatë natës pllakati i Sulltan Sulejmanit, i cili është e vendosur në hyrje të Kalasë së Lezhës. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës, ndërsa është zbuluar mëngjesin e së hënës nga punonjësit e kalasë. Persona të paidentifikuar dëmtuan shkronjat në gjuhën osmane në disa pjesë të tij, ndërsa edhe pllakati duket që ka marrë goditje të forta, por pa mundur që ta thyejnë atë për shkak të bazamentit të fortë të betonit, në të cilin është vendosur.

Pllakata mbi kala, e shkruajtur në osmanisht, për nder të sulltan Sulejmanit, me gërma të dëmtuara nga persona të paidentifikuar
Pllakata mbi kala, e shkruajtur në osmanisht, për nder të sulltan Sulejmanit, me gërma të dëmtuara nga persona të paidentifikuar

 

Pozicioni i vendit ku ndodhet i vendosur pllakati dhe goditjet e forta që ka marrë, tregojnë qartë se për të kryer këtë veprim të dhunshëm ndaj një objekti të historisë kanë qenë më shumë se një person. Dëmtimi për të dytën herë i pllakatit nuk është një rastësi, por kjo ishte paralajmëruar sidomos nga reagimet e ashpra në rrjetin social.

Megjithatë, reagimi i lezhjanëve nuk u mor në konsideratë as nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Shkodër, as nga sektori i Parkut Arkeologjik e aq më tepër nga vetë Ministria e Kulturës. Pllakati i Sulltan Sulejmanit u vendos në hyrje të Kalasë së Lezhës nga Drejtoria e Kulturës Kombëtare në Shkodër më 22 Shtator të këtij viti, pas një vendimi që kishte marrë Ministria e Kulturës.

pllaka

Vendoja e tij solli reagime të shumta në rrjetet sociale nga qytetarë të ndryshëm, të cilët e kanë kundërshtuar atë. Por ata nuk u mjaftuan me kaq, pasi në natën e Kurban Bajramit e njollosen këtë pllakat dhe muret hyrëse të Kalasë me bojë duke shkruar: “Mos u shitni tek osmani”.

Ndonëse Policia ka nisur hetimet në lidhje me këto ngjarje, ende nuk ka asnjë person të ndaluar. Nëse nuk do të merren masa për largimin e këtij pllakati nga ky vend, rrezikohet që ky objekt të humbasë plotësisht.

Menjëherë pas dëmtimit që i është bërë për herë të dytë pllakatit që identifikon Sulltan Sulejmanin ka reaguar edhe përgjegjësi i Kulturës Kombëtare në qarkun e Lezhës, njëherazi historiani dhe studiuesi Paulin Zefi. Ai ka dënuar ashpërsisht aktin e dhunshëm ndaj këtij pllakati, duke deklaruar se duhet të hiqet me urgjencë nga hyrja e Kalasë për t’u dërguar në muze.

“Tentativa e dytë për të dëmtuar këtë pllakat nga njerëz të papërgjegjshëm, të cilët janë produkt i indinjatës së thellë të të gjithë opinionit publik lezhjan, përbën një akt vandal që unë e dënoj. Ky është një sinjal që jepet që ky pllakat nuk do t’i rezistojë dot edhe shumë sulmeve të tjera që janë paralajmëruar nga qindra individë nëpërmjet rrjeteve sociale. Unë mendoj që për të mos e humbur këtë artefakt të rëndësishëm që i referohet një faze të rindërtimit të Kështjellës së Lezhës, duhet që kjo pllakë urgjentisht të rikthehet në muze, atje ku ka qenë më parë” u shpreh Paulin Zefi.

Elvis Hila

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura